Botë

Izraeli pretendon se Hamasi po inskenon zbulimin e mbetjeve të pengjeve në Gazë

Hamasi

Foto: Associated Press

Izraeli ka publikuar një video për të cilën pretendon se Hamasi duket duke bërë organizimin e zbulimit të mbetjeve mortore të një pengu në Gazë.

Eshtrat e pjesshme të kthyera në Izrael të hënën u identifikuan si të Ofir Tzarfatit.

Tzarfati ishte rrëmbye gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili u bë shkaktar që të niste lufta, e në të cilin militantët vranë rreth 1,200 njerëz atë ditë dhe morën 251 pengje.

Tzarfati ishte vrarë në robëri dhe trupi i tij ishte marrë nga trupat izraelite në nëntor 2023.

Në mars 2024, familja e tij kishte marrë mbetje shtesë për varrim.

Videoja e publikuar nga Izraeli tregon një qese të bardhë kufomesh që hidhet nga një ndërtesë e dëmtuar në një zonë të gërmuar.

Tre burra të maskuar shihen duke varrosur qesen e kufomës përpara se makineritë e rënda ta zhvendosin atë në një zonë aty pranë, ku varroset për herë të dytë.

Burrat më pas e gërmojnë atë përpara se të bëhen foto të qeses së kufomës. Njerëz të veshur me jelekë të kuq mund të shihen duke vëzhguar.

Associated Press ka analizuar pamjet dhe ka konfirmuar vendndodhjen e saj. Megjithatë, nuk ka mundur të konfirmonte datën ose orën e saktë kur u filmua ose nëse mbetjet mortore ishin në fakt brenda qeses së trupit.

“Ky filmim tregon qartë se organizata terroriste Hamas po përpiqet të krijojë një përshtypje të rreme për përpjekjet për të gjetur trupat, ndërsa në fakt mban pengje të vdekur, mbetjet e të cilëve refuzon t’i lirojë siç kërkohet nga marrëveshja”, ka thënë ushtria izraelite në një deklaratë.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian, e ka quajtur skenën një “mashtrim të turpshëm” dhe ka thënë se qesja e kufomave përmbante mbetjet e pjesshme të Tzarfatit.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka konfirmuar në një deklaratë me shkrim se një ekip ishte i pranishëm “me mirëbesim” dhe nuk ishte në dijeni të rrethanave që çuan në zbulimin e mbetjeve.

“Është e papranueshme që u inskenua një rikuperim i rremë, kur kaq shumë varet nga respektimi i kësaj marrëveshjeje dhe kur kaq shumë familje ende presin me padurim lajme për të dashurit e tyre”, ka thënë Sarah Davies, një zëdhënëse e KNKK-së.

Lexo përditësimet tjera
Gaza

Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Të paktën 60 palestinezë, përfshirë fëmijë janë vrarë në një valë sulmesh izraelite në Gazë të...