Tregjet e parashikimeve i lejojnë njerëzit të vënë baste për çdo gjë, nga një ndeshje basketbolli e deri te rezultati i zgjedhjeve presidenciale, e së fundi, edhe për rënien e ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, shkruan agjencia “AP”.
Kjo e fundit ka sjellë vëmendjen te tregjet e parashikimeve. Javën e kaluar, një tregtar anonim futi në xhep mbi 400 mijë dollarë pasi kishte vënë bast se Maduro së shpejti do të largohej nga detyra.
Pjesa më e madhe e ofertave që tregtari kishte vënë në platformën “Polymarket” u bënë vetëm disa orë para se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, papritmas të njoftonte aksionin befasues në natën e 3 janarit që çoi në kapjen e Maduros. Kjo nxiti dyshime për informata të brendshme, për shkak të kohës së basteve. Të tjerët argumentuan se rreziku i kapjes ishte tepër i madh dhe spekulimet e mëparshme rreth të ardhmes së Maduros mund të kenë çuar te transaksione të tilla.
Polymarket s’ka komentuar këtë ngjarje.
Përdorimi i tregjeve të parashikimeve është rritur dukshëm vitet e fundit, duke u hapur derën njerëzve që të vënë bast paratë e tyre mbi probabilitetin e një liste në rritje të ngjarjeve të ardhshme.