Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Mbi të gjitha, ka liri”: Gjithnjë e më shumë gra aziatike po i japin fund martesës pas të 50-ave

“Mbi të gjitha, ka liri”: Gjithnjë e më shumë gra aziatike po i japin fund martesës pas të 50-ave

Numri i divorceve mes çifteve mbi moshën 50 vjeç po rritet në shumë vende të Azisë, ndërsa gjithnjë e më shumë gra po zgjedhin të largohen nga martesa pas dekadash sakrificash. Ndryshimet ligjore, pavarësia ekonomike dhe një qasje e re ndaj jetës në moshë të vonë po i inkurajojnë ato ta shohin divorcin jo si një dështim, por si mundësinë për të nisur një kapitull të ri të jetës.

Eiko Toyama kishte pritur 32 vjet për t’u ndarë nga bashkëshorti i saj.

Gjatë gjithë martesës, ajo tregon se mbante mbi supe pothuajse çdo përgjegjësi: kujdesej për shtëpinë, rriste fëmijët dhe, njëkohësisht, kontribuonte financiarisht për familjen në Japoni. Sipas saj, bashkëshorti përpiqej të kontrollonte çdo aspekt të jetës së saj - nga marrëdhëniet shoqërore deri te ambiciet profesionale - duke e bërë të ndihej e bllokuar dhe e pakënaqur. Megjithatë, ajo vendosi të qëndronte në martesë për hir të dy djemve të saj.

Gjithçka ndryshoi kur mbushi 60 vjeç. Djemtë tashmë ishin të rritur dhe nuk kishin më nevojë për kujdesin e saj, ndërsa bashkëshorti ishte ende në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishte nevojë për përkujdesje. Për Toyamën, kjo ishte një mundësi e rrallë për të nisur një jetë të re, dhe ajo vendosi ta shfrytëzonte.

“Pas divorcit isha vetëm e lumtur. Nuk ndieja asgjë tjetër”, rrëfen ajo. “Isha aq e lumtur, sa më dukej sikur doja të vrapoja kudo”.

Historia e saj nuk është një rast i izoluar. Në mbarë botën po shtohet numri i të ashtuquajturave “divorce gri”, pra ndarje mes çifteve të moshës 50 vjeç e më tepër. Ky fenomen është vërejtur në vende si Shtetet e Bashkuara, por ai merr një rëndësi të veçantë në Azi, ku jetëgjatësia është më e lartë dhe popullsia po plaket me ritme të shpejta.

Edhe Lindsay Lohan në prag të 40-vjetorit: Të 30-at janë periudha kur gjithçka fillon të marrë kuptim Showbiz Lindsay Lohan në prag të 40-vjetorit: Të 30-at janë periudha kur gjithçka fillon të marrë kuptim

Vende si Koreja e Jugut, Japonia, Hong Kongu, Tajvani dhe Kina përballen me sfida demografike për shkak të rënies së lindshmërisë dhe rritjes së numrit të të moshuarve.

Rritja e numrit të divorceve në moshë të vonë lidhet shpesh me gratë, të cilat për dekada me radhë janë përballur me norma të rrepta gjinore, si edhe me pengesa ligjore, ekonomike dhe shoqërore që e bënin divorcin të vështirë. Sot kjo situatë po ndryshon. Në Japoni, për shembull, në mesin e çifteve që i japin fund martesës pas shumë vjetësh, në vitin 2024 gratë paraqitën kërkesë për divorc dy herë më shumë se burrat.

Ekspertët besojnë se kjo prirje mund të ndryshojë mënyrën se si do të duket popullsia e moshuar në Azi gjatë viteve të ardhshme. Mund të ketë më shumë njerëz që jetojnë vetëm dhe që do të kenë nevojë për mbështetje sociale, por njëkohësisht edhe më shumë të moshuar që ndihen të lirë dhe të fuqizuar për të ndërtuar jetën sipas zgjedhjeve të tyre.

Për gra si Toyama, të rritura gjatë viteve ‘60 dhe ‘70, divorci ishte diçka e rrallë dhe shpesh shoqërohej me paragjykim e turp.

“Nëse ishe grua, divorci konsiderohej pothuajse si fundi i jetës”, thotë Sangyoub Park, profesor i asociuar i sociologjisë në Universitetin Washburn në Kansas dhe autor i një studimi të vitit 2023 mbi divorcet në moshë të vonë në Korenë e Jugut.

Sipas tij, kjo filloi të ndryshonte në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur gjithnjë e më shumë gra hynë në tregun e punës dhe patën mundësi të ndiqnin arsimin e lartë. Numri i divorceve në moshë të vonë është rritur vazhdimisht, sidomos pasi brezi Generation X nisi të hynte në të pesëdhjetat gjatë dekadës së fundit.

Ky brez, i lindur mes viteve 1965 dhe 1980, ishte i pari në Azi që u rrit në një periudhë globalizimi, duke ndjekur filma dhe programe televizive amerikane. Përmes kulturës popullore, ata u njohën edhe me vlera që vinin nga Perëndimi, si rëndësia e zgjedhjeve personale dhe vetërealizimit, përkundrejt detyrimeve tradicionale ndaj familjes. Sipas Parkut, së bashku me ndryshimet ekonomike dhe shoqërore, kjo ndikoi gradualisht në ndryshimin e qëndrimeve ndaj divorcit.

Kjo prirje pasqyrohet edhe në statistikat e rajonit. Në Korenë e Jugut, gjatë vitit të kaluar, për herë të parë numri i divorceve mes çifteve të martuara prej të paktën 30 vitesh e tejkaloi numrin e divorceve mes çifteve që kishin qenë të martuara më pak se pesë vjet.

Fillim i ri

Edhe në Tajvan është regjistruar një rritje e divorceve mes çifteve me martesa afatgjata, sipas të dhënave zyrtare. Në Hong Kong, disa firma ligjore raportojnë një shtim të rasteve të divorceve në moshë të vonë, ndërsa në Kinë numri i divorceve mes të moshuarve është dyfishuar gjatë 30 vjetëve të fundit.

Një pjesë e kësaj rritjeje lidhet edhe me ndryshimet demografike. Meqenëse shoqëritë po plaken, ka më shumë njerëz në moshë të shtyrë dhe, rrjedhimisht, edhe më shumë divorce në këtë grupmoshë. Nga ana tjetër, të rinjtë po martohen gjithnjë e më pak, gjë që sjell edhe një numër më të ulët divorcesh mes çifteve të reja.

Megjithatë, ndryshimet ligjore kanë luajtur gjithashtu një rol vendimtar, duke krijuar më shumë siguri ekonomike për gratë që më parë vareshin plotësisht nga të ardhurat e bashkëshortëve të tyre.

Në Korenë e Jugut, për shembull, në vitin 2014 u vendos që pensionet e ardhshme dhe pagesat e përfitimeve të punës të përfshihen në ndarjen e pasurisë pas divorcit. Kjo do të thotë se një grua që gjatë martesës është kujdesur për shtëpinë dhe fëmijët, duke i mundësuar bashkëshortit të ndërtojë karrierën e tij, ka të drejtë të përfitojë një pjesë të pensionit të tij pas divorcit. Një reformë e ngjashme u miratua në Japoni në vitin 2007.

Këto masa janë veçanërisht të rëndësishme duke pasur parasysh nivelin e lartë të varfërisë tek të moshuarit në Azi. Sipas të dhënave të vendeve anëtare të OECD-së, Koreja e Jugut ka shkallën më të lartë të varfërisë për personat mbi 65 vjeç. Edhe Hong Kongu, megjithëse nuk është pjesë e OECD-së, regjistron nivele të ngjashme. Japonia renditet disi më mirë, por sërish mbetet mbi mesataren ndërkombëtare.

Megjithatë, pavarësisht këtyre reformave, pabarazia gjinore vazhdon të mbetet e thellë.

“Për gratë, arsyeja kryesore pse nuk divorcohen është pamundësia për të qenë ekonomikisht të pavarura”, thotë Toyama, duke iu referuar pagave më të ulëta që marrin gratë në Japoni. “Kur një grua bëhet amvise me kohë të plotë, është shumë e vështirë të largohet nga bashkëshorti dhe të ndërtojë një jetë të pavarur”.

“Unë kam dy djem, por po të kisha një vajzë, do t'i thosha vazhdimisht: ‘Çfarëdo që të ndodhë në jetë, mos e lër kurrë punën tënde’”, shton ajo.

Sipas sociologut Sangyoub Park, faktori i përbashkët në mbarë Azinë është jetëgjatësia në rritje dhe mënyra se si njerëzit po e shohin ndryshe fazën e fundit të jetës.

“Kur ke edhe 20 apo 30 vjet përpara, lindin pritshmëri të reja”, thotë ai. “Gjithnjë e më shumë njerëz janë të gatshëm të largohen nga një martesë e pakënaqshme dhe pa përmbushje emocionale. Divorci nuk shihet më si një dështim, por si fillimi i një kapitulli të ri”.

Pesëdhjetëvjeçarja Iman Lau e ka përjetuar vetë këtë fillim të ri.

Edhe Lufta e zhvendosjet në Gazë po nxisin rritjen e numrit të martesave të hershme Botë Lufta e zhvendosjet në Gazë po nxisin rritjen e numrit të martesave të hershme

E rritur në Hong Kong, ajo kishte një përfytyrim të zbehtë për martesën. Mendonte se bashkëshortët thjesht hanin së bashku, bënin disa aktivitete të përbashkëta dhe jetonin një jetë të qetë, por pa shumë emocion.

“Mendoja se kështu ishte martesa”, thotë ajo.

Ky mentalitet vazhdoi edhe kur bashkëshorti e tradhtonte vazhdimisht. Ajo pyeste veten nëse kishte gabuar diku apo nëse nuk ishte mjaftueshëm e mirë. Në fund ishte ai që kërkoi divorcin, pavarësisht përpjekjeve të saj për ta shpëtuar martesën. Madje, ai e krahasoi me një zog që nuk pranon të dalë nga kafazi edhe kur dera është e hapur.

“Jam një grua mjaft tradicionale”, thotë Lau. “Gjatë gjithë jetës sime nuk e kam imagjinuar kurrë se do të divorcohesha”.

Divorci ishte një goditje e madhe për të, sikur të kishte humbur një pjesë të trupit. Por njëkohësisht e bëri të kuptonte se, diku gjatë 14 vjetëve martesë, kishte humbur edhe identitetin e saj. Ajo kishte lënë pas dore miqtë, interesat dhe pasionet, duke e ndërtuar gjithë jetën rreth bashkëshortit.

Pasi divorci u finalizua këtë vit, Lau vendosi ta ndryshonte rrënjësisht jetën. U bë pjesë e grupeve online për aktivitete shoqërore dhe krijoi miq të rinj. Zbuloi pasionin për natyrën, duke bërë ecje në male, not, kajak dhe zhytje me maskë. Ka nisur të mësojë piano dhe është dashuruar me muzikën jazz.

Pas një udhëtimi nëpër Evropë, ajo vendosi në murin e apartamentit fotografitë e pushimeve. E quan “muri i lumturisë”, sepse i kujton kënaqësinë që përjetoi gjatë shëtitjeve në Sicili dhe kampingut në Gjeorgji.

“Nuk e dija që jeta vetëm mund të ishte kaq e mrekullueshme”, thotë ajo.

“Mbi të gjitha, tani kam lirinë”

Një rrugëtim të ngjashëm ka nisur edhe Eiko Toyama, e cila në moshën 63-vjeçare e përshkruan veten si një grua “plot jetë”.

Ajo ka nisur të transmetojë drejtpërdrejt në TikTok dhe ka krijuar një llogari në një aplikacion komunikimi, ku u përgjigjet çdo javë pyetjeve dhe mesazheve të njerëzve që kërkojnë këshilla. Gjithashtu po punon për të hapur sipërmarrje të reja, mes tyre një agjenci martesash dhe një kompani që organizon aktivitete publike.

“Për 32 vjet nuk munda të bëja asgjë për veten. Tani kam hyrë në vitin e tretë të jetës sime të re, ku mund të bëj gjithçka që dua”, thotë ajo.

Ajo pranon se procesi nuk ishte i lehtë, por shton se çdo vështirësi që përballet sot është shumë më e lehtë sesa ankthi që përjetonte gjatë martesës.

“Mbi të gjitha, tani kam lirinë”, shprehet Toyama.

Të dyja gratë thonë se kanë vënë re një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si njerëzit reagojnë kur mësojnë për divorcin e tyre.

Toyama tregon se reagimet kanë qenë pothuajse gjithmonë pozitive, madje disa njerëz i kanë thënë se e kanë zili për guximin e saj.

Për Lau, reagimet kanë qenë më të ndara dhe kanë reflektuar dallimet mes brezave.

“Miqtë e moshës sime e trajtojnë divorcin si një tabu, sikur të kishte ndodhur një vdekje në familje. Nuk guxojnë të pyesin për të, por vetëm më thonë: ‘Më vjen shumë keq’”, rrëfen ajo. “Ndërsa të rinjtë e brezit Z më urojnë. Ata më thonë: ‘Urime!”.

Sipas Parkut, rritja e divorceve në moshë të vonë mund të fillojë të ngadalësohet kur brezi i mijëvjeçarëve (Millennials), i cili u martua në rrethana dhe me qëndrime shoqërore shumë të ndryshme nga brezat e mëparshëm, të arrijë moshën e pensionit.

Për ata që mund të përballen me një divorc në të ardhmen, Lau ka një mesazh inkurajues:

Edhe Djemtë e gjeneratës Z mendojnë se gratë duhet t’u binden burrave Lifestyle Djemtë e gjeneratës Z mendojnë se gratë duhet t’u binden burrave

“Në të vërtetë, kjo botë është e jashtëzakonshme”.

“Aziatikët, në veçanti, shpesh e shohin divorcin si një njollë ose si një tabu, si një etiketë dështimi. Por kjo nuk është e vërtetë”, thotë ajo. “Shiheni si një mundësi për t'i dhënë vetes shansin të zbuloni se mund të jetoni një jetë edhe më të pasur dhe më të bukur, mjafton të keni guximin të hidhni atë hap”.