Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Klasat sekrete në Ukrainë në përpjekje të mbrojtjes së mendjes së fëmijëve nga propaganda ruse

Ashtu si miliona ukrainas të tjerë, në javët e para të pushtimit rus të Ukrainës, Nataliia (emri i vërtetë i saj është fshehur për shkaqe sigurie) u detyrua të largohej nga shtëpia e saj.

Ajo nuk mund ta toleronte të jetonte nën okupimin rus në qytetin e saj, Melitopol, dhe ndjeu se mund të ishte më e dobishme në territorin që ende kontrollohet nga Ukraina.

Por, Nataliia nuk la vetëm shtëpinë e të afërmit pas, ajo po ashtu la punën prej 20 vjetësh si mësuese.

Tani kalon kohën duke dhënë mësim online për qindra ish-nxënësit e saj.

Rreziqet për të, dhe klasat e saj, janë të mëdha, shkroi BBC.

Edhe Adoleshentët ukrainas po kryejnë akte tradhtie. Si duhet të gjykohen ata? Botë Adoleshentët ukrainas po kryejnë akte tradhtie. Si duhet të gjykohen ata?

Emra të rremë

“Askush nuk e ka bërë më parë këtë”, shpjegoi Nataliia. “Jo në Krime, apo në rajonet e okupuara të Donbasit, Khersonit ose Zaporizhzhias”.

Portrete të Vladimir Putinit tani varen në muret e klasave të vjetra të Nataliias në Melitopol. Nxënësit duhet të mësojnë dhe të këndojnë himnin kombëtar të Rusisë. Ata madje janë të obliguar të shkruajnë “letra frymëzuese” për ushtarët rusë.

Në këtë mënyrë po edukohen fëmijët ukrainas në territoret e okupuara nga Rusia. Atyre u thuhet se Ukraina nuk është shtet i vërtetë – dhe Nataliia shtoi se, nëse një fëmijë e sfidon programin mësimor, prindërit e tij kërcënohen me rrahje ose torturë.

Për këtë arsye Nataliia dhe ish-kolegët e saj krijuan një platformë online në përpjekje “për të shpëtuar mendjet e fëmijëve ukrainas”.

“Sapo e krijova, u shkrova një letër të gjithë prindërve duke ofruar klasa mësimi”, shpjegoi ajo. “Nuk e dija kush ishte pro-ukrainas ose kush pro-rus, dhe ata e dinin adresën e shtëpisë time dhe të afërmit e mi”.

Ajo theksoi se edhe ta thuash fjalën “okupim” mund të rezultojë që autoritetet ruse të të vijnë në shtëpi. Nëse ka ndonjë provë besnikërie ndaj Ukrainës, si detyrat e një fëmije të shkruara në ukrainisht në vend të rusishtes, mund të pasojë me një udhëtim në stacionin policor”.

Megjithatë, qindra familje e kanë pranuar ofertën e Nataliias për të mësuar me programin mësimor të Ukrainës.

Edhe Nëna, luftëtare, aktiviste: gratë e brezit të mijëvjeçarit që po e mbajnë Ukrainën Botë Nëna, luftëtare, aktiviste: gratë e brezit të mijëvjeçarit që po e mbajnë Ukrainën

Në mëngjes, ata shkojnë në shkollat ruse, dhe në mesditë apo mbrëmje, nxënësit mbajnë mësime sekrete online me mësuesit ukrainas.

“Siguria është më e rëndësishme se dija. Të gjithë nxënësit marrin pjesë pa kamerat e ndezura dhe përdorin emra të rremë”, ka shpjeguar Nataliia.

Incizimet ofrohen për ata që mund të mos kenë pasur sinjal apo energji elektrike.

“Nuk është e rëndësishme t’u mësohet fëmijëve në cilin vit Taras Shevchenko (një poet i famshëm ukrainas) ka lindur, apo rregullat e gjeometrisë, por që të mbahen të lidhur me kulturën ukrainase”, shtoi ajo.

“Kam një nxënës i cili u kthye në shtëpi dhe qau pas mësimeve ruse. Ky është presion i madh psikologjik për një fëmijë. Gjithë jetën kanë jetuar në një mjedis ukrainas – dhe befas, gjithçka ka ndryshuar”.

Valera (nuk është emri i vërtetë i tij) shkon në shkollë ruse, por ndjek po ashtu mësimet online ukrainase. 14-vjeçari ka thënë se vetëm gjashtë nga 31 shokët e klasës e mbështesin Ukrainën. Ai ka shtuar se përpiqet t’i rezistojë asimilimit rus kurdo që mundet.

“Një herë lëshuam himnin ukrainas gjatë mësimit, në telefon”, kujtoi ai. “Më pas ata filluan të na kontrollonin. E fsheha telefonin; sapo lëshuan himnin e tyre – të gjithë u ngritën në këmbë, ne qëndruam ulur”.

Ai shpreh se gjithmonë donte të mbante edhe mësimet shtesë në gjuhën ukrainase, por Valera beson se ai do të detyrohet t’i bashkohet ushtrisë ruse.

Edhe Si po i përgatit Rusia fëmijët ukrainas që të luftojnë për të Botë Si po i përgatit Rusia fëmijët ukrainas që të luftojnë për të

Nataliia pohoi se qëllimi i mësimdhënies së saj testohet vazhdimisht. Sa më gjatë që Melitopoli qëndron nën pushtimin e Rusisë, aq më i madh është rreziku që fëmijët atje të indoktrinohen.

“Frikësohem për gjeneratën tonë të ardhshme. Është shumë e rëndësishme t’i mbajmë këta fëmijë të lidhur me realitetin. Por, është shumë e vështirë të bëhet”.