Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kur robotët kanë nevojë për njerëzit

AI - Indi

Në fushën në rritje të etiketimit të të dhënave, punonjës në një qytet të vogël në jug të Indisë po trajnojnë inteligjencën artificiale për ta përmirësuar mënyrën se si ajo kryen detyra që tradicionalisht i kanë bërë njerëzit

Dëshmitë e hovit të inteligjencës artificiale shpesh shfaqen në formën e qendrave të mëdha të të dhënave, pa dritare, ku vendosen mijëra pajisje dhe serverë. Por në qytetin Karur, në jug të Indisë, rritja e inteligjencës artificiale po shihet në një tjetër formë – te njerëzit që punojnë në këtë industri.

Qindra punonjës të laboratorëve teknologjikë mbushin rrugët e qytetit gjatë pushimit të kafes, në orët e pasdites gjatë ditëve të javës. Shumica janë të rinj në të 20-at, burra dhe gra që mbajnë kartelat e punës në qafë. Të tjerë punojnë disa orë gjatë fundjavës nga shtëpia për të siguruar të ardhura shtesë.

Ata punojnë në një sektor në rritje të inteligjencës artificiale, ku njerëzit ndihmojnë në përgatitjen e të dhënave për trajnimin e sistemeve të A.I.-së. Për momentin, ky proces kërkon ende ndërhyrjen e njerëzve. Punonjësit analizojnë të dhëna dhe video, identifikojnë gabimet dhe i tregojnë sistemit se çfarë po ndodh, në mënyrë që ai të mësojë dhe të përmirësohet.

Kjo punë ndihmon në zhvillimin e programeve që përdoren për të drejtuar makinat vetëdrejtuese, për të automatizuar linjat e prodhimit dhe për të menaxhuar inventarin në dyqane.

Puna shpesh është e përsëritur dhe më pak komplekse se ajo për të cilën trajnohen inxhinierët në universitet. Ajo kërkon orë të tëra para ekranit, duke analizuar videot një kuadër pas tjetrit. Por ndërsa inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si kompanitë projektojnë dhe prodhojnë produktet, duke zhdukur edhe vende pune, kjo industri tregon se si vende si India po përshtaten me këtë realitet të ri.

Aiswarya Palaniswamy, 25 vjeçe dhe me një diplomë masteri në analizën e të dhënave, gjeti vitin e kaluar punë në kompaninë Objectways Technologies, me bazë në Karur. Kompania merret me përgatitjen e të dhënave për sistemet e inteligjencës artificiale dhe klientët e saj janë kryesisht kompani amerikane që përdorin A.I. në produktet e tyre. Objectways ka rreth 2,600 punonjës, ndërsa vetëm gjatë muajit të fundit ka punësuar 300 persona.

Palaniswamy thotë se beson se ka gjetur një punë që mund të jetë e qëndrueshme, edhe në një kohë kur inteligjenca artificiale po automatizon vende pune si përpunimi i pagave dhe futja e të dhënave, që më parë kryheshin nga punonjës në Indi.

Ajo dhe kolegët e saj analizojnë pamje të regjistruara nga produkte të sektorit në zgjerim të inteligjencës artificiale fizike, përfshirë makinat vetëdrejtuese dhe robotët humanoidë. Ata kontrollojnë çdo kuadër të videos dhe shënojnë se sa mirë po e kryen modeli i inteligjencës artificiale detyrën e tij.

Përfitime ekonomike

Vendet e punës për punonjësit e rinj me aftësi profesionale në Objectways paguhen rreth 210 deri në 260 dollarë në muaj. Për një qytet të vogël indian si Karur, me rreth 440 mijë banorë, kjo konsiderohet një pagë e mirë. Ndërkohë, puna më e thjeshtë, që konsiston në regjistrimin e vetes nga shtëpia, paguhet rreth 2.50 dollarë për çdo orë video që mund të përdoret dhe kryhet në mënyrë të pavarur.

Në Indi, krijimi i vendeve të qëndrueshme të punës për një popullsi të re në rritje është një çështje veçanërisht e rëndësishme për kryeministrin Narendra Modi dhe partinë e tij në pushtet. Rreth 2 milionë indianë mbushin moshën 18 vjeç çdo muaj.

Mungesa e mundësive për të rinjtë ishte një nga arsyet që nxitën protestat e fundit për arsimin. Modi, i cili ka premtuar ta udhëheqë Indinë drejt një periudhe të re prosperiteti dhe modernizimi, ndërmori një ndryshim të rrallë dhe zëvendësoi ministrin e Arsimit. Megjithatë, pakënaqësia për mungesën e vendeve të punës për të diplomuarit me aftësi profesionale mbetet e vështirë për t'u zgjidhur.

Edhe pse kompani si Objectways kryejnë pjesën më të madhe të punës për kompani jashtë Indisë, Qeveria e Modit dëshiron që në vend të zhvillohen kompani vendase të inteligjencës artificiale. Sipas saj, kjo do të sillte përfitime më të mëdha ekonomike për vendin.

S. Krishnan, i cili drejton Ministrinë e Teknologjisë dhe Informacionit në Indi, tha se India ka mundësi të shfrytëzojë burimin e saj më të madh – 1.4 miliardë banorët – në sektorët e inteligjencës artificiale ku nevojiten aftësi specifike njerëzore.

Kjo mund të përfshijë punë si përkthimi i gjuhëve të shumta që fliten në Indi apo monitorimi i pacientëve në repartet e kujdesit intensiv. Sipas tij, kompani indiane tashmë po ofrojnë shërbime të tilla.

Krishnan paralajmëroi se India duhet të shmangë krijimin e shumë vendeve të punës në sektorin e inteligjencës artificiale që mund të zhduken po aq shpejt sa ato në sektorin e shërbimeve administrative. Sipas tij, vendi duhet të fokusohet në krijimin e vendeve të punës me vlerë më të lartë. Një raport i vitit 2025 nga një institut kërkimor i Qeverisë indiane vlerëson se deri në 1.5 milion vende pune në sektorin e shërbimeve të teknologjisë e informacionit mund të zhduken si pasojë e përparimit të inteligjencës artificiale.

Fushat ku inteligjenca artificiale mund të rrisë efikasitetin janë të shumta. Po aq të mëdha janë edhe mundësitë për krijimin e bizneseve të reja.

Puneet Jindal, themelues dhe drejtues i kompanisë Labellerr, e cila merret me përgatitjen e të dhënave për sistemet e A.I.-së në shtetin Punjab, thotë se ndërsa inteligjenca artificiale po përdoret në gjithnjë e më shumë produkte në zyra dhe në shtëpi, do të rritet edhe nevoja për të dhëna nga njerëz me prejardhje dhe përvoja të ndryshme, të mbledhura në gjuhë të ndryshme.

“India është një nga vendet më të larmishme në botë dhe njerëzit kanë mënyra shumë të ndryshme të punës”, tha Jindal. “Shkalla e mundësive që mund të ofrojë India është jashtëzakonisht e madhe.”

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në tregun në zhvillim të pajisjeve robotike, të dizajnuara për të kryer detyra që sot i bëjnë vetë njerëzit.

Në laboratorët e Objectways në Karur, ku dy gazetarë të New York Times vizituan në korrik, shumë punonjës kalojnë ditën duke përgatitur të dhëna për një robot humanoid të krijuar për të kryer punë të ndryshme në shtëpi. Projekte të tjera përfshijnë një pajisje që mund t’u ndihmojë personave të verbër duke u treguar me zë se çfarë ka rreth tyre.

Një mëngjes së fundmi, në një kuzhinë të posaçme për testime, një punonjës kontrollonte një palë kapëse robotike të pajisura me kamera. Objectways regjistronte dhe më pas analizonte pamjet për të parë se si robotët kryenin detyra të ndryshme shtëpiake, si marrja e pjatave, hapja e kapakut të një shisheje uji dhe derdhja e ujit në një gotë, apo rregullimi i ushqimit. Të njëjtat detyra përsëriteshin edhe në banjën dhe dhomën e gjumit të laboratorit.

“Ne i japim robotit të dhënat dhe i themi: ‘Mëso prej tyre’”, tha Ravi Rajalingam, themeluesi dhe drejtuesi i Objectways.

Ai u interesua për këtë fushë pasi kishte punuar me një kompani kredidhënëse për të thjeshtuar procesin e aplikimit përmes inteligjencës artificiale. Në vitin 2019, ai themeloi Objectways në qytetin e tij të lindjes, Karur, duke parë mundësinë për t’u ofruar punë të sapodiplomuarve. Sipas tij, bashkëshortja e tij punësoi 20 punonjësit e parë të kompanisë.

“India nuk është më thjesht zyra administrative e botës”, tha Rajalingam. Ai pranoi se shumë prej vendeve të punës në kompaninë e tij nuk kërkojnë diplomë në inxhinieri, por shtoi se puna është teknike dhe punonjësit mund të mësojnë për modelet e inteligjencës artificiale. Sipas tij, shumë prej tyre avancojnë gradualisht në pozicione më të larta.

Investimet në inteligjencë artificiale

Mohamed Afsar, 29 vjeç, është një prej tyre. Ai është promovuar dhe tani mbikëqyr 600 punonjës që punojnë në projektet e kompanisë në zyrat e saja në Coimbatore, një qytet më i madh rreth dy orë e gjysmë në perëndim të Karurit.

“Është një proces shumë i madh dhe na nevojitet një numër i madh punonjësish”, tha ai.

Afsar, i cili është rritur në atë zonë dhe ishte i pari në familjen e tij që u regjistrua në Universitet, tha se 200 persona mund të përpunojnë rreth 70 orë video në ditë, të regjistruara nga robotët ose nga makinat vetëdrejtuese. Megjithatë, kjo është ende më pak se sasia që duhet të analizojë kompania, pasi klientët i dërgojnë rreth 1,000 orë video çdo ditë.

Analistët vlerësojnë se kjo industri mund t’i sjellë ekonomisë së Indisë deri në 10 miliardë dollarë deri në fund të kësaj dekade. Megjithatë, sektori është ende shumë i vogël për të bindur ekonomistët dhe politikëbërësit se mund t’i japë Indisë një avantazh të rëndësishëm në garën për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Disa nga ekonomitë më të mëdha të Azisë kanë qenë të ngadalta në investimet në inteligjencën artificiale. India, në veçanti, është cilësuar si një vend që ka mbetur prapa. Sipas një raporti të Morgan Stanley, vendi nuk nisi nismën e parë të rëndësishme për zhvillimin e inteligjencës artificiale deri në vitin 2024, kur Qeveria njoftoi një plan pesëvjeçar me vlerë 1.25 miliardë dollarë.

Ky fillim i vonuar nënkuptonte se India kishte më pak mundësi për të përballuar humbjen e vendeve të punës në sektorin e teknologjisë, të cilat u zhdukën pasi inteligjenca artificiale mundi t’i kryente ato.

Në Objectways, punonjësit e rinj duket se janë të kënaqur, të paktën për momentin, me rolin e tyre si njerëzit që ndihmojnë në një pjesë të rëndësishme të procesit të zhvillimit të robotëve.

Hari Prasad, 25 vjeç, tha se kur u diplomua në inxhinieri vitin e kaluar, nuk e kishte imagjinuar se puna e tij do të përfshinte diçka që i ngjan fantashkencës.

“Nëse dikush do të më kishte thënë se pas 10 vjetësh një robot do t’ju sillte kafenë, nuk do ta kisha besuar”, tha ai.

Por sot, puna e tij është pikërisht të ndihmojë që kjo të bëhet realitet.

“Na duhet një njeri për ta trajnuar robotin”, tha ai duke buzëqeshur.