Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli njofton se ka marrë listën e pengjeve të radhës që do të lirohen

Izraeli ka njoftuar se ka marrë listën e grupit të tretë të pengjeve që do të lirohen nga Hamasi të dielën, por ka thënë se nuk ka kohë të saktë se kur do të lirohen, raporton “BBC”.

Me marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Hamasit, me ndërmjetësimin e Katari, do të lirohen 50 pengje që u morën nga Hamasi në Izrael në sulmin e 7 tetorit, në këmbim të 150 të burgorusve palestinezë. Po ashtu gjatë një periudhe katërditore do të ketë armëpushim në Gaza e do të lejohet hyrja e ndihmave humanitare në Gaza. Marrëveshja nisi së zbatuari të premten.

Deri më tash janë liruar 26 pengje izraelite – gra e fëmijë, ndërsa po ashtu janë liruar edhe 14 pengje tajlandeze dhe një filipinase.

78 të burgosur palestinezë janë liruar nga burgjet e Izraelit gjatë dy ditëve të fundit.

Pritet të vazhdojë zbatimi i marrëveshjes edhe të dielën.

Në sulmin befasues të Hamasit më 7 tetor u vranë mbi 1200 persona në Izrael dhe u morën mbi 250 pengje. Si kundëpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza. Në sulmet në Gaza raportohet të jenë vrarë mbi 14 mijë e 500 persona, shumë prej tyre fëmijë.