Botë

Kërcënim i ri për Ukrainën, trupat ruse transferohen në aeroportin bjellorus

Një numër i konsiderueshëm i ushtrisë dhe pajisjeve ruse ka mbërritur në Aeroportin e Bjellorusisë “Zyabrokva”, që ndodhet 30 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Siç raportoi BBC-ja të enjten, janë publikuar edhe imazhe satelitore të trupave ruse që lëvizën drejt aeroportit bjellorus, derisa u tha se së fundmi përforcimet janë shtuar.

“Pajisjet ushtarake ruse dhe fuqia punëtore mbërritën në Zyabrovka (rrethi Gomel) një javë e gjysmë më parë. Rusët janë atje që nga pranvera, por në numër të kufizuar. Qasja në Zyabrovka është ende e mbyllur. Trupat ruse po qëndrojnë ashtu siç ishin, por tani ka më shumë pajisje dhe njerëz”, tha një burim.

Që nga 16 tetori, pranë aeroportit po ndërtohen argjinatura me rërë në pjesën veriore. Në aeroport, siç tha burimi i huaj për BBC-në, janë instaluar njësite ushtarake të regjimentit të raketave antiajrore, që kryen detyrën e mbrojtjes së uzinës bërthamore Ostravets.

Ukraina iu bëri thirrje trupave ruse të largohen nga aeroporti bjellorus.

“As në Krimenë e pushtuar e as në Bjellorusi nuk do të jeni në gjendje të ndiheni të sigurt. Karma do t’ju gjejë kudo”, deklaroi Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky.

Më 11 gusht, në aeroportin Zyabrovka pati shpërthime masive, gjersa Ministria bjelloruse e Mbrojtjes tha se ishin përfshirë nga flakët disa pajisje motorike.

Sipas përfaqësuesit të Shtabit të Përgjithshëm, trupat ruse po vazhdojnë në mënyrë aktive vendosjen e tyre në fushat ajrore të Bjellorusisë.

Javë më parë, Rusia e Bjellorusia u dakorduan për një grup të përbashkët ushtarak në territorin bjellorus. Qëllimi i grupit, sipas presidentit të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, është mbrojtës, dhe se nuk synohet që të përfshihet në luftë ndaj Ukrainës.