Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Izraeli dhe Irani kanë lëshuar sulme të reja dhe të ashpra ndaj njëri-tjetrit të premten, një ditë pasi Teherani goditi një rafineri nafte të Izraelit dhe pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Izraelin kundër sulmeve në një fushë të gazit iranian, të përbashkët me Katarin.

Ushtria e Izraelit ka thënë se ka goditur infrastrukturën e regjimit terrorist iranian. Ndërkaq Irani ka goditur Tel-Avivin duke nxitur reagimin e sistemit të mbrojtjes ajrore të Izraelit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lufta në Iran ka marrë jetën e mijëra njerëzve, shumica në Iran dhe Liban, por edhe në Lindje të Mesme. Kur po bëhen tri javë nga sulmi i Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi Iran, ekonomia botërore është prekur dukshëm.

Çmimet e derivateve janë ngritur skajshëm e kjo ka çuar edhe në shtrenjtim të produkteve të tjera.

Trumpi paralajmëron tërheqjen nga lufta në Iran

5 d. më parë / 20 mar 2026 22:45
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka thënë se janë pranë arritjes së objektivave në Lindjen e Mesme, duke lënë të kuptohet për tërheqje të mundshme të angazhimit ushtarak në rajon, shkruan BBC.

Përmes një postimi në Truth Social të premten, Trump ka shkruar se po shqyrtojnë përfundimin e përpjekjeve ushtarake në lidhje me regjimin e Iranit.

“Po i afrohemi shumë arritjes së objektivave tona, ndërsa po shqyrtojmë përfundimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me regjimin terrorist të Iranit”, shkroi ai.

Por për Ngushticën e Hormuzit, Trump theksoi se ajo duhet të ruhet nga vende të tjera, që edhe e përdorin. Theksoi se SHBA-ja nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në këtë proces.

Megjithatë, ai la të hapur mundësinë e mbështetjes amerikane nëse kërkohet nga vendet e tjera.

“Nëse kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të zhduket”, përfundoi Trump.

Lufta në Iran shpërtheu më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një ofensivë të gjerë ajrore kundër objektivave ushtarake dhe infrastrukturës strategjike iraniane. Ka pasur edhe viktima civile, ku në një shkollë fillore në Iran vdiqën 160 persona, përfshirë nxënës, në ditët e të sulmeve amerikano-izraelite.

Sulmet fillestare amerikano-izraelite përfshinë qindra goditje ndaj bazave raketore, mbrojtjes ajrore dhe strukturave të udhëheqjes, ku ndër të vrarët ishte edhe lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei.

Menjëherë pas kësaj, Irani u kundërpërgjigj me sulme masive me raketa dhe dronë ndaj objektivave amerikane dhe aleate në rajon, duke përfshirë shtete të Gjirit si Kuvajti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Konflikti u përshkallëzua shpejt në një përplasje rajonale, me sulme që u shtrinë edhe në hapësira të tjera si Jordania, ndërsa mbrojtjet ajrore interceptuan dhjetëra raketa dhe dronë.

Lufta pati edhe dëme ekonomike, sidomos në sektorin e naftës. Çmimet po rriten dukshëm. 

Ukraina çon 228 specialistë për dron në Lindje të Mesme

5 d. më parë / 20 mar 2026 21:57
dron

Ukraina ka nisur 228 specialistë në Lindje të Mesme për t’i ndihmuar vendet e këtij rajoni në mbrojtje nga dronët, shkruan AP të premten.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është duke u punuar bashkë me udhëheqës të pesë vendeve të Lindjes së Mesme dhe të Gjirit Persik (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahrejni) për ta nënshkruar marrëveshje të rëndësishme, porse nuk e ka specifikuar natyrën e saj.

Ai ka thënë se grupet punuese ukrainase dhe amerikane do të vazhdojnë punën mbi dokumentet dypalëshe midis Kievit dhe Washingtonit dhe do të diskutojnë një marrëveshje të gjerë për dronët gjatë takimit të fundjavës në SHBA.

Ukraina është bërë një prej prodhuesve kryesorë botërorë të interceptorëve të dronëve të teknologjisë së fundit, që janë testuar në betejë dhe kanë kosto të ulët. Ato luajnë rol kyç në mbrojtjen e saj kundër pushtimit të Rusisë.

Bazuar në përvojën e Ukrainës nga lufta me Rusinë, Zelensky edhe më herët pati shprehur gatishmëri që t’i mbështesë me ekspertizë vendeve arabe të Gjirit, të cilat janë në shënjestër të dronëve iranianë, Shahed, e që përdoren gjerësisht nga forcat ruse.

Britania i jep leje SHBA-së të përdorë bazat ushtarake për operacione në Ngushticën e Hormuzit

5 d. më parë / 20 mar 2026 20:35
Donald Trump and Keir Starmer

Britania e Madhe i ka dhënë leje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përdorimin e bazave të saj për të kryer sulme ndaj objektivave iraniane që lidhen me Ngushticën e Hormuzit

Më herët ishte lejuar përdorimi i bazave vetëm për operacione me karakter mbrojtës, me qëllim parandalimin e sulmeve të Iranit që mund të rrezikonin interesat ose jetët britanike, raporton BBC.

Megjithatë, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar të premten, ministrat ranë dakord që ky autorizim të zgjerohet.

Por qeveria britanike e ka bërë të qartë se nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në sulme, ndërsa parimet e qasjes së saj ndaj konfliktit mbeten të pandryshuara.

“Parimet mbi të cilat bazohet qasja britanike mbeten të njëjta. Britania mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e popullit të saj, interesave dhe aleatëve, duke vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa u përfshirë në një konflikt më të gjerë”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Trump: Pa SHBA-në, NATO-ja është tigër prej letre

5 d. më parë / 20 mar 2026 15:35
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përshkallëzuar gjuhën duke i quajtur frikacakë aleatët e NATO-s.

Ai ka përdorur gjuhë të ashpër për shkak të refuzimit të aleatëve që ta ndihmojnë SHBA-në për të hapur Ngushticën e Hormuzit në Iran.

“Pa SHBA-në, NATO-ja është tigër prej letre. Ata nuk donin t’i bashkoheshin luftës për të ndalur një Iran me fuqi bërthamore. Tani ajo betejë është FITUAR, dhe me pak rrezik për ta, ata ankohen për çmimet e larta të naftës që detyrohen të paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një manovër e thjeshtë ushtarake që është arsyeja e vetme për çmimet e larta të naftës”, ka shkruar ia në “Truth Sociale”. “Shumë e lehtë për ta për ta bërë, me fare pak rrezik. FRIKACAKË, dhe ne do ta KUJTOJMË!”

Irani e ka mbyllur ngushticën e rëndësishme nga e cila kalon 20 për qind e naftës në nivel bote. Irani e mbylli pasi SHBA-ja dhe Izraeli e sulmuan më 28 shkurt. Pas rënies së eksporteve të derivateve, çmimet e naftës janë ngritur dukshëm.

“Fluturon” çmimi i naftës në botë, paralajmërohet vazhdim i errët

5 d. më parë / 20 mar 2026 14:11
Ngushtica e Hormuzit

Çmimi i derivateve është ngritur të premten pasi infrastruktura e energjisë në Lindjen e Mesme u dëmtua si dhe se po vazhdon të jetë e mbyllur Ngushtica e Hormuzit.

Madje siç ka paralajmëruar institucioni i madh financiar me bazë në New York, “Goldman Sachs”, çmimet e larta do të vazhdojnë deri në vitin 2027, shkruan CNN.

Nafta e papërpunuar Brent, që merret si çmim referues botëror i naftës, u shtrenjtua për 1.4 për qind dhe mbërriti në 110.2 dollarë për fuçi.

“Vazhdimësia e disa goditjeve të mëdha të furnizimit nënvizon rrezikon që çmimet e naftës do të mund të qëndrojnë mbi 100 dollarë edhe më gjatë”, është thënë në një analizë të “Goldmanit”.

Ngushtica e Hormuzit e Iranit është e mbyllur tash e 19 ditë. Ngushtica që shërben si rrugë për 20 për qind të furnizimit me derivate në botë, u mbyll pas sulmit të SHBA-së dhe të Izraelit ndaj Iranit.

“Axios”: Trumpi po planifikon të pushtojë ose bllokojë ishullin Kharg

5 d. më parë / 20 mar 2026 11:22
Khorg

Presidenti amerikan, Donald Trump, po konsideron ta pushtojë ose ta bllokojë ishullin Kharg të Iranit, për ta rritur presionin mbi Iranin për të hapur Ngushticën e Hormuzit, ka shkruar mediumi amerikan “Axios”.

Raportimi ka cituar katër burime që kanë folur në kushte anonimiteti.

“Ai do që Hormuzi të jetë i hapur. Nëse i duhet që për ta realizuar këtë, ta marrë ishullin Kharg, atëherë kjo do të ndodhë. Nëse ai vendos për pushtim bregdetar, kjo do të ndodhë. Por ky vendim ende nuk është marrë”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës për “Axios”.

Khargu është ishull në Gjirin Persik, rreth 25 kilometra larg tokës së Iranit. Konsiderohet qendër kyçe për Iranin, pasi përmes saj kalojnë rreth 90 për qind e eksporteve të naftës.

Ishulli ishte i paprekur për dy javët e para nga sulmet e SHBA-së dhe të Izraelit. Por të shtunën e shkuar, Trumpi tha se goditjet amerikane “kanë shkatërruar” pjesët kryesore të ishullit.

Guterres për luftën në Iran: Të dyja palët mund të kenë kryer krime lufte

5 d. më parë / 20 mar 2026 10:41
Antonio Guterres

Foto: AP

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se ka arsye të mjaftueshme të besohet se në luftën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit, të dyja palët kanë kryer krime lufte.

“Nëse ka sulme qoftë në Iran apo nga Irani në energjinë infrastrukturore, mendoj se ka bazë të arsyeshme për të menduar se ato mund të përbëjnë krime lufte”, ka thënë ai për “Politico”.

Më herët gjatë javës, Izraeli sulmoi fushat iraniane të gazit natyror, ndërsa Irani sulmoi kompleksin e gazit në Katar, duke përshkallëzuar edhe më tej luftën.

“Nuk shoh asnjë dallim. Nuk ka rëndësi kush i ka cak civilët. Është krejt e papranueshme”, ka thënë Guterres.

Izraeli dhe SHBA-ja më 28 shkurt sulmuan Iranin duke vrarë liderin suprem, Ali Khamenei. Irani në shenjë hakmarrje sulmoi Izraelin dhe bazat amerikane në rajon.