Izraeli i ka përsëritur thirrjet për evakuim pasi ka njoftuar zgjerimin e ofensivës në pjesën jugore të qytetit të Gazës. E dhjetëra mijëra palestinezë nuk po mund të gjejnë më vende të sigurta për strehim
Ushtria izraelite ka përsëritur thirrjet për evakuime masive nga qyteti jugor Khan Younisit, ku dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar strehim në javët e fundit, pasi zgjeroi ofensivën e saj tokësore dhe bombardoi objektivat në të gjithë Rripin e Gazës.
Ofensiva e zgjeruar, pas përfundimit të një armëpushimi njëjavor, ka për qëllim eliminimin e anëtarëve të Hamasit të Gazës, sulmi i të cilëve më 7 tetor në Izrael shkaktoi dhunën më vdekjeprurëse izraelito-palestineze në dekada.
Lufta ka marrë jetën tashmë të mijëra palestinezëve dhe ka zhvendosur mbi tri të katërtat e popullsisë së territorit prej 2.3 milionë banorësh, të cilëve po u mbarojnë vendet e sigurta për t’u strehuar.
Tashmë nën presionin në rritje nga aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, Izraeli duket se po përgatitet për të dhënë goditje vdekjeprurëse kundër Hamasit përpara një armëpushimi tjetër.
Sulmet ajrore dhe ofensiva tokësore kanë transformuar pjesën më të madhe të veriut, duke e shndërruar qytetin e Gazës në një shkretëtirë të mbushur me rrënoja.
Rreth 2 milionë njerëz tani janë të grumbulluar në jugun e Gazës, që vlerësohet të jetë cak i sulmeve izraelite.
Teksa Izraeli kërkon që banorët të evakuohen nga shumë zona, nuk është e qartë se ku mund të shkojnë njerëzit.
Strehimoret janë të mbingarkuara, e Izraeli dhe Egjipti fqinj kanë refuzuar të pranojnë refugjatët.