Botë

Johnsoni, shoumeni i politikës britanike

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Johnson, të shtunën ka dhënë dorëheqje edhe nga posti i deputetit, duke shënuar fundin e një lideri kundërthënës që erdhi në pushtet duke kundërshtuar liderët e partisë së tij

Ishte kryebashkiak që doli në skenë me famën e nikoqirit të Lojërave Olimpike “Londra 2021” dhe njeriu që u priu konservatorëve në fitoren e madhe me misionin e tij politik “që t’i jepte fund Brexit-it”.

Mirëpo periudha e Boris Johnsonit si kryeministër përshkruhet nga menaxhimi i pandemisë së koronavirusit dhe një grumbulli akuzash etike, nga ahengjet me alkool në qeverinë e tij e deri te shkelja e masave për mbrojtje nga koronavirusi.

2001-2008 – Shërbeu si anëtar i Parlamentit duke përfaqësuar zonën elektorale të Henleyt.

2008-2016: Shërbeu si kryebashkiak i Londrës, duke mbikëqyrur Lojërat Olimpike “Londra 2012”.

2016: Bashkëprijës i fushatës për ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimin Evropian, duke e kundërshtuar atëherë kryeministrin David Cameron, kolegë nga partia konservatore. Cameron dha dorëheqje pasi votuesit miratuan “Brexit”-in me referendum më 23 qershor 2016.

2016-2018: Shërbeu si Sekretar i Jashtëm i pasardhëses së Cameronit, kryeministres Theresa May. Johnsoni dha dorëheqje në korrik 2018 duke e kundërshtuar strategjinë e May për “Brexit” të butë me të cilin do të mbaheshin lidhjet e ngushta me BE-në.

7 qershor 2019: Theresa May dorëhiqet si lidere e partisë konservatore për shkak të dështimit për të bindur Parlamentin që të mbështesë marrëveshjen e “Brexit”-it të cilën e kishte negociuar me BE-në. Partia ishte ndarë mes atyre që përkrahnin May dhe kundërshtuesve, të prirë nga Johnsoni, i cili ishte i gatshëm të kalonte “Brexit”-in pa marrëveshje me qëllim që të shmangte koncesionet nga BE-ja.

23 korrik, 2019: Johnsoni zgjidhet lider i Partisë Konservatore me votën e anëtarëve të partisë. Ai mori postin e kryeministrit të nesërmen, duke trashëguar qeveri të pakicës që varej nga votat e Unionistëve demokratik të Irlandës Veriore për të miratuar ligjet. Johnsoni insistonte se Britania duhej të largohej nga BE-ja deri më 31 tetor, pa arritur marrëveshjen.

28 gusht 2019: Johnsoni njoftoi se do të mbyllte parlamentin deri në mestetor, duke u ofruar kundërshtarëve më pak kohë për të refuzuar “Brexit”-in pa marrëveshje.

3 shtator 2019: Njëzetenjë deputetët e pakënaqur konservatorë përkrahën ligjin që obligonte qeverinë zgjatjen e negociatave për “Brexit”-in nëse nuk mund të negocionte marrëveshjen me BE-në. Ky ligj kaloi dhe deputetët rebelë u përjashtuan nga partia.

5 shtator 2019: Johnsoni deklaroi se më mirë do të “vdiste në një hendek” sesa t’i kërkonte BE-së zgjatje të afatit.

24 shtator 2019: Gjykata Supreme mori vendim se suspendimi i Parlamentit nga Qeveria ishte i jashtëligjshëm.

19 tetor 2019: Johnsoni i kërkon BE-së që përsëri të shtyjë “Brexit”-in. Afati i ri ishte caktuar për 31 janar.

6 nëntor 2019: Parlamenti shpërbëhet dhe zgjedhjet e reja caktohen për mesin e muajit dhjetor teksa Johnsoni kërkon mandatin e ri për strategjinë e “Brexit”-it.

12 dhjetor 2019: Johnsoni siguron shumicën e parlamentit me 80 ulëse, duke i ofruar atij përkrahjen e nevojshme për “Brexit”-in. Fitorja e bëri Johnsonin liderin më të votuar të konservatorëve që prej Margaret Thatcherit.

23 janar 2020: Marrëveshja e “Brexit”-it bëhet ligj pas miratimit në Parlamentin britanik. Parlamenti Evropian e miratoi marrëveshjen gjashtë ditë më vonë.

23 mars 2020: Johnsoni vendos Britaninë në izolimin e parë shkaku i Covid-19.

5 prill 2020: Johnsoni hospitalizohet dhe më vonë vendoset në kujdesin intensiv shkaku i Covid-19. Ai lirohet nga spitali më 12 prill, duke falënderuar infermieret që qëndruan me të.

3-4 nëntor 2021: Qeveria e Johnsonit urdhëron deputetët konservatorë që të përkrahin ndryshimet në rregullat e etikës për të vonuar suspendimin e Owen Patersonit, përkrahës i Johnsonit, i cili ishte censuruar për shkeljen e rregullave të lobimit. Masat miratohen. Një ditë më vonë, pasi u përball me reagimin e ashpër nga të gjithë deputetët, Johnsoni tërhiqet dhe lejon deputetët që të votojnë për suspendimin e Patersonit. Ai ofroi dorëheqjen.

30 nëntor 2021: Shpërfaqen akuzat se zyrtarët e qeverisë kishin organizuar ahengje në zyrat qeveritare në nëntor dhe dhjetor 2020, duke shkelur masat për mbrojtje nga COVID-19. Skandali bëhet edhe më i madh. Johnsoni mohon të gjitha akuzat, por liderët opozitarë e kritikuan qeverinë për shkeljen e ligjit teksa britanikët po sakrifikonin gjithçka për të luftuar pandeminë.

8 dhjetor 2021: Johnsoni autorizon hetimet për skandalin të njohur si “Partygate”. Rritet presioni, mirëpo ai reziston.

Image

3 shkurt, 2022: Këshilltarja e kamotshme e Johnsonit, Munira Mirza, dorëheqet, e pasuar nga tre këshilltarë të tjerë.

23 mars 2022: Qeveria shpall planin e shpenzimeve për mes-vitin por kritikohet se ka bërë shumë pak për të ndihmuar njerëzit që po luftojnë me koston e jetesës. Shefi i atëhershëm i Thesarit Rishi Sunak refuzon të vonojë rritje të planifikuar të tatimit mbi të ardhurat ose të vendosë taksë fitimi të papritur për kompanitë e naftës dhe gazit që përfitojnë nga rritja e çmimeve të energjisë.

9 prill 2022: Johnsoni takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Kiev, duke premtuar pakon e re të mbështetjes ushtarake dhe ekonomike. Vendimi ndihmon në forcimin e Johnsonit dhe mbështetësve të tij, të cilët argumentojnë se qeveria nuk duhet të fokusohet në grindjet e brendshme politike.

12 prill 2022: Johnsoni gjobitet me 50 funte për pjesëmarrje në një nga ahengjet gjatë izolimit ndaj Covid-19. Partitë opozitare e cilësojnë atë si kryeministrin e parë të Mbretërisë së Bashkuar që shkelur ligjin gjatë kohës sa ishte në detyrë. Johnsoni kërkoi falje, por këmbëngul se nuk e dinte se po shkelte rregullat.

22 maj 2022: Publikohen gjetjet e hetimit për “Partygate”, duke detajuar 16 tubime në shtëpinë dhe zyrën e Johnsonit dhe zyra të tjera qeveritare midis majit 2020 dhe prillit 2021. Raporti detajon alkoolin e konsumuar nga disa anëtarë të stafit të Johnsonit, në kohën kur miliona njerëz nuk ishin në gjendje të shihnin miqtë dhe familjen shkaku i izolimit nga Covid-19.

26 maj 2022: Qeveria ndryshon kursin e vendimit të saj tatimor për kompanitë e naftës dhe gazit dhe njofton planet për taksë 25% të fitimeve.

6 qershor 2022: Johnsoni fiton ngushtë votën e mosbesimit, me deputetët konservatorë që votuan 211-148 për ta mbështetur atë. Por shkalla e revoltës – rreth 41% votuan kundër tij – e lëkundin kontrollin e tij mbi pushtetin.

15 qershor 2022: Christopher Geidt jep dorëheqjen si këshilltar i etikës i Johnsonit, duke akuzuar qeverinë konservatore se planifikon të shkelë rregullat e sjelljes.

24 qershor 2022: Konservatorët e Johnsonit humbin dy ish-bastione ndaj partive opozitare në zgjedhjet e veçanta.

29 qershor 2022: Komiteti i Privilegjeve ndërpartiake i Parlamentit lëshon thirrjen për prova për hetimin nëse Johnsoni mashtroi Parlamentin lidhur me ahengjet e mbajtura gjatë izolimit kundër Covid-19.

30 qershor 2022: Chris Pincher jep dorëheqjen si zëvendës-shefi konservator mes akuzave se sulmoi dy të ftuar në një klub privat të anëtarëve në Londër. Akuzat e mëparshme për sjellje të pahijshme seksuale dalin në lidhje me Pincher. Nisën dyshimet nëse Johnsoni dinte për pretendimet kur u angazhua në qeveri Pincheri.

5 korrik 2022: Johnsoni kërkoi falje për trajtimin e tij të skandalit Pincher dhe tha se kishte harruar që ishte i informuar për akuzat. Dy nga ministrat më të lartë të kabinetit Johnson, Sunak dhe Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid, u larguan nga qeveria.

6 korrik 2022: Tre ministra të rinj japin dorëheqjen nga qeveria, duke sulmuar udhëheqjen e Johnsonit.

7 korrik 2022: Johnson jep dorëheqjen si udhëheqës i Partisë Konservatore, por planifikon të qëndrojë si kryeministër teksa zhvillohet gara për lidership.

nëntor 2022: Johnsoni fillon të shtojë angazhimet dhe ligjërimet private që e çojnë atë në mbarë botën nga India në Nigeri, në Singapor e Shtetet e Bashkuara. Gjatë mandatit aktual parlamentar, ai raportoi 2.7 milionë funte nga ligjërimet.

Image

3 mars 2023: Komiteti parlamentar i Mbretërisë së Bashkuar thotë se provat sugjerojnë se Johnsoni ka mashtruar vazhdimisht Parlamentin në lidhje me njohuritë e tij për ahengjet me të cilat ishin shkelur masat e izolimit në zyrën e tij në “Downing Street”.

22 mars 2023: Johnsoni këmbëngul me “dorë në zemër” se kurrë nuk i gënjeu deputetët për ahengjet qeveritare që thyen masat, duke ngritur mbrojtjen e fortë në një seancë dëgjimore që mund të dëmtojë apo edhe t'i japë fund karrierës së tij të trazuar politike.

9 qershor 2023: Johnson jep dorëheqjen nga vendi i tij parlamentar pasi mori raportin mbi planet e izolimit për mbrojtje nga COVID-19.