Botë

Kievi përsëri në terr, aktivizohet ushtria ruse në lindje të Ukrainës

Breshëritë e raketave dhe të artilerisë ruse kanë vrarë të paktën katër persona dhe kanë plagosur 10 të tjerë në 24 orët e fundit, shumica e tyre në provincën Donetsk të Ukrainës lindore, ka bërë të ditur Zyra presidenciale e vendit. Forcat ruse po përgatiteshin për një sulm në Bakhut pas një serie pengesash në lindje.

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar për ndërprerje të mëtejshme të energjisë elektrike në dhe përreth qyteteve më të mëdha të vendit, mes sulmeve të vazhdueshme ruse që synojnë infrastrukturën energjetike.

Shërbimi për media i Ukrenergo, operatori i vetëm i linjave të transmetimit të tensionit të lartë të Ukrainës, ka njoftuar në një deklaratë se “ndërprerjet emergjente” prej katër orësh ose më shumë në ditë kishin filluar në rajonin e Kievit.

Guvernatori i rajonit të kryeqytetit, Oleksiy Kuleba, ka thënë në Telegram se banorët mund të prisnin të shihnin ndërprerje “më të forta dhe më ta gjata” të energjisë në krahasim me fillimin e luftës.

Oleg Syniehuboy, kryetar i rajonit të Kharkivit në verilindje të Ukrainës, ka njoftuar në Telegram se ndërprerjet e përditshme të energjisë elektrike për një orë do të fillonin të hënën në të gjithë krahinën, duke përfshirë kryeqytetin rajonal, i cili është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.

Ai ka thënë se masat “janë të nevojshme për ta stabilizuar rrjetin elektrik, sepse armiku vazhdon ta bombardojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Zyrtarët në të gjithë vendin u kanë kërkuar njerëzve që ta kursejnë energjinë duke e reduktuar konsumin e tyre të energjisë elektrike gjatë orëve të pikut dhe duke shmangur përdorimin e pajisjeve të tensionit të lartë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, javën e kaluar ka thënë se 30% e termocentraleve të Ukrainës ishin shkatërruar që kur Rusia nisi valën e parë të sulmeve të synuara në infrastrukturë më 10 tetor.

Breshëritë e raketave dhe të artilerisë ruse kanë vrarë të paktën katër persona dhe kanë plagosur 10 të tjerë në 24 orët e fundit, shumica e tyre në provincën Donetsk të Ukrainës lindore, ka bërë të ditur Zyra presidenciale e vendit. Forcat ruse po përgatiteshin për një sulm në Bakhut pas një serie pengesash në lindje.

Zjarri rus ka goditur disa qytete përtej lumit Dnieper nga centrali bërthamor Zaporizhzhia, i pushtuar nga Rusia, ka deklaruar Zyra presidenciale. Granatimet dëmtuan dhjetëra ndërtesa banimi dhe ndërprenë linjat e energjisë elektrike në Nikopol. Energjia u ndërpre gjithashtu në mijëra familje në qytetet fqinje të Marhanets dhe Chervonohryhorivkas.

Një raketë e mbrojtjes ajrore S-300 e ka shkatërruar një ndërtesë administrative trekatëshe dhe e ka dëmtuar një ndërtesë të re banimi aty pranë, ka bërë të ditur guvernatori rajonal i Mykolaivit, Vitalii Kim. Forcat ruse kanë përdorur shpesh raketa të konvertuara S-300 për t’i goditur objektivat tokësore në Ukrainë.

Sipas kryetarit Pavlo Kyrylenko, teksa forcat ruse i goditën objektivat anembanë Ukrainës me raketa e artileri, Moska e ka shtyrë avancimin e saj tokësor në qytetet Bakhmut dhe Avdiikva, duke e kthyer të gjithë rajonin e Donetskut në “një zonë armiqësish aktive”.

“Civilët që mbetën në rajon jetojnë në frikë të vazhdueshme pa ngrohje dhe energji elektrike”, ka theksuar Kyrylenko në komentet televizive. “Armiku i tyre nuk janë vetëm topat rusë, por edhe i ftohti”.

Avancimi i Rusisë

Një marrje nga Rusia e Bakhmutit, e cila ka mbetur në duart e Ukrainës gjatë gjithë luftës, do t’ia hapte rrugën Kremlinit për të vazhduar drejt bastioneve të tjera kryesore të Ukrainës në Donetsk.

Një ofensive e ringjallur lindore po ashtu mund të pengojë ose t’i prishë përpjekjet e Ukrainës për ta rimarrë qytetin jugor të Khersonit, portë për në Krime, të cilën Rusia e ka aneksuar nga Ukraina në vitin 2014.

Muajin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, po ashtu i ka aneksuar ilegalisht rajonet Donetsk, Khreson, Luhansk dhe Zaporizhzhia. Pjesa më e madhe e luftimeve që nga ajo kohë është shfaqur e orientuar drejt konsolidimit të kontrollit të Moskës mbi territorin që Putini e ka shpallur si të Rusisë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe e ka vënë nën ligjin ushtarak.

Kryetari i Luhanskut, Serhiy Hajdai, ka raportuar se ushtarët rusë ishin tërhequr nga disa zona teksa ushtria e Ukrainës po luftonte për ta marrë tokën. Moska pretendoi pushtimin e plotë të Luhanskut në muajin korrik.

“Rusët praktikisht kanë shkatërruar disa fshatra pasi filluan të tërhiqen”, ka thënë Hajdai. “Ka shumë rusë të sapomobilizuar në rajonin e Luhanskut, mirëpo ata po vdesin në grup”. Pretendimi i tij nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Betejat e shumta ilustruan gjerësinë e vijës së frontit prej 650 kilometrash në të cilën po zhvillohet lufta e Rusisë në Ukrainë, tani në muajin e saj të nëntë.

Thirrja për kursime

Në rajonin e Zaporizhzhia, zyrtarët e emëruar nga Kremlini u kërkuan banorëve që të mos kalonin në orën e kursimit të ditës së bashku me Kievin dhe pjesën tjetër të vendit.

“Koha e vjetër mbetet. Orët nuk kthehen prapa në vitin 2022”, ka theksuar administrata në një postim në kanalin e saj zyrtar Telegram.

Kryetari i bashkisë së Enerhodarit, ku ndodhet termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, i instaluar nga Rusia, u bëri thirrje gjithashtu banorëve që ta injorojnë kalimin e kohës.

“Ne jetojmë në Federatën Ruse dhe qyteti ynë jeton sipas kohës së Moskës”, ka thënë Alexander Volga në një video të postuar në Telegram.

Rusia kaloi në orën e përhershme dimërore në vitin 2014. Masa erdhi pasi sondazhet mbarëkombëtare zbuluan se qytetarët nuk e miratuan kryesisht një vendim të mëparshëm të Qeverisë për t’i vendosur orët në orën e verës gjatë gjithë vitit dhe u përpoqën të përshtateshin me mëngjeset e gjata dhe të errëta.

Ndërkohë, inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike planifikojnë të vizitojnë dy vende ku Rusia ka pretenduar pa cituar prova se Ukraina po ndërtonte “bomba të pista” radioaktive. Drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, ka treguar se inspektorët po dërgohen pas një kërkese me shkrim nga Qeveria ukrainase.

Në fillim të kësaj jave, Rusia pretendoi në një letër drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se ndërtimi filloi me “urdhra të drejtpërdrejtë” të Qeverisë ukrainase. Moska ka bërë vazhdimisht pretendimin e pabazë se Ukraina po përgatitet të shpërthejë një pajisje që përhap mbetje radioaktive në territorin e saj, ndërsa përpiqet ta fajësojë Rusinë.

Zyrtarët perëndimorë e kanë hedhur poshtë këtë pretendim si dezinformatë të krijuar, mbase si një pretekst për Rusinë për ta justifikuar përshkallëzimin e saj ushtarak.

Përktheu: Blerta Haxhiu