Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Italia tejkalon Kinën për numrin e viktimave nga koronavirusi

Foto: Reuters

Italia ka tejkaluar Kinën për numrin e viktimave nga koronavirusi, raporton Reuters.

427 viktima janë regjistruar në Itali në 24 orët e fundit, duke e çuar në total numrin e viktimave në 3,405 që nga shpërthimi i parë i koronavirusit më 21 shkurt.

Derisa Kina që nga janari ka regjistruar 3,245 viktima nga koronavirusi, transmeton KOHA.

Megjithatë, Italia ka shumë më pak raste të konfirmuara me koronavirus 41,035 krahasuar me Kinën që ka 80,907.

Zyrtarët dhe ekspertët besojnë se numri i përgjithshëm i të infektuarve në Itali është edhe më i lartë, me testimet që janë kufizuar për shkak të atyre që vijnë për kujdes spitalor.

Numri i lartë i popullatës, që gjithashtu është e moshuar, të cilët janë në veçanti të prekshëm nga virusi, shihet si faktor për numrin e lartë të vdekjeve.

“Jemi duke punuar në një gjendje stresi dhe tensioni shumë të lartë”, ka thënë Daniela Confalonieri, infermiere në një spital në Milano, kryeqyteti i rajonit të pasur verior të Lombardisë, i cili ka qenë epiqendra e epidemisë. “Fatkeqësisht nuk mund të përmbajmë situatën në Lombardi. Ka një nivel të lartë të sëmundjes dhe madje as nuk i numërojmë të vdekurit më”.

Për të nënvizuar këtë shkallë të lartë dramatike, ushtarët kanë transportuar trupat brenda natës nga Bergamo në verilindje të Milanos, varrezat e të cilit tashmë janë të mbingarkuara.

Një zëdhënës i ushtrisë ka bërë të ditur se 15 kamionë dhe 50 ushtarë ishin vendosur për të transferuar arkivolet në provincat fqinje.

Artikuj të ngjashëm