Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO, ka njoftuar se këtë të premte do të mbajë një takim virtual të ministrave të Jashtëm të 30 vendeve anëtare, për të vlerësuar situatën e krijuar në Ukrainë dhe bisedimet e ardhshme me Rusinë.
Ky takim i jashtëzakonshëm i anëtarëve të aleancës do të fillojë një javë diplomacie intensive mbi ngritjen ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar homologun e tij rus, Vladimir Putin, se Uashingtoni mund të vendosë sanksione të reja kundër Moskës nëse ajo ndërmerr veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës, raporton Euronews.
Derisa, raportohet se Putin është përgjigjur se një veprim i tillë i SHBA-së mund të çojë në një prishje të plotë të raporteve midis dy vendeve.
Putin dhe Biden kanë folur dy herë gjatë muajit të kaluar, përpara bisedimeve të planifikuara mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë më 9 dhe 10 janar në Gjenevë. Këto bisedime do të pasohen nga një takim ndërmjet Rusisë dhe NATO-s më 12 janar.
Të martën, kryediplomati I Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka arritur në Ukrainë, ku do të qëndrojë deri të enjten për të realizuar një vizitë në vijën e frontit me separatistët pro-rusë, për të shprehur mbështetjen e BE-së për integrimin territorial të atij vendi.