Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli vazhdon me planin për zgjerim në Bregun Perëndimor pavarësisht kritikave të SHBA-së

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, është zotuar se do të vazhdojë zgjerimin e vendbanimeve në zonën e pushtuar të Bregut Perëndimor, duke sfiduar presionin ndërkombëtar mbi Izraelin për ta ndaluar ndërtimin në tokën që palestinezët e shohin si qenësore për një shtet të pavarur.

Të martën vonë, Smotrichi ka miratuar vendbanimin e ri të quajtur Mishmar Yehuda, në Gush Etzion, grup vendbanimesh hebraike në jug të Jerusalemit dhe ka thënë se do të vazhdojnë punimet për vendbanimet e ardhshme.

“Ne do të vazhdojmë zgjerimin e vendbanimeve përgjatë vendit”, ka thënë ai në një deklaratë, raporton “Reuters”.

Lëvizja vjen disa ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u shpreh se Washingtoni konsideron që vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor janë në mospërputhje me ligjin ndërkombëtar, duke u rikthyer në pozicionin e mbajtur gjatë nga SHBA-ja, qëndrim i ndërruar nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

Ky ndryshim ka sjellë SHBA-në në një linjë me pjesën tjetër të botës, të cilët i konsiderojnë vendbanimet e ndërtuara në territorin e pushtuar nga Izraeli, në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, si të paligjshme. Izraeli kundërshton këtë pikëpamje, duke cituar historinë e hebrenjve dhe lidhjet biblike me tokën.

Palestinezët kanë thënë se zgjerimi i vendbanimeve përgjatë Bregut Perëndimor është pjesë e politikës së qëllimshme të Izraelit për të ulur ambiciet për krijimin e një shteti me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Edhe Izraeli miraton 19 vendbanime të reja hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar Botë Izraeli miraton 19 vendbanime të reja hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar

Javën e kaluar, ministrat izraelitë ranë dakord të mblidhnin një këshill planifikimi për të miratuar ndërtimin e rreth 3,300 shtëpive, vendim të cilin Blinkeni e konsideroi si zhgënjyes për Washingtonin, i cili ka bërë përpjekje për zgjidhje të konflikteve midis Izraelit dhe palestinezëve.

“Kjo është përgjigjja jonë për kombet e botës”, ka thënë Shlomo Ne'eman, bashkiaku i Këshillit të Qarkut Gush Etzion. “Ne do vazhdojmë përpara dhe do ta forcojmë Gush Etzionin me më shumë banorë, shkolla, rrugë dhe kopshte për fëmijë”.