Autoritetet kineze kanë paralajmëruar të premten Filipinet që të ndalojnë menjëherë “shkeljet dhe provokimet” në Detin e Kinës jugore, ose përndryshe do të ballafaqohen me “përgjigje të përshtatshme”, transmeton Reuters.
Komentet u bënë një ditë pasi Pekini dhe Manila zyrtare shkëmbyen akuza ndaj njëra-tjetrës, lidhur me përplasjen ndërmjet dy prej anijeve të tyre në ujërat e kontestuar të Detit të Kinës jugore.
“Është legjitime që Kina të ndërmarrë masat e duhura, dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të shfrytëzojnë Filipinet për të krijuar probleme në rajon”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning, gjatë një konference për shtyp.
Ushtria kineze është shumë e angazhuar në këtë pjesë detare, ndërsa ka militarizuar disa zona sikurse ishujt Spratly dhe Paracel.
Qëllimi i Pekinit zyrtar është që të shtrijë ndikimin dhe të ushtrojë kontroll efektiv mbi rajonin, duke sfiduar praninë ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të saj.