Botë

Izraeli godet portin në Jemen, kërcënon grupin Houthi me bllokadë detare e ajrore

Izrael-Jemen

Flota ushtarake detare e Izraelit ka goditur portin Hodeidah në Jemen, ndërsa ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka kërcënuar grupin militant, Houthi, të mbështetur dhe financuar nga Irani, me bllokadë detare e ajrore në rast se vazhdojnë sulmet karshi Izraelit, ka raportuar Reuters.

Televizioni i kontrolluar nga Houthit, “Al Masirah”, ka bërë të ditur se Izraeli ka shënjestruar vendet ku ankorohen anijet në portin Al Hodeida. Ushtria izraelite tha përmes një njoftimi se flota e vendit ka goditur shënjestra të Houthive, tek ka shtuar se porti përdoret nga grupi militant për të bartur armatim.

Nuk ka pasur ende ndonjë raportim për viktima.

Sulmet kanë ndodhur në kohën kur ushtria izraelite ka lëshuar urdhra për evakuimin e porteve të kontrolluara nga Houthit, sikurse Ras Isa, Hodeidah dhe Salif.

“Ne e paralajmëruam organizatën terroriste Houthi që, nëse vazhdojnë të sulmojnë Izraelin, do të përballen me një përgjigje të fuqishme dhe do të ndeshen me një bllokadë detare dhe ajrore”, ka shkruar Katz në rrjetin social X.

Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetorin e 2023-tës, Houthit, të mbështetur nga Irani, kanë lëshuar raketa në drejtim të Izraelit dhe anijeve në Detin e Kuq, duke trazuar tregtinë globale, në atë që e kanë kualifikuar si akt solidariteti me palestinezët.