Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Izraeli nis vaksinimin e fëmijëve me dozën e tretë

Izraeli ka zgjeruar fushatën e vaksinimit masiv kundër koronavirusit, duke i bërë pjesë të programit për dozën e tretë të vaksinës edhe fëmijët prej moshës 12-vjeçare. Vendimi i aprovuar në fundjavë përbën fazën e fundit të programit që nisi muajin e kaluar me izraelitët mbi 60 vjeç që morën dozën e tretë. Kjo fushatë u zgjerua me përfshirje të atyre që kanë mbushur 50, 40 e 30 vjet.

Shumë izraelitë në të njëzetat kanë nisur të marrin dozën e tretë të vaksinës në njërën prej qendrave të vaksinimit në vend. Më shumë se dy milionë qytetarë – apo mbi 20 për qind e popullsisë – kanë marrë dozën e tretë. Izraeli ishte njëri prej shteteve me fushatën më të shpejtë të vaksinimit, duke e shtyrë Qeverinë në fillim të vitit që t’i shfuqizonte pothuajse të gjitha kufizimet.

Por tani është njëri prej shteteve me shkallën më të lartë të infektimeve në botë pas përhapjes së variantit Delta, madje edhe në mesin e të vaksinuarve. Izraeli ka kthyer masat që e bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskës dhe ka ndaluar tubimet. Izraeli aprovoi dozën e tretë pasi ekspertët vlerësuan se ngrit shkallën e efikasitetit mbrojtës kundër infektimit.