Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Johnson dorëhiqet pasi mashtroi Parlamentin britanik

Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, tronditi Britaninë e Madhe të premten duke dhënë dorëheqje si ligjvënës, pasi iu tha se do të sanksionohej për mashtrimin e Parlamentit.

Johnson dha dorëheqjen pasi mori rezultatet e një hetimi nga ligjvënësit për deklaratat mashtruese që ai bëri në Parlament për një seri ndejash qeveritare që thyen rregullat gjatë pandemisë së COVID-19, kohë kur ai ishte në pushtet.

Në një deklaratë të gjatë dorëheqjeje, Johnson akuzoi kundërshtarët se po përpiqeshin ta dëbonin atë dhe la të kuptohej se karriera e tij politike mund të mos ketë përfunduar ende.

“Është shumë e trishtueshme që po largohem nga Parlamenti, të paktën tani për tani”, tha ai.

Johnson, 58 vjeç, tha se kishte "marrë një letër nga Komiteti i Privilegjeve duke e bërë të qartë - për habinë time - se ata janë të vendosur të përdorin procedurat kundër meje për të më dëbuar nga Parlamenti", shtoi Johnson në letrën e tij.

Ai e quajti komitetin që e hetonte atë, i cili ka anëtarë si nga qeveria ashtu edhe nga partitë opozitare, një "gjykatë kanguri".

“Qëllimi i tyre që nga fillimi ka qenë të më shpallin fajtor, pavarësisht nga faktet”, tha Johnson, raporton “Washington Post”.

Edhe Skandali i ahengjeve, Johnsoni qëllimisht mashtroi Parlamentin britanik Botë Skandali i ahengjeve, Johnsoni qëllimisht mashtroi Parlamentin britanik

Dorëheqja do të shkaktojë zgjedhje speciale për të zëvendësuar Johnson si ligjvënës për një vend në periferi të Londrës në Dhomën e Komunave.

Johnson, karriera e të cilit ka parë një sërë skandalesh dhe rikthimesh, i çoi konservatorët në një fitore të rëndësishme në vitin 2019 por ai u detyrua të largohej nga pozita më pak se tre vjet më vonë.

Ai kishte qenë në pritje të rezultatit të një hetimi nga një komitet i standardeve të Dhomës së Komunave për deklaratat mashtruese që ai bëri në Parlament për një mori tubimesh në ndërtesat qeveritare në vitet 2020 dhe 2021 që shkelën rregullat e izolimit. /REl