Qeveria izraelite ka deklaruar se pushtimi tokësor i Gazës mund të zgjasë dhe do të jetë i vështirë për shkak të rrjetit të madh të tuneleve që përdoret nga grupi i Hamasit. Ndërkaq ka vazhduar fushata ajrore ndaj Gazës teksa deri më tani raportohet për më shumë se 7 mijë të vrarë palestinezë
Qeveria e Izraelit ka paralajmëruar për nisjen e pushtimit të Gazës, por ka deklaruar se pushtimi do të jetë i gjatë dhe i vështirë, sepse synon të shkatërrojë rrjetin e madh të tuneleve që përdoren nga militantët e Hamasit në Gaza.
Të premten ushtria izraelite ka kryer bastisjen e dytë në Gaza, me qëllim që t’i hapë rrugë pushtimit tokësor të territorit palestinez.
Qeveria izraelite ka deklaruar se në pushtim do të përfshihen forca të mëdha të përkrahura nga bombardimet ajrore. Nuk ka shumë detaje të tuneleve të Hamasit, mirëpo në raportimet e mëparshme është thënë se grupi ka rrjetin e tuneleve në gjatësi prej 500 kilometrave.
Izraelitët kanë deklaruar se pastaj do të pasojë faza e tretë e luftimeve me intensitet të ulët për shkak se do të shkatërrohet e gjithë rezistenca e Hamasit.
Numri i të vrarëve në Gaza ka arritur në 7 mijë e 300 teksa Izraeli po vazhdon fushatën e egër ajrore në kundërpërgjigje të sulmit të Hamasit ndaj territorit izraelit.
Edhe
Izraelitët të ndarë shënojnë dyvjetorin e nisjes së luftës në Gazë
Më shumë se 3 mijë të mitur dhe 1 mijë e 500 gra janë vrarë në Gaza nga bombardimet izraelite. Pushtimi tokësor pritet të ngrejë numrin e të vrarëve në Gaza.
Ndërkaq agjencitë e OKB-së për ndihma kanë nisur të reduktojnë operacionet e tyre në Rripin e Gazës, për shkak se po përballen me mungesë të madhe të karburanteve.
Sasi e vogël e rezervave të karburanteve është duke u përdorur për të vazhduar furnizimin me ujë në pjesën jugore të Gazës, ku po qëndrojnë mijëra palestinezë.
“Nuk ka ujë. Njerëzit nuk kanë ujë, ushqim dhe pije. Nuk kemi as para. Paratë na janë harxhuar. Kemi humbur gjithçka. Shtëpia më është shkatërruar dhe nuk na ka mbetur asgjë, ka thënë Amjid Soker, i zhvendosur nga Gaza.
“Njerëzit në Gaza po vriten. 20 persona po flinin në këtë shtëpi. Nuk pritej bombardimi. Nuk kishte as paralajmërim ose diçka para sulmit. 10 prej tyre po flinin në një dhomë. Nuk jemi të përfshirë në luftime”, ka thënë e mbijetuara e bombardimit të së premtes nga ushtria izraelite.
Edhe
Tanket izraelite hyjnë më thellë në Gazë, shumë të plagosur mbesin të bllokuar
Agjencitë kanë reduktuar përkrahjen edhe për spitalet dhe furrat që po ndihmonin të zhvendosurit. OKB-ja ka vlerësuar se më shumë se 2 milionë palestinezë janë të bllokuar dhe se nuk ka fare ndihma nga jashtë.
Izraeli ka nisur fushatën ajrore në Gaza, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Gjithashtu ka ndaluar edhe transportin e ushqimit për Gazën.
Ndërkohë, grupi militant Hamas, nëpërmjet një zyrtari, ka bërë të ditur se nuk do t’i lirojë pengjet izraelite, derisa të arrihet një armëpushim.
Sipas deklaratës që zyrtari i Hamasit, Abu Hamid, i ka dhënë gazetës ruse “Kommersant”, grupit i duhet kohë për t’i gjetur pengjet e dërguara në Gaza nga fraksione të ndryshme palestineze, më 7 tetor, ditën kur Hamasi sulmoi Izraelin.
Edhe
Izraeli nis ofensivën tokësore në Qytetin e Gazës
Hamid, që thuhet se është anëtar i një delegacioni të Hamasit që shkoi në Moskë të enjten, ka theksuar se grupi, qysh në ditët e para pas nisjes së konfliktit, ka njoftuar se ka për synim t’i lirojë të burgosurit civilë.
Sipas tij, 50 prej pengjeve janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza.