Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se sëmundjet vdekjeprurëse të shkaktuara nga mosfurnizimi me ujë do të përhapen në Gaza nëse ndihma nuk lejohet
(Al Jazeera) – Katër fëmijët e Waseem Mushtahas nuk kanë qenë në shkollë qe gati dy javë. Në vend që të mësojnë matematikë apo gjeografi, ata po mësohen se si ta racionojnë ujin.
“Çdo ditë e mbush nga një shishe ujë për secilin dhe u them: mundohuni ta menaxhoni këtë”, shpjegon për Al Jazeeran, Mushtaha, nga qyteti jugor i Gazës, Khan Younis. “Në fillim, ata e kishin të vështirë, por tani po ia dalin mbanë”.
Pas lëshimit të urdhrit të evakuimit nga Izraeli, për 1.1 milion palestinezët në pjesën veriore të Gazës, Mushtaha i çoi gruan dhe fëmijët e tij të moshës 8 deri në 15 vjeç, në shtëpinë e tezes së tij në qytetin Khan Younis, ku banorët hapën dyert e tyre për familjen dhe miqtë, në mes të bombardimeve të pamëshirshme ajrore të Izraelit.
Si njohës i ujërave, Mushtaha sheh shenjat e një katastrofe të afërt të shëndetit publik përreth tij.
“Njerëzit flenë në rrugë, në dyqane, në xhami, në makinat e tyre ose në rrugë”, tha ai. Familja e tij jeton së bashku me rreth 100 njerëz të tjerë në një apartament prej 200 metrash katrorë dhe e konsiderojnë veten ndër më fatlumët”.
Edhe
"Nëse flemë, ata na kafshojnë" - Brejtësit mbushin kampet e banorëve të zhvendosur të Gazës
Ndërkohë, produkte higjienike nuk ka as në supermarketet që janë të hapura ende e çmimi i ujit është dyfishuar që nga 7 tetori – kur Izraeli filloi bombardimin e Gazës në hakmarrje për sulmin e papritur të kryer nga Hamasi. Uji më parë kushtonte 30 sikla (7.40 dollarë), por tani kushton 60 sikla (15 dollarë).
Të mërkurën, Mushtaha kuptoi se familja e tij ka ujë vetëm edhe për 24 orë. Pas kësaj, ai nuk e dinte se çfarë do të ndodhte. “Ne do të shkojmë në treg dhe do të blejmë çdo gjë që është në dispozicion”, shpjegoi ai.
Kolapsimi i shërbimeve të ujit
Organizata joqeveritare “Oxfam” dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se kolapsimi i shërbimeve të ujit të pijshëm dhe ujërave të ndotura do të shkaktojë shpërthimin e kolerës dhe sëmundjeve të tjera vdekjeprurëse infektive nëse nuk jepet ndihma urgjente humanitare.
Izraeli ndërpreu furnizimin e ujit për në Gazë, së bashku me furnizimin me karburant dhe energji elektrike, pasi njoftimit për bllokadën totale të enklavës palestineze, pas sulmit të Hamasit.
Shumica e 65 stacioneve të pompimit të ujërave të zeza të Gazës dhe të pesë objektet e saj të trajtimit të ujërave të zeza, janë detyruar të ndalojnë së funksionuari. Sipas “Oxfam-it”, ujërat e zeza të patrajtuara po shkarkohen në det, ndërsa mbetjet e ngurta po përfundojnë në rrugë, së bashku me trupat që po presin të varrosen.
Impiantet e shkripëzimit kanë ndërprerë punën dhe bashkitë nuk janë në gjendje të pompojnë ujin në zonat e banuara për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Disa njerëz në Gazë po gjejnë mbështetje në ujin e kripur të çezmës nga akuiferi i vetëm i enklavës, i cili është i ndotur nga ujërat e zeza dhe uji i detit. Të tjerët po detyrohen të pinë nga puset e fermave.
“Në rrugë pa mbrojtje”
OKB-ja ka bërë të ditur se aktualisht në Gazë ka vetëm tre litra ujë në ditë për person, për të mbuluar të gjitha nevojat e tyre, duke përfshirë pirjen, larjen, gatimin dhe nevojat e tjera. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 50-100 litra ujë çdo ditë është sasia e rekomanduar për një person për të përmbushur kërkesat e tij themelore shëndetësore.
Një punonjëse e organizatës bamirëse “Islamic Relief”, e cila gjithashtu gjeti strehë në Khan Younis, përshkroi një situatë të ngjashme.
“Në shtëpinë e prindërve të mi janë strehuar rreth 20 fëmijë dhe shtatë të rritur. Edhe pse me kaq shumë njerëz, ne e lëshojmë ujin e tualetit vetëm dy herë në ditë – një herë në mëngjes, një herë në mbrëmje – për të kursyer ujin”, tha ajo, duke kërkuar anonimitetin.
“Ne gatuajmë ushqime që kërkojnë më pak ujë. Ne lahemi për namaz vetëm një ose dy herë”, shtoi ajo. “Ne kemi një fqinj që ka pus, por ai nuk ka energji elektrike për të pompuar ujin. Ata kanë gjenerator, por jo karburant”.
Për ata që nuk kanë strehë, kushtet janë më të vështirat.
“Ka familje me fëmijë dhe foshnja të porsalindura që jetojnë pa çati mbi kokë”, tha ajo. “Ata thjesht ulen në rrugë pa mbrojtje, pa ujë, pa ushqim. Ata nuk kanë asnjë siguri”.
“Ne jemi gati të shkojmë”
Edhe
“Vuajtje e heshtur”: Pse fëmijët në Gazë po e humbasin aftësinë për të folur
Frika po rritet se dehidratimi dhe sëmundjet e shkaktuara nga uji do të çojnë në një katastrofë humanitare mes sulmeve ajrore izraelite që kanë lënë të vrarë 4.137 palestinezë.
Organizatat humanitare kanë bërë vazhdimisht thirrje që ndihma e grumbulluar në vendkalimin Rafah, rruga e vetme për ndihmat për të hyrë në Rripin e Gazës, në të vetmin kufi që ndan me Egjiptin, duhet të kalojë.
Pas një vizite në Izrael të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, bëri të ditur se ishte arritur një marrëveshje me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të lejuar dërgimin e ndihmës në ditët në vijim. Izraeli ka këmbëngulur që të gjithë kamionët duhet të kontrollohen dhe se asnjë ndihmë nuk duhet të arrijë tek luftëtarët e Hamasit. Bideni ka thënë gjithashtu se Egjipti kishte rënë dakord të lejonte një kolonë fillestare prej 20 kamionësh me ndihma përmes pikës kufitare Rafah në Gazë.
Dy herë javën e kaluar qarkulluan zëra për një marrëveshje, duke sugjeruar një hapje të afërt të kalimit, por që nuk ndodhi.
Mathew Truscott, shefi i Politikave Humanitare në “Oxfam”, ka thënë se ndjente zhgënjim nga ideja se sëmundjet mund të përhapeshin derisa uji dhe ilaçet janë të grumbulluara vetëm disa kilometra përtej kufirit.
“Kolera është vetëm një nga shumë sëmundjet që transmetohen nga uji, që mund të përhapet – nëse mund të marrim ndihmë, shumë nga këto mund të parandalohen”, ka thënë ai.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje të mërkurën për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gazë për të lehtësuar “vuajtjet njerëzore”. Në të njëjtën ditë, SHBA-ja vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbështetur nga shumica e anëtarëve të tjerë, ku kërkohej që për shkaqe humanitare, të pauzoheshin bombardimet e Izraelit ndaj Gazës.
Derisa lufta vazhdon, ekziston frika se do të ketë më shumë incidente si shpërthimi i Spitalit Arab al-Ahli të martën.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për sulmet ndaj kujdesit shëndetësor”, tha për Al Jazeeran, Richard Brennan, drejtor rajonal i urgjencës në OBSH.
Katër nga 34 spitale nuk janë më funksionale, sipas agjencisë shëndetësore të OKB-së, pasi të tjerat janë të stërmbushura me pacientë të plagosur dhe familje që kanë nevojë për strehim.
“Kushtet janë të pjekura për përhapjen e një numri sëmundjesh të stomakut dhe të lëkurës”, tha Brennan, me efekte që do të ndihen në rajon.
Në vitin 2022, kolera u përhap në të gjithë Sirinë dhe Libanin, duke lënë të vdekur të paktën 97 njerëz. Ndërsa asnjë epidemi nuk është regjistruar në territoret palestineze në dekada, “është e imagjinueshme që kushtet tani janë pjekur për përhapjen e saj”, tha Brennan.
Për çdo përpjekje për të ndodhur e kundërta, “marrja e ndihmës është jetike”, shtoi përfaqësuesi i OBSH-së. “Topi është në fushën e liderëve politikë, të cilët duhet të ngrenë si prioritet nevojat humanitare. Ne jemi gati të shkojmë, por duhet të na jepet një kalim i papenguar, i sigurt dhe i mbrojtur për të ndihmuar njerëzit në nevojë”.
Informata shtesë mbi ndihmat humanitare
Edhe
Palestinezët e Gazës s’gjejnë paqe, sërish në ankth për rezerva ushqimore
20 kamionë me ndihma humanitare nga gjithsej 175 të ngecur në anën egjiptiane në pikëkalimin Rafah, janë futur në Gazë nga Egjipti, të shtunën. Izraeli ka lejuar ujin, ushqimin dhe ilaçet, por jo edhe karburantin të dërgohet në Gazë. Juliette Touma, nga Agjencia për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë, ka thënë se civilët në Gazë kanë nevojë për ndihma të vazhdueshme humanitare.
Përktheu: Forca Jashari