Sëmundjet që vijnë nga kontaminimi i ujit, po rriten. Numri i palestinezëve në Gaza që vuajnë nga dizenteria u shumëfishua 25 herë midis mesit të tetorit dhe dhjetorit, me më shumë se 100 mijë raste të regjistruara, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Fëmijët përbëjnë gjysmën e rasteve, pasi të vegjlit janë më të ndjeshëm ndaj një sëmundjeje që shkakton dehidrim ekstrem dhe, me shumë gjasë, vdekje.
Izraeli konfirmoi këtë javë se trupat e tij po pompojnë ujin e detit në një rrjet tunelesh në Gaza, një metodë që ambientalistët thonë se mund të jetë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të shkaktojë pasoja të tmerrshme dhe afatgjata në enklavën e rrethuar palestineze.
Raportimet e mediave kanë spekuluar për javë të tëra se pompimi ishte duke u zhvilluar, megjithëse zyrtarët izraelitë dhe amerikanë, përfshirë presidentin Joe Biden, nuk i konfirmuan ato kur u pyetën.
Por, ushtria izraelite ka njoftuar se po përdor “metoda të reja” në luftën e saj në Gaza dhe në labirintin e tuneleve të Hamasit, “duke përfshirë kanalizimin e vëllimeve të mëdha të ujit në to”.
“Ky është një mjet i rëndësishëm për të luftuar kërcënimin e infrastrukturës terroriste nëntokësore të Hamasit”, thuhet në deklaratë.
Konfirmimi erdhi gati katër muaj pas bombardimeve të vazhdueshme në Rripin e Gazës që ka vrarë afro 27 mijë njerëz. Autoritetet izraelite kanë synuar prej kohësh të shkatërrojnë infrastrukturën e Hamasit dhe kanë argumentuar se në ato tunele ka municion dhe pengje të marra nga Hamasi më 7 tetor brenda territorit izraelit.
Edhe
Sëmundjet përhapen në Gaza pasi ujërat e zeza kontaminojnë kampet dhe bregdetin
Por plani për të pompuar ujin e detit në tunele ngre pyetje në lidhje me planet e Izraelit për t’i shpëtuar pengjet dhe mund të shtojë shkatërrimin afatgjatë të Gazës, duke përfshirë furnizimin me ujë të enklavës.
Përmbytja e tuneleve
Raportet e mediave nga fillimi i dhjetorit thanë se forcat izraelite po planifikonin të përmbytnin tunele me ujë deti në Gaza duke përdorur rreth pesë deri në shtatë pompa të mëdha uji.
Sipas The Wall Street Journal, ushtria izraelite instaloi pompat në veri të kampit të refugjatëve Shati, vendbanim në plazh që strehonte palestinezë të zhvendosur më parë të vendosur në Gazën Veriore. Makineritë, thuhet në raport, mund të pompojnë mijëra metra kub ujë deti.
Nga mesi i dhjetorit, WSJ, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, raportoi përsëri se pompimi kishte filluar. Një tjetër botim i medias me bazë në SHBA, ABC News, raportoi se shkalla e përmbytjeve fillestare ishte e kufizuar, pasi ushtria izraelite vlerësoi se sa efektive ishte metoda.
Hamasi, i cili pretendon se tunelet e tij shtrihen për rreth 300-500 kilometra, ka përdorur kalimin nëntokësor për të thyer rrethimin izraelit në Gaza. Palestinezët përdorin rrjetin e tuneleve për të kontrabanduar ushqime, mallra, ilaçe dhe madje edhe armë. Territori palestinez ka qenë nën bllokadë ajrore, tokësore dhe detare izraelite që nga viti 2007 dhe Tel Avivi vendos se çfarë hyn dhe del nga brezi i ngushtë që është 10 kilometra i gjerë dhe 41 kilometra i gjatë.
Pompimi mund të marrë javë dhe mijëra metra kub ujë për të mbushur dhe shkatërruar plotësisht një rrjet të tillë.
Ndikimi tek uji i pijshëm
Ekspertët paralajmërojnë se përmbytja e tuneleve mund të dëmtojë akuiferin që mban ujërat nëntokësore të Gazës, nga të cilat varen kryesisht 2.3 milionë banorët e Rripit.
Mark Zeitoun, profesor në Institutin e Diplomuar të Gjenevës, ka thënë për Al Jazeeran se pompimi i ujit të detit në qindra kilometra tunele të ngulitura në tokën ranore dhe poroze të Gazës, ka shumë të ngjarë të shohë ujin e kripur të depërtojë në burimet e ujit, duke kontaminuar ujin që zakonisht përdoret për të pirë, për të gatuar dhe për ujitje.
Zeitoun, i cili dikur punonte si inxhinier uji në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, ka theksuar se Izraeli po “e kthen në armë” ujin në një mënyrë “të ligë”. Inxhinieri është në mesin e shumë atyre që kanë paralajmëruar që nga dhjetori se mund të ketë pasoja “katastrofale”, nëse planet e ushtrisë izraelite konfirmohen.
“Reagimi im i parë ishte shqetësim i thellë”, ka theksuar Zeitoun, duke iu referuar deklaratës së ushtrisë izraelite. “Injektimi i ujit të kripur patjetër do të kontaminojë akuiferin dhe kjo do të ketë pasoja afatgjata”, tha ai.
“Do të shkatërronte kushtet e jetës në Gaza. Nëse ne nuk reagojmë ndaj kësaj lloj sjelljeje, çfarë do të ndalojë ndonjë vend tjetër që ta bëjë këtë me një grup tjetër njerëzish në të ardhmen?”.
Edhe
Izraeli paralajmëron zgjatje të pushtimit shkaku i tuneleve të Hamasit

Rreziqet
Infrastruktura ujore në Gaza dhe Bregu Perëndimor ka qenë prej kohësh e brishtë. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, urdhëroi një “bllokadë totale” të Gazës, duke përfshirë ndalimin e ushqimit dhe ujit më 9 tetor si pjesë e ofensivës ushtarake.
Për dekada, Izraeli ka kontrolluar furnizimin me ujë në territoret e pushtuara, duke e ndërprerë ose lëshuar atë sipas dëshirës. Palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar nuk lejohen të ndërtojnë puse të reja uji ose ndonjë instalim uji pa marrë një licencë nga autoritetet izraelite – gjë që shpesh është e vështirë të bëhet. Edhe grumbullimi i ujërave të shiut monitorohet në Bregun Perëndimor. Për më tepër, ushtarët dhe kolonët izraelitë sulmojnë infrastrukturën që furnizon me ujë palestinezët.
I rrethuar nga një mur izraelit në lindje dhe nga deti në perëndim të tij, marrja e ujit të përdorshëm për pije, gatim dhe higjienë në Rripin e Gazës ka qenë gjithmonë edhe më e ndërlikuar. Banorët atje mbështeten në një kombinim të tre impianteve të shkripëzimit të ujit të detit, tre tubacionesh që rrjedhin drejtpërdrejt nga Izraeli, dhe një mori pusesh që nxjerrin ujin e patrajtuar nga toka dhe shishe uji të importuara nga Egjipti. Në një mjedis të paraluftës, ato burime mezi ishin të mjaftueshme për rajonin me popullsi të dendur.
Problemeve u shtohet edhe ndotja e ujërave të zeza. Autoritetet e Gazës zakonisht përdorin rreth katër impiante për trajtimin e ujërave të zeza për të parandaluar përzierjen e ujërave nëntokësore me kanalizimet. Edhe atëherë, një raport i Amnesty International në vitin 2017 e shpalli akuiferin të mbishfrytëzuar dhe tha se 95 për qind e furnizimit me ujë në vend ishte i ndotur nga ujërat e zeza.
Megjithatë, që nga 7 tetori, ujërat e zeza janë bërë të pakontrollueshme, duke u derdhur në rrugë. Mungesa e ujit gjithashtu është përkeqësuar. Të paktën dy nga impiantet e shkripëzimit janë mbyllur, shkaku i dëmtimeve nga bombardimet izraelite. Izraeli gjithashtu ka ndërprerë një pjesë të ujit nga tubat e tij dhe shumë nga puset nuk funksionojnë më për shkak të mungesës së karburantit dhe energjisë elektrike për të pompuar.
Gaza, një nga rajonet më të cenueshme nga klima, në një botë të ndotur dhe me ngrohje, është ekspozuar ndaj edhe më shumë toksinave, ka sqaruar Amali Tower, drejtoresha e organizatës jofitimprurëse të klimës.
“Dhjetëra mijëra trupa të pagjetur po dekompozohen nën rrënoja”, tha Tower. “Mijëra eksplozivë nga luftërat aktuale dhe ato të mëparshme kanë ndotur ajrin dhe tokën, duke përfshirë fosforin e bardhë shumë ndezës, duke lënë një shtresë tjetër toksike kemikalesh në ajrin dhe tokën e Gazës”.
Sigurimi i ujit të pijshëm
Megjithëse uji është përdorur si mjet në shumë konflikte, duke përfshirë luftën Rusi - Ukrainë, rasti në Gaza është një përjashtim, tha Zeitoun, dhe shkel ligje të shumta ndërkombëtare, duke përfshirë ndoshta edhe Konventën e OKB-së për gjenocidin.
Vetëm javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke vendosur në padinë për gjenocid që kishte ngritur Afrika e Jugut kundër Izraelit, urdhëroi Izraelin të merrte të gjitha masat për t’i parandaluar aktet gjenocidale – por ka pasur pak ose aspak ndryshime në taktikat e ushtrisë izraelite në Gaza.
Ndërkohë, gati dy milionë palestinezë në Gaza po detyrohen të pinë ujë të njelmët dhe të patrajtuar.
Edhe
Kërcënimi tjetër i madh i Gazës
Edhe sëmundjet që vijnë nga uji, po rriten. Numri i palestinezëve në Gaza që vuajnë nga dizenteria u shumëfishua 25 herë nga mesi i tetorit deri tek ai i dhjetorit, me më shumë se 100 mijë raste të regjistruara, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Fëmijët përbëjnë gjysmën e rasteve pasi të vegjlit janë më të ndjeshëm ndaj një sëmundjeje që shkakton dehidrim ekstrem dhe, me shumë gjasë, vdekje.
Përktheu: Blerta Haxhiu