Botë

Izraeli beson se 161 pengje ende po mbahen në Gaza

Izraeli beson se edhe 161 pengje tjera ende po mbahen në Rripin e Gazës nga militantët e Hamasit, raporton “BBC”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Izraelit, Eylon Levy, ka thënë se në këtë shifër janë 146 izraelitë dhe 15 të huaj. Prej tyre 126 janë burra e 35 gra.

Levy tha se janë ende katër të mitur që po mbahen dhe dhjetë persona mbi 75 vjet. Nuk është e qartë se sa nga pengjet janë ushtarë.

“Ne duam që gjitha pengjet të kthehen në shtëpi”, ka thënë Levy në konferencë për media.

Ndërkohë Ushtria e Izraelit ka thënë se po heton pretendimet e Hamasit se një foshnjë që po mbahej peng ka humbur jetën në bombardimet izraelite në Gaza.

Hamasi kishte thënë se fëmija dhjetëmuajsh Kfir Bibas së bashku me vëllain 4-vjeçar dhe nënën e tyre humbën jetën në një bombardim të mëhershëm izraelit në Gaza.

Ushtria e Izraelit ka thënë se po heton këtë rast.

E Izraeli ka kryer të mërkurën një bastisje në kampin e refugjatëve në Jenin në Bregun Perëndimor, dhe vra “dy terroristë të rangut të lartë”.