Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kerala po mbetet në duar të pleqve

Në Indi, njerëzit mbi 60 vjeç marrin pension shtetëror prej afërsisht 1.600 rupi (20 dollarësh) në muaj, zakonisht jo të mjaftueshme për nevojat themelore. Ikja e të rinjve larg shtetit nënkupton më pak njerëz për t'u kujdesur për të afërmit e tyre më të vjetër. Popullsia në plakje, e kombinuar me migrimin e brezave të rinj, do të thotë se do të ketë 35 njerëz mbi 60 vjeç në shtet për çdo 100 njerëz në moshë pune deri në vitin 2030

Kochi, Indi (AP) - Kur 82-vjeçarja Vasanthi Baby filloi të haste në probleme shëndetësore ndërsa po zbriste shkallët në shtëpinë e saj në shtetin Kerala të Indisë jugore, ajo vendosi, së bashku me bashkëshortin e saj 84-vjeçar V. Baby, të transferoheshin në një qendër jetese të asistuar.

Çifti janë dy nga një numër në rritje i njerëzve në shtetin e vetëm të moshuar të Indisë që po zhvendosen në objekte të specializuara. Ata janë të kënaqur me kujdesin që marrin: qasje gjatë gjithë orarit me infermierët, shoqëria qetësuese e gjeneratës së tyre dhe vakte të shëndetshme e të rregullta.

"Ka një ndjenjë sigurie që mund të arrijmë vetëm këtu", tha V. Baby. "Ne nuk mund ta kemi këtë në shtëpi".

Ashtu si miliona të tjerë në rajon, Baby, një profesor matematike në pension, shpenzoi kursimet e jetës së tij duke ndërtuar një shtëpi dykatëshe me shumë dhoma gjumi. Ishte menduar të zgjaste me breza: djali i tyre Sony duhej të kishte dhe të rriste familjen e tij këtu, por ai emigroi në Emiratet e Bashkuara Arabe për punë dhe një cilësi më të mirë jetese.

Rritje pasigurie

Në 60 vjetët e fundit, përqindja e njerëzve të moshës 60 vjeç e lart në Kerala është rritur nga 5.1% në 16.5% - përqindja më e lartë në çdo shtet indian. Kjo e bën Keralan një vend të jashtëm në një shtet me popullsi në rritje, që së shpejti do të bëhet më i populluari në botë me 1.4 miliardë banorë. India ka një fuqi punëtore në rritje dhe popullatë të re, por barrierat gjuhësore, kërcënimet klimatike, dispozitat minimale federale dhe dëshira në rritje mes të rinjve si Sony për të jetuar diku tjetër i vendosin të moshuarit e shtetit në një pozitë të pasigurt.

Popullsia e vendit është më shumë se katërfishuar që nga pavarësia e tij nga sundimi kolonial 75 vjet më parë. Por demokracia më e madhe në botë ndahet, në shumë mënyra, në dy vende: një vend që është urban dhe rural, modern dhe para-industrial, i pasur dhe i varfër. Për të moshuarit, vendi ku ata do të jetojnë përcakton se si do t’i kalojnë vitet e pleqërisë.

Vetëm 20 kilometra larg nga qendra e jetesës së asistuar, në lagjen Mattancherry të kryeqytetit financiar të Keralas, Kochi, 65-vjeçarja Zainaba Ali, jeton në një dhomë të vogël me çati asbesti në një cep të shtëpisë së vajzës së saj.

Ali e kaloi pjesën më të madhe të rinisë së saj duke punuar në vendet përreth Lindjes së Mesme si pastruese, por ka pak kursime. Pas zhvillimit të artritit dhe një sërë problemesh të tjera shëndetësore që e bënë të paaftë për të punuar, ajo u kthye në Indi.

“Unë marr një pension të vogël nga qeveria, por është ndalur prej disa muajsh. Unë mbijetoj me vullnetin e mirë të fëmijëve të mi”, tha Ali. Vajza e saj nuk punon dhe djali i saj është punëtor me rrogë ditore. “Edhe blerja e ilaçeve është bërë e vështirë tani”.

Image

Vera, sfidë më vete

Në Indi, njerëzit mbi 60 vjeç marrin pension shtetëror prej afërsisht 1.600 rupi (20 dollarë) në muaj, zakonisht jo të mjaftueshme për nevojat themelore. Do të thotë që shumë të moshuar mbështeten te fëmijët e tyre nëse nuk janë më në gjendje të punojnë dhe nuk kanë mjaftueshëm kursime. Në Kerala, ku ka mbi 4.2 milionë të moshuar, kjo mund të jetë e vështirë për financat e familjeve.

Përmbytjet dhe valët e të nxehtit, të dyja të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, shtojnë cenueshmërinë e të moshuarve të Keralas, tha Anjal Prakash, një drejtor kërkimi në Shkollën Indiane të Biznesit.

Kochi veçanërisht ka mbajtur peshën kryesore të dëmeve. Një përmbytje katastrofike në vitin 2018 fundosi pjesë të mëdha të qytetit. Muajt e verës po bëhen më të nxehtë dhe më të gjatë dhe shirat po bëhen më të çrregullt dhe të përqendruar.

"Gjatë monsuneve ne duhet të mbajmë çadra të hapura brenda shtëpisë", tha Ali, duke treguar kovat në cepa të ndryshme të shtëpisë. “Vera është bërë absolutisht e padurueshme. Për shkak të diellit përvëlues, ne shpesh shkojmë në breg të detit për të kërkuar pak hije. Këtu brenda as kondicioneri nuk funksionon siç duhet”.

Prakash tha se masat specifike për t'u kujdesur për të moshuarit që kanë nevojat dhe dobësitë e tyre janë një "pikë e errët" në politikën klimatike.

“Të kuptuarit e nevojave specifike të të moshuarve është hapi i parë në mbrojtjen e tyre. … Njerëzit nuk janë të trajnuar për të shpëtuar të moshuarit dhe fëmijët”, tha ai.

Ikja e të rinjve

Ikja e të rinjve larg shtetit nënkupton më pak njerëz për t'u kujdesur për të afërmit e tyre më të vjetër.

Poonam Muttreja, drejtoresha ekzekutive e Fondacionit të Popullsisë së Indisë me bazë në Nju Delhi, vuri në dukje një rrjedhë të qëndrueshme të migrimit të jashtëm nga Kerala për të paktën 50 vjet. Në vitet 1960 dhe 1970, "kishte një migrim të madh në Lindjen e Mesme, Afrikën Lindore". “Shumë shkuan në vende të tjera si mësues ose infermierë shkollash, një trend që ka vazhduar në kohët e fundit, tani edhe në Evropë dhe Amerikën e Veriut”, tha ajo.

Popullsia në plakje, e kombinuar me migrimin e brezave të rinj, do të thotë se do të ketë 35 njerëz mbi 60 vjeç në shtet për çdo 100 njerëz në moshë pune deri në vitin 2030, sipas qeverisë së Keralas. Do të thotë se do të nevojiten më shumë ambiente të specializuara të kujdesit, me numër të mjaftueshëm punëtorësh.

"Marrja e punonjësve të kualifikuar është një sfidë e madhe sot dhe të sjellësh njerëz nga shtetet e tjera nuk funksionon gjithmonë për shkak të pengesave gjuhësore", tha Alex Joseph, administrues i besuar i Signature Homes, qendra e jetesës së asistuar ku banon çifti Baby. Joseph shtoi se marrja e stafit nga brenda Keralas është gjithashtu e vështirë pasi shumica e tyre aspirojnë të migrojnë jashtë vendit për punë.

“Kerala ndoshta dërgon më shumë infermierë në pjesën tjetër të botës se çdo rajon tjetër i vetëm në Indi apo gjetkë. Për t'i bërë ata të qëndrojnë këtu dhe të punojnë këtu për periudha të gjata është jashtëzakonisht e vështirë", tha ai.

Demografia unike e shtetit në Indi është për shkak të rënies së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë si rezultat i politikave mbarëkombëtare. Që kur u formua shteti në vitin 1956, Kerala i dha përparësi mirëqenies sociale dhe investoi shumë në shëndetin dhe arsimin publik.

U shpagua: shkalla e shkrim-leximit në Kerala është 93% krahasuar me 75% të Indisë. Është gjithashtu i vetmi shtet në Indi që ka një shkallë të vdekshmërisë amtare që është më pak se një për çdo 100 mijë lindje të gjalla.

Në pjesë të tjera të Indisë, veçanërisht në rajonet më të varfra në veri, shtetet kanë një popullsi më të madhe, nivele më të larta korrupsioni dhe faktorë të tjerë që i bëjnë ata të mbeten prapa në shëndetësi dhe arsim, tha Muttreja.

Por ashtu si Kerala, "shtetet indiane jugore kanë norma më të ulëta të lindshmërisë sepse ata investuan në arsimim, infrastrukturë shëndetësore dhe planifikim familjar", tha Muttreja. Ajo vlerësoi se shtetet si Tamil Naduja jugore mund të shohin gjithashtu tendenca të ngjashme me Keralan në afat të gjatë dhe të mesëm kohor.

Edhe pse ky është një lajm i mirë për shumicën e të rinjve që punojnë, mund të jetë i vështirë për brezat e vjetër.

Pavarësisht gjendjes së tij të mirë, Baby thotë se i mungon djali i tij, por pranon se ka jetë më të mirë diku tjetër.

"Unë nuk mund t'i kërkoj atij të qëndrojë këtu", tha ai.

Përktheu: Forca Jashari

Image
Artikuj të ngjashëm