Autoritetet ruse kanë përdorur kërcënimet dhe dhunën që nga ditët e para të pushtimit. Trupat e Rusisë kanë marrë nën sundim dy të tretat e rajonit të Zaporizhzhias në javët e para të luftës, duke hyrë në qytetet Melitopol dhe Berdiansk pa luftime të mëdha dhe duke marrë nën kontroll centralin bërthamor të Zaporizhzhias, më të madhin në Evropë
Votimi në zgjedhjet presidenciale të Rusisë tashmë ka filluar në zonat e pushtuara të Ukrainës. Zyrtarët e zgjedhjeve, të shoqëruar nga ushtarët, janë duke shkuar shtëpi pas shtëpie në disa zona.
Me kritikë dhe kundërshtarë të heshtur, të internuar ose të vrarë, Vladimir Putini pritet të jetë në krye të shtetit për gjashtë vjet të tjerë kur të mbyllen qendrat e votimit në fund të javës së ardhshme. Katër rajonet pjesërisht të pushtuara, të cilësuara nga Putini si territore ruse në vitin 2022, do të luajnë rol të veçantë në zgjedhje.
Pamjet që do t’i paraqesë televizioni rus janë të parashikueshme sikur rezultati final i zgjedhjeve: të “ukrainasve mirënjohës dhe të kënaqur” që janë nën regjimin rus.
Do të jetë mesazh për qytetarët lokalë se s’ka alternativë të pushtetit rus dhe do të rrëfejnë “për popullatë gjoja të lumtur që mirëpret pushtetin e ri”. Narrativa gjithashtu do të jetë e kuruar për audiencën e Putinit, ka thënë një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë. “Mbi të gjitha, rezultatet do të jenë për elitën që do t’i demonstrojë carit se njerëzit në territoret e tij të reja me të vërtetë e duan”, ka thënë ai.
Megjithatë, tregimi i vërtetë është krejt ndryshe, sipas një hulumtimi të “Guardianit” për jetën në një prej katër zonave të aneksuara pjesërisht nga Rusia më 2022, Zaporizhzhia.
Edhe
I mbijetoi për vite represionit politik në Rusi, deri kur në derë i trokitën burrat e maskuar
Disa intervista me banorët dhe ish-banorët dhe informacionet nga dokumentet e rrjedhura të Kremlinit, sugjerojnë se zgjedhjet do të jenë një nga përpjekjet e Rusisë për të vulosur sundimin në territorin e pushtuar.
Marrja e pushtetit
Autoritetet ruse kanë përdorur kërcënimet dhe dhunën që nga ditët e para të pushtimit. Moska ka marrë nën sundim dy të tretat e rajonit të Zaporizhzhias në javët e para të luftës, duke hyrë në qytetet Melitopol dhe Berdiansk pa luftime të ashpra dhe duke marrë nën kontroll centralin bërthamor më të madh në Evropë. Vija e frontit eventualisht ka lëvizur rreth 32 kilometra në jug të qytetit Zaporizhzhia dhe nuk ka lëvizur gati fare që aty.
Në çdo qytet, një nga veprimet e para të ushtrisë ruse kur ka mbërritur, ka qenë arrestimi i liderëve dhe shtyrja për të punuar për pushtuesit. Shumica e udhëheqësve kanë refuzuar presionin dhe kanë hedhur poshtë bashkëpunimin.
Në qytezën Molochansk, me popullatë prej 12 mijë qytetarësh para luftës, rusët kanë arrestuar kryebashkiaken Iryna Lypka, së bashku me zëvendësin, sekretarin dhe shoferin e saj. Ajo ishte vendosur në një burg pa ajrim në bodrumin e një stacioni policor në qytezën e afërme, Tokmak.
Shumicën e netëve, është dërguar lart dhe është marrë në pyetje nga burra me maska skijimi, të cilët kanë urdhëruar që t’u dorëzohet rusëve. Nëse ajo refuzonte, sipas rusëve, do të dilte në gjyq për “agjitacion antirus” dhe do ta kalonte jetën në burg siberian. Djemtë e saj, gjithashtu, do të ishin në telashe. Natën, mund të dëgjonte klithmat dhe rënkimet e burrave që torturoheshin në qelinë fqinje.
“Kisha halucinacione, fillova të dëgjoja zërat e fëmijëve të mi. Po mendoja, ‘Çfarë do të bëja nëse djali im do të torturohej para meje?’”, ka kujtuar ajo. Prapëseprapë, ka arritur të rezistojë dhe pas 24 ditëve në robëri, është liruar. Pas dy javëve, ka ikur në territor të kontrolluar nga Ukraina. Në territorin e pushtuar ka pasur “biseda” të ngjashme me udhëheqës lokalë. Rusia vendosi autoritete marionetë në çdo qytet dhe fshat. Ndonjëherë, arrinin marrëveshje përmes kërcënimeve. Herëve të tjera kanë përdorur dhunë e i kanë kthyer në udhëheqës njerëz që ishin pa përvojë fare.
Të gjithë ata që pranuan të bashkëpunonin ballafaqohen me dënime të rënda nëse Ukraina rikthen territorin.
Dëbimet
Mes qershorit të vitit 2022 dhe majit të vitit 2023, autoritetet pushtuese në Zaporizhzhia kanë ushtruar politikë zyrtare për dëbimin e banorëve të cilët janë angazhuar për “diskreditimin e organeve të pushtetit rus”. Autoritetet me krenari kanë postuar video të burrave të maskuar duke ua lexuar urdhrin e dëbimit viktimave që dridheshin, pastaj i urdhëronin të kalonin përgjatë vijës së frontit drejt territorit ukrainas. Ish-deputeti ukrainas Yevgeny Balitsky, tash udhëheqës i regjimit rus në Zaporizhzhia i ka cilësuar dëbimet si veprim humanitar.
“Çfarë të bësh me një grua me tre fëmijë, e cila ka pikëpamje të ndryshme dhe nuk e sheh Rusinë si mëmëdhe? Ajo s’mendon se ajo që po ndodh është e drejtë. Çfarë? A duhet ta vrasim? Pa dyshim, që i lamë të shkojnë... Ne nuk duam të kemi gjak të njerëzve të pafajshëm në duart tona, vetëm sepse nuk mendojnë si ne”, ka thënë Balitsky.
Dëbimet janë shtuar pas të ashtuquajturit “referendum” në shtator të vitit 2022. Votimet u ofruan autoriteteve lokale rrugë tjetër për t’i zbuluar simpatizuesit e mundshëm ukrainas.
Një burrë në të 70-t, i cili kërkoi të mos identifikohej, sepse ka të afërm që jetojnë akoma në territorin e pushtuar, ka treguar se si disa gra të shoqëruara nga ushtarë të armatosur rusë, shkonin shtëpi pas shtëpie për votat e referendumit. U ka treguar se nuk dëshironte të votojë. I kishin thënë se ishte në rregull dhe vendosën një shënim afër emrit të tij. Natën vonë, një grup me ushtarë hynë në shtëpinë e tij, e rrëzuan në tokë dhe filluan ta rrihnin e ta shkelmonin. Pas disa minutave, i thanë se do të riktheheshin pas disa ditësh dhe se do ta dëbonin zyrtarisht nga rajoni. U largua me dëshirën e vet dhe tani jeton në një banesë në një qytezë të vogël të Polonisë, ku janë shpërngulur mijëra ukrainas të larguar nga Zaporizhzhia. Ka lënë pas anëtarët e familjes, varrin e gruas së tij, bagëtinë, veturën dhe shtëpinë në të cilën ka jetuar që nga vitet ’70.
“Trupi im është këtu, por shpirti është atje. Në shtëpi isha i dobishëm. Ky këtu është një shtet i huaj, një gjuhë e huaj. Askush nuk ka nevojë për mua”, ka thënë ai.
Kidnapimet
Përveç dëbimeve, autoritetet ruse kanë kidnapuar mijëra ukrainas të konsideruar të jenë të rrezikshëm. Shumë nga familjet nuk kanë marrë lajme nga të dashurit e tyre për muaj të tërë.
Në një shtëpi të vogël në periferi të Zaporizhzhias, Tetiana Dolzhenko ka treguar historinë e djalit të saj Maksym, i cili ishte 31-vjeçar kur nisi lufta. Maksymi ka qenë aktiv në qarqet nacionaliste ukrainase që nga revolucioni “Maidan” në vitin 2014 dhe në fillim të majit, tre burra të armatosur kishin ardhur në shtëpinë e Dolzhenkos në agim. Ata kishin thyer xhamat dhe dyert e shtëpisë së familjes, dhe e tërhoqën zvarrë Maksymin në rrugë. E zhveshën dhe filluan ta rrihnin, para se ta fusnin në një veturë. Tetiana shkoi nga një stacion policor në tjetrin duke kërkuar djalin, por askush nuk i jepte informacione. Në tetor të 2022-s, disa ushtarë rusë erdhën në apartamentin e saj për t’i treguar se Maksymi ishte gjallë dhe po mbahej në një bodrum vetëm 10 minuta larg shtëpisë. Ata erdhën, siç kanë thënë, për t’i dhënë asaj urimin e ditëlindjes nga djali. Ky gjest jokarakteristik i vullnetit të mirë, sipas saj, ndodhi sepse njërin nga ushtarët e mundonte ndërgjegjja. “Unë mund të shihja në sytë e tij se ai e kuptoi se në çfarë kishte hyrë. Sytë nuk gënjejnë kurrë”, ka kujtuar ajo.
Në dhjetor të 2022-s, agjencia ruse e lajmeve “RIA Novosti” publikoi një video të Maksymit, duke supozuar se ishte nacionalist ukrainas i sapokapur, i cili “jepte dëshminë vullnetarisht për krimet e tij”. Videoja ishte provë, të paktën, që Maksymi ishte akoma gjallë. Por ajo ishte shenja e fundit e tij. Tetiana dëgjoi thashetheme se mund të ishte transferuar në Krime, ku shumë qytetarë të kidnapuar mbahen, por nuk ka pasur lajme për Maksymin qe 14 muaj.
Tetiana provoi të largohej nga Melitopoli verën e kaluar, por iu refuzua leja për t’u larguar. Për të lehtësuar procesin, aplikoi për një pasaportë ruse. Për të marrë pasaportën, u detyrua ta këndonte himnin kombëtar rus nën portretin e Putinit.
Edhe
Zelensky sfidon Putinin për Kostyantynivkan: Nëse e keni nën kontroll, të takohemi aty
Në janar, ia arriti të largohej me pasaportën e re dhe udhëtoi për në Zaporizhzhia. Udhëtimi dikur zgjaste 45 minuta, kurse tani merr katër ditë, në një rrugë përgjatë Rusisë, për t’iu mënjanuar kalimit nëpër vijën e frontit.
Tetiana përpiqet të fillojë jetë të re në Zaporizhzhia dhe është duke kërkuar punë. Por është e merakosur për vendndodhjen e djalit.
Në shkurt, shërbimi ukrainas i sigurisë “SBU” i ka thënë Tetianës se emri i Maksymit ishte në listat e dorëzuara për rusët. Por rusët nuk konfirmuan se po mbanin të burgosur me atë emër.
Ivan Fedorov, udhëheqës i emëruar nga Kievi, i rajonit Zaporizhzhia, ka thënë në një intervistë se rusët kanë kidnapuar 1,000 civilë vetëm nga Melitopoli.
Ripopullimi dhe propaganda
Teksa shumë role pushtuese u janë dhënë bashkëpunëtorëve, shërbimet e sigurisë “FSB” janë të importuara nga Rusia.
Kreu i FSB-së në Zaporizhzhia, Alexander Gaglazov, ishte transferuar nga një rol udhëheqës në FSB-në rajonale në Tambov të Rusisë, ndërsa kreu i komitetit të fuqishëm hetues rus, Alexander Tsarakayev, ka ardhur nga ishulli Sakhalin.
Përveç forcës, rusët kanë nisur propagandën për të kontrolluar mesazhet. Dokumentet e brendshme financiare të Kremlinit tregojnë shkallën e përpjekjeve. Një dokument, i cili daton që nga janari i 2023-s, thotë se 6.6 miliardë rubla janë ndarë për projekte të ndryshme në territoret e pushtuara, për trajnimin e civilëve të rinj shërbëtorë, “programe edukuese në mesin e rinisë” dhe vendosjen e censurës ruse të internetit që bllokon faqet “e padëshirueshme” të internetit dhe që monitoron përdorimin e internetit.
Një dokument nga qershori i vitit 2023 tregon financimin e disa burimeve të reja propagandistike në Zaporizhzhian e pushtuar, duke përfshirë faqe të internetit dhe kanale të Telegramit. Aty thuhet se 144 milionë rubla janë ndarë për regjionin më 2023 dhe dyfishi do të ndahet sivjet.
Buxheti i paralajmëruar për faqen e re të internetit, “vzaporozhye.ru”, përfshin edhe rrogat e tre gazetarëve të sjellë nga Moska, qira të zyrës, dy vetura dhe para për udhëtime. Kjo faqe interneti publikon propagandë ditore dhe kronika joreale të pushtimit. Nëse kërkohen emrat dhe fytyrat e punonjësve lokalë të qeverisë, të shfaqur nëpër artikujt e “vzaporozhye.ru”, përmes Googleit dhe teknologjive të njohjes së fytyrës tregon se shumica e tyre janë sjellë nga Rusia.
Në një artikull, Anna Moskalets, që paraqitet si kryetarja e degës së Unionit të Gazetarëve të Rusisë në Zaporizhzhia, ka folur për punën e “gazetarëve lokalë”. Në fakt, Moskalets ka mbërritur në Zaporizhzhia vetëm pas aneksimit rus. Para kësaj, ajo ishte redaktore e “Oktyabrsky Oilman”, gazetë lokale në rajonin rus të Bashkortostanit.
Zgjedhjet dhe e ardhmja
Gjatë javëve të fundit, zyrtarët rusë kanë shkuar shtëpi pas shtëpie, ku ka njerëz që jetojnë akoma, duke kontrolluar se cilat nga vendbanimet janë bosh dhe ku mund të rivendoseshin njerëz si dhe duke u bërë presion të marrin nënshtetësi ruse.
Lypka ka thënë se njerëzit të cilët kanë qëndruar nën pushtim mund të ndahen në tri kategori: ata që mirëpresin pushtimin rus, pleqtë që janë korruptuar me pensione të larta dhe ata që mbajnë kokat poshtë dhe presin ushtrinë ukrainase.
Kërcënimi nga partizanët ka alarmuar autoritetet ruse dhe siguria është duke u rritur para zgjedhjeve. Por, nevojitet më shumë se partizanët për të larguar pushtetin rus dhe dështimi i ofensivës së ushtrisë ukrainase vitin e kaluar ka qenë goditje psikologjike për banorët proukrainas.
Deri tani, gati gjysma e popullatës së rajonit është larguar vullnetarisht, duke përfshirë të dëbuarit dhe të kidnapuarit. Shumica tani është në qytetin Zaporizhzhia. Tjerët janë shpërndarë diku në Ukrainë a Evropë, duke shpresuar se ushtria ukrainase do të çlirojë territorin, në mënyrë që të kthehen në shtëpi.
Fedorovi ka thënë se popullata aktuale e zonave të pushtuara arrinte në 250 mijë banorë të paraluftës, me shtesë prej 150 mijë rusëve të sapoardhur, duke përfshirë ushtarë, policë dhe civilë.
Nga territori ukrainas, policia dhe shërbimi i sigurisë “SBU” monitorojnë ngjarjet në zonat e pushtuara dhe hartojnë lista të bashkëpunëtorëve lokalë për përdorim të mëvonshëm. Në Molochansk, zyrtari përgjegjës për zyrën e rekrutimit ushtarak është kthyer kah rusët, sikurse edhe një këshilltar lokal që kishte shkruar himnin e qytetit. Lypka madje ka miq që kanë rënë dakord të bashkëpunojnë dhe ende përpiqet t’i kuptojë arsyet e tyre.
Në mendjen e të gjithëve është se çka do të ndodhë nëse Ukraina rifiton territorin. Në qytete si Iziumi, i cili u pushtua për vetëm pesë muaj në vitin 2022, akuzat dhe dyshimet ishin të kudondodhura kur Ukraina rifitoi kontrollin. Në Zaporizhzhia, ku pushtimi po arrin dyvjetorin, zgjidhja e motivimeve të njerëzve dhe dallimi i linjës së paqartë midis mbijetesës dhe bashkëpunimit konsiderohet detyrë e vështirë dhe e dhimbshme.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
“Si të ndërtojmë paqe dhe harmoni mes qytetarëve tanë përsëri? Do të jetë problem i madh, problemi më i madh”, ka thënë Fedorovi.
Marrë nga “The Guardian”. Përgatiti: Latra Gashi