Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, trupat e të cilit po luftojnë në anën ruse në luftën kundër Ukrainës, ka thënë se lufta do të përfundojë deri në fund të vitit, me një fitore për forcat ruse. Kadyrov, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, ka kritikuar më parë komandantët rusë dhe disa aspekte të fushatës ushtarake të Kremlinit në Ukrainë, por nuk ka folur drejtpërdrejt kundër Putinit.
Megjithatë, pavarësisht se ka dhënë vlerësime pesimiste për fuqinë ushtarake të Rusisë për muaj të tërë, Kadyrov ka thënë se Rusia do ta fitojë luftën, e cila do të përfundojë “deri në fund të vitit”. Ai është i bindur se pas përfundimit të luftës, vendet evropiane do t’i “kuptojnë gabimet e veprimeve të tyre”, raporton Newsweek .
“Perëndimi do të dorëzohet dhe shtetet evropiane, si zakonisht, do të duhet të bashkëpunojnë në të gjitha fushat me Federatën Ruse. Nuk do të ketë rrugë tjetër dhe nuk duhet të ketë”, shtoi ai. Lideri çeçen i bëri këto komente gjatë një interviste me ministrin çeçen Ahmed Dudayev, e cila u publikua në Telegram.
Kadyrov kërcënoi gjithashtu Poloninë për shkak të mbështetjes së saj për Kievin. Në postimin e djeshëm në kanalin e tij Telegram, ai shkroi se Varshava kishte shteruar burimet e veta ushtarake. Ai pyeti veten se çfarë nëse Rusia, pas fitores së saj ndaj ukrainasve, “fillon të denazizojë dhe çmilitarizojë vendin e ardhshëm”.
Në fillim të pushtimit, Kremlini përmendi “denazifikimin” e atij vendi si një nga justifikimet për luftën në Ukrainë, të cilin komuniteti ndërkombëtar e hodhi poshtë njëzëri. Kadyrov shkroi se “lufta kundër Satanizmit duhet të vazhdojë në të gjithë Evropën, mbi të gjitha në territorin e Polonisë”.
Kadyrov dhe komandantët e tij e përshkruajnë rregullisht konfliktin në Ukrainë si një “luftë të shenjtë” kundër vlerave “satanike” të Perëndimit, një pikëpamje e promovuar ndonjëherë në televizionin shtetëror rus. Kadyrov arriti në përfundimin se Rusia mund të ndihmojë me një referendum për pavarësinë e Silesisë, një rajon në Poloni “që ka fituar një status të veçantë të pavarur”.