Sulmi i Izraelit në burgun Evin në kryeqytetin e Iranit, Teheran, më 23 qershor ka lënë të vdekur 71 persona, ka thënë të dielën zëdhënësi i gjyqësorit iranian, Asghar Jahangir.
Në fund të një lufte ajrore me Iranin, Izraeli ka goditur burgun më famëkeq të Teheranit për të burgosurit politikë, në një demonstrim se po zgjeronte objektivat e tij përtej centraleve ushtarake dhe bërthamore për të synuar simbolet e sistemit qeverisës të Iranit.
"Në sulmin ndaj burgut Evin, 71 persona u martirizuan, përfshirë stafin administrativ, të rinjtë që kryenin shërbimin ushtarak, të paraburgosurit, anëtarët e familjeve të të paraburgosurve që po i vizitonin dhe fqinjët që jetonin në afërsi të burgut", ka thënë Jahangir.
Ai kishte thënë më parë se një pjesë e ndërtesës administrative të burgut Evin ishte dëmtuar në sulm dhe njerëzit ishin vrarë dhe plagosur.
Burgu Evin mban një numër shtetasish të huaj, përfshirë dy shtetas francezë të paraburgosur për tre vjet.
"Sulmi që synonte burgun Evin në Teheran i vuri në rrezik qytetarët tanë Cecile Kohler dhe Jacques Paris. Është e papranueshme", ka thënë ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, në rrjetet sociale pas sulmit.