Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kina ul objektivin e saj vjetor për rritje ekonomike

Xi Jinping

Foto: Associated Press

Kina ka ulur objektivin e saj vjetor për rritjen ekonomike, duke e synuar atë në një masë prej 4.5%–5%, që është caku më i ulët për zgjerimin ekonomik që nga viti 1991.

Kjo është hera e parë që objektivi ulet që kur u vendos në “rreth 5%” në vitin 2023. Në vitin 2020 nuk u caktua asnjë objektiv për shkak të pandemisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Detajet u publikuan gjatë mbledhjes më të madhe politike në Kinë, e njohur si “dy sesionet”.

Pekini synon të riformësojë ekonominë e tij ndërsa përballet me probleme si konsumi i dobët, një popullsi në tkurrje, një krizë e vazhdueshme në sektorin e pasurive të paluajtshme, tensione globale tregtare dhe krizës së energjisë për shkak të luftës me Iranin.

Një analist i Kinës i ka thënë BBC-së se objektivi më i ulët i jep Kinës “më shumë hapësirë për të menaxhuar ekonominë” pa u detyruar të bëjë angazhime të mëdha financiare vetëm për të arritur një shifër të caktuar.

“Kina ka përdorur objektiva fleksibël edhe më parë, veçanërisht gjatë pandemisë, por kjo nuk është norma”, ka deklaruar Jason Bedford nga grupi kërkimor East Asian Institute.

Ngjarja e “dy sesioneve”, e cila ka filluar të mërkurën dhe zakonisht zgjat të paktën një javë, bashkon liderët e vendit për takime të njëpasnjëshme.

Detajet për objektivin e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Kinës janë përfshirë në një raport prej 46 faqesh të publikuar nga kryeministri Li Qiang.

Li u ka thënë delegatëve se Plani Pesëvjeçar do të përfshijë investime në inovacion, industri të teknologjisë së lartë, kërkime shkencore dhe më shumë përpjekje për të rritur konsumin e familjeve.

Komentet e tij theksojnë shqetësimin e Pekinit zyrtar se konsumi i dobët i brendshëm e bën vendin shumë të varur nga eksportet, si dhe nënvizojnë ambiciet për të përmirësuar industrinë prodhuese të vendit.

Raporti përshkruan plane për më shumë se 100 projekte të mëdha gjatë pesë vjetëve të ardhshme për të zgjeruar kapacitetin industrial të Kinës, me fokus në shkencë dhe teknologji, transport dhe energji.

Pekini gjithashtu ka bërë të qarta ambiciet e tij për t’u bërë një fuqi globale teknologjike, me plane për të përhapur përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale (AI) në industrinë kryesore.

Sipas raportit, vendi do të ndërtojë gjithashtu një “shoqëri miqësore ndaj lindjes së fëmijëve”, duke trajtuar shqetësimet rreth punësimit, arsimit dhe kujdesit shëndetësor.

Kina po përballet me një popullsi në plakje dhe rënie të lindshmërisë, gjë që e komplikon planin e Pekinit për të rritur ekonominë.