Marrëdhëniet transatlantike kanë “pësuar një goditje të madhe gjatë javës së fundit”, ka thënë shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ndërsa udhëheqësit e bllokut u mblodhën për një samit emergjent pas javësh kërcënimesh në rritje nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me Grenlandën.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka theksuar se Bashkimi Evropian po jeton një periudhë me shumë paparashikueshmëri: “Një ditë është kështu, ditën tjetër sërish gjithçka mund të ndryshojë”.
Marrëdhëniet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara “pa dyshim kanë pësuar një goditje të madhe gjatë javës së fundit”, por evropianët “nuk janë të gatshëm të hedhin poshtë 80 vjet marrëdhënie të mira”, u tha ajo gazetarëve.
Duke folur pas takimit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se uniteti i BE-së dhe angazhimi me SHBA-në “në një mënyrë të vendosur, por jo përshkallëzuese” kishin dhënë rezultat, raportoi Guardian.
Një samit emergjent i BE-së u thirr me nxitim më herët këtë javë, pasi presidenti amerikan njoftoi se do të vendoste tarifa prej 10% ndaj tetë shteteve evropiane që kundërshtuan një marrje nën kontroll nga SHBA-ja të Grenlandës, një territor autonom që është pjesë e Danimarkës.
Edhe pse Trumpi e tërhoqi kërcënimin të mërkurën, zyrtarët evropiane e vlerësuan samitin të nevojshëm për të diskutuar marrëdhëniet transatlantike me një president amerikan të paparashikueshëm.
-
Anëtarët e BE-së bien dakord për marrëveshjen tarifore me SHBA-në
-
Evropa s’është më qendra kryesore e gravitetit të SHBA-së, thotë Kallas
-
Trumpi ka krijuar rend të ri botëror
-
Macroni thotë se uniteti i Evropës funksionoi kundër kërcënimeve të Trumpit
-
Von der Leyen: Evropa plotësisht e gatshme të veprojë nëse është e nevojshme