Tashmë janë bërë një vit që kur Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari janë duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Përpjekjet që deri tash ishin të pasuksesshme, janë ripërtërirë pak para inaugurimit të Trumpit më 20 janar.
Izraeli ka thënë të premten se ka kryer sulme ajrore ndaj dhjetëra objektivave të Hamasit në Gazë gjatë 24 orëve të fundit, të cilat sipas autoriteteve shëndetësore palestineze shkaktuan vdekjen e të paktën 100 personave.
Intensifikimi i operacioneve dhe rritja e numrit të viktimave vjen në një kohë kur janë ripërtërirë përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi përpara se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump të marrë detyrën këtë muaj. Negociatorët e Izraelit shkuan të enjten në Doha, për të rifilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka thënë se 27 persona u vranë të premten herët, ndërsa 71 u vranë një ditë më parë, përfshirë në Al-Mawasi, një zonë në Gazën qendrore, e shpallur më parë si zonë e sigurt humanitare nga autoritetet izraelite.
Ushtria izraelite ka thënë se kishte goditur rreth 40 pika grumbullimi të Hamasit, si dhe qendra komandimi dhe kontrolli të tij. Ushtria ka njoftuar se kishte marrë masa të shumta për të minimizuar pasojat te civilët, përfshirë përdorimin e municioneve me precizitet të lartë, mbikëqyrjen ajrore dhe informacione të tjera zbulimi.
Izraeli e ka akuzuar Hamasin për vendosjen e luftëtarëve në zona civile, përfshirë në ndërtesat e përdorura më parë si shkolla. Hamasi ka hedhur poshtë akuzat se përdor qëllimisht popullatën civile për të mbrojtur luftëtarët.
Të premten, ushtria u ka thënë civilëve në zonën al-Bureij në Gazën qendrore që të evakuoheshin përpara një operacioni që u ndërmor pas sulmeve me raketa nga zona. Thirrja ishte që banorët duhet të zhvendosen në zonën humanitare për sigurinë e tyre.
Tashmë janë bërë një vit që kur Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari janë duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Përpjekjet që deri tash ishin të pasuksesshme, janë ripërtërirë pak para inaugurimit të Trumpit më 20 janar.
Përpjekjet për armëpushim kanë ngecur vazhdimisht për shkak të një mosmarrëveshjeje themelore mbi mënyrën se si t'i jepet fund konfliktit.
Hamasi ka thënë se do të pranojë një marrëveshje dhe do të lirojë pengjet vetëm nëse Izraeli angazhohet për t'i dhënë fund luftës. Izraeli ka thënë se do të pranojë të ndalojë luftimet vetëm pasi Hamasi të shkatërrohet.
Presidenti amerikan Joe Biden ka bërë thirrje vazhdimisht për një marrëveshje armëpushimi. Presidenti i zgjedhur, Trump, ka thënë se nëse nuk ka një marrëveshje për lirimin e pengjeve përpara inaugurimit të tij, ai do të reagojë me forcë.
Ushtria izraelite ka hyrë pothuajse në çdo pjesë të Gazës, por ende po lufton ndaj militantëve të Hamasit, të cilët po zhvillojnë luftë guerile mes rrënojave të enklavës së vogël.
Izraeli e filloi sulmin në Gazë në përgjigje të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin militantët vranë rreth 1200 vetë dhe morën rreth 250 pengje. Fushata ushtarake e Izraelit, me synim çrrënjosjen e Hamasit, ka shkatërruar pjesë të enklavës, duke dëbuar shumicën e njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe ka shkaktuar vdekjen e 45,581 palestinezëve sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi dhe nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve. /VOA