Këto doza, Izraeli raportohet se ia kishte ofruar Britanisë së Madhe në këmbim të një shifre të ngjashme vaksinash që vendi pritet t’i marrë nga kompania gjatë shtatorit. Porse, shkaku i disa problemeve teknike, jetësimi i marrëveshjes së diskutuar dypalëshe ka dështuar
Më shumë se 1 milion doza të vaksinës “Pfizer” kundër COVID-19 që po mbahen në Izrael dhe të cilave pritet që t’u skadojë afati në fund të muajit korrik rrezikojnë që të përfundojnë në shportë mbeturinash, si pasojë e dështimit të një marrëveshjeje me Britaninë e Madhe.
Izraeli raportohet se ia kishte ofruar këto doza Britanisë së Madhe në këmbim të një shifre të ngjashme vaksinash që vendi pritet t’i marrë nga kompania gjatë shtatorit. Kjo pasi autoritetet shëndetësore të vendit janë duke bërë përpjekje për vaksinimin sa më të shpejtë të pjesës më të madhe të popullatës së rritur, para se kufizimet kundër COVID-19 të hiqen në Angli deri në fund të muajit.
E përditshmja britanike “The Guardian” ka raportuar se një televizion izraelit ka zbardhur çështjen, duke raportuar se bisedimet rreth shkëmbimit të vaksinave midis Britanisë dhe Izraelit ishin në fazë të avancuar. Porse zyrtarët izraelitë më pas kanë pretenduar se problemet teknike e kishin pamundësuar jetësimin e marrëveshjes.
“Po mbaheshin diskutime mes Izraelit dhe Britanisë lidhur me mundësinë e shkëmbimit të vaksinave, por mjerisht, me gjithë vullnetin e të dyja palëve, shkaqet teknike e kanë pamundësuar përmbylljen e suksesshme të ujdisë”, ka bërë të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme izraelite, duke folur për “The Guardian”.
Gazeta britanike ka mësuar se Londra zyrtare nuk ka pasur plane për shkëmbimin e vaksinave edhe me vende të tjera. Televizioni izraelit “Channel” 12 ka raportuar se “Pfizeri” e ka hedhur poshtë kërkesën e Izraelit për zgjatjen e afatit të skadencës të vaksinave. Kompania raportohet të ketë pretenduar se nuk mund ta garantojë sigurinë e dozave pas 30 korrikut.
Plani për shpërndarjen e këtyre më se 1 milion dozave në Bregun e okupuar Perëndimor ka dështuar gjithashtu muajin e shkuar, pasi liderët palestinezë kanë kundërshtuar t’i pranojnë vaksinat që kanë afat kaq të shkurtër të përdorimit.
“Qeveria refuzoi t’i pranojë vaksinat që janë afër skadimit”, ka thënë zëdhënësi i Autoritetit Palestinez, Ibrahim Melhem, për “The Guardian”.
Rreth 30 për qind e palestinezëve të denjë për vaksinim në Bregun Perëndimor dhe Gaza kanë marrë deri më tani nga një dozë të vaksinave kundër COVID-19, kanë treguan shifrat zyrtare. Kjo është shifër dukshëm më e ulët sesa ajo prej 75 për qind të izraelitëve që tanimë janë plotësisht të imunizuar.
Me përhapjen e shpejtë të variantit Delta të koronavirusit, veçmas mes personave të pavaksinuar, Qeveria izraelite ka nisur fushatën edhe për imunizimin e 12 deri 15-vjeçarëve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i kishte këshilluar më herët të gjitha vendet e botës që të mos i hedhin dozat e skaduara të vaksinave, në pritje të kërkimeve të mëtutjeshme për të përcaktuar nëse ato mund të jenë të shfrytëzueshme edhe përtej afatit.