Shteti Islamik ka bërë të ditur të premten se njëri prej luftëtarëve të saj ka ndërmarrë sulmin me thikë në Melbourn të Australisë, në të cilin një person është vrarë dhe dy të tjerë janë lënduar, ka njoftuar ueb faqja e grupit “Amaq”, pa ofruar dëshmi për pretendimin.
“Personi që e ndërmori sulmin dhe e kreu operacionin në Melbourne është njëri prej luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe ai i është përgjigjur thirrjes për të marrë në shënjestër qytetarë të koalicionit”, thuhet në njoftimin e postuar në “Amaq”. Teksti i referohet thirrjes së liderit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, për të “përdorur bomba, thikë dhe vetura për kryerjen e sulmeve” në vendet që janë pjesë në koalicionin amerikan kundër kalifatit, të cilin ai e shpalli më 2014 në disa pjesë të Irakut dhe Sirisë, transmeton koha.net.
Sulmi i së premtes në Melbourne ndodhi pasi një burrë i vuri flakën kamionit të tij të mbushur me kanistra gazi në qendër të qytetit dhe pastaj theri me thikë tre personave, duke e lënë njërin prej tyre të vdekur, në atë që tani po trajtohet si sulm terrorist. Sulmuesi u qëllua dhe u plagos nga ana e policisë, ndërsa raportohet se ka vdekur më pas në spital.
Kamionit të mbushur me kanistra gazi iu vu flaka në rrugën e stëfrekuentuar Bourke, para se shoferi me prejardhje somaleze ta niste kërdinë me thikë, duke i sulmuar kalimtarët e rastit dhe policinë.
“Ende po punojmë për në zbardhjen e asaj nëse automjetit iu vu flaka pasi sulmuesi doli jashtë apo nëse ai doli nga vetura dhe pastaj automjeti u dogj”, tha të premten shefi i policisë në shtetit Victoria, Graham Ashton. “Sulmuesi vdiq në spital, njësoj si dhe një prej viktimave të tij”, tha Ashton. “Bazuar në atë që dimë deri më tani për sulmuesin, po e trajtojmë këtë rast si një incident terrorist”, tha ai.
Policia nuk dha informacione lidhur me identitetin e sulmuesit, por Ashton tha se ai është i njohur për policinë dhe autoritetet e Inteligjencës.