Autoritetet izraelite i kanë hedhur poshtë kritikat nga udhëheqësit botërorë pas miratimit të planit nga kabineti i sigurisë për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se vendet që e dënuan Izraelin dhe kërcënuan me sanksione “nuk do ta dobësojnë fare vendosmërinë tonë”.
“Armiku do të na gjejë si një grusht të fortë dhe të bashkuar që do ta godasë me forcë të madhe”, ka shtuar ai.
Vendimi i Izraelit për të zgjeruar luftën në Rripin e Gazës është dënuar ashpër nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe disa vende përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Kanadanë, teksa Qeveria e Gjermanisë mori vendim për të pezulluar eksportet ushtarake në drejtim të shtetit hebraik, ka shkruar BBC.
Plani, i miratuar nga kabineti i sigurisë izraelite, ka përcaktuar pesë parime për fundin e luftës: (1) Çarmatosjen e Hamasit; (2) Kthimin e të gjitha pengjeve; (3) Demilitarizimin e Rripit të Gazës; (4) Marrjen e kontrollit të sigurisë në territor dhe (5) Krijimin e “një administrate civile alternative që s’është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez”.
Bazuar në raportimet e mediave izraelite, plani fillimisht përqendrohet në marrjen e plotë të kontrollit të qytetit të Gazës, duke i zhvendosur rreth një milion banorët e këtij qyteti drejt jugut. Po ashtu, forcat ushtarake do të merrnin kontrollin e kampeve të refugjatëve në Gazën qendrore dhe zonave ku aludohet se mbahen pengjet.
Ofensiva e dytë do të pasonte disa javë më vonë, paralelisht me rritjen e ndihmës humanitare, sipas mediave izraelite.
Vendimi për të përshkallëzuar konfliktin ka nxitur kundërshtime edhe brenda Izraelit, përfshirë nga elita ushtarake dhe familjarët e pengjeve që mbahen në Gazë.
Ndërkaq, në grupin militant palestinez, Hamas, kanë deklaruar se plani për të pushtuar qytetin e Gazës “përbën krim të ri lufte” dhe se kjo do t’i “kushtojë shumë” Izraelit.
Të premten, ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë, Zelandës së Re dhe Australisë publikuan një deklaratë të përbashkët për ta kundërshtuar planin, duke thënë se ai do ta “përkeqësojë” situatën tashmë “katastrofike” në Rripin e Gazës.
“Çdo përpjekje për aneksim apo zgjerim të vendbanimeve bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk, ka paralajmëruar se përshkallëzimi i mëtejshëm do të “sjellë zhvendosje masive të detyruar, më shumë vrasje, vuajtje të papërballueshme, shkatërrim të pakuptimtë dhe krime mizore”.
Mes tjerash, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i ka thënë homologut gjerman Friedrich Merz se ishte i zhgënjyer me vendimin e Berlinit zyrtar për të pezulluar eksportet e armëve drejt Izraelit, tek e ka vlerësuar këtë veprim si “shpërblim për terrorizmin e Hamasit”.