Një burrë i armatosur me thikë ka lënë të vdekur një person dhe ka lënduar edhe tre të tjerë të premten në një sulm në qytetin australian Melbourne, para se të qëllohet dhe të plagoset nga ana e policisë, e cila konfirmoi se rasti nuk ka të bëjë me terrorizëm.
Një video e postuar në “Twitter” dhe e transmetuar në televizionet lokale shfaq pamjet e një burri që kërcënon me thikë dy policë në një zonë të frekuentuar të qytetit, teksa në prapavijë shihet një veturë e kapluar nga flakët. Njëri prej policëve më pas qëllon në drejtim të sulmuesit dhe ai përplaset për tokë.
“Tre persona janë lënduar pasi u therën me thikë, fatkeqësisht një tjetër ka humbur jetën në vend të ngjarjes”, tha David Clayton, zyrtar policie në shtetin e Victorias. “Në këtë fazë, nuk dyshojmë për ndonjë ndërlidhje me terrorizmin. Megjithatë do ta mbajmë akoma të hapur edhe këtë opsion”, transmeton raportimin e medieve botërore “Koha Ditore”.
Clayton tha se policia ka mbërritur menjëherë në rrugën Bourke, një zonë kjo e njohur tregtare e qytetit, për të intervenuar në shuarjen e zjarrit në veturë.
“Teksa vetura po merrte flakë, një burrë i sulmoi policët dhe ata u kundërpërgjigjen, duke e plagosur gjatë zënkës”, tha ai. Pamjet e transmetuara nga vendi i ngjarjes shpërfaqin skenat kaotike të kalimtarëve të panikosur.
Një dëshmitar, i cili u identifikua vetëm me emrin Markel, tha për radion australiane “ABC”, tha se kalimtarët e rastit nisën të bërtasin: “Qëllojeni, thjeshtë qëllojeni”. Menjëherë pas sulmit, policia e rrethoi zonën, e cila të premteve është e stërfrekuentuar nga qytetarët.
Edhe
Sydney, policia po heton lidhjet e mundshme të sulmuesit me terrorizmin
Ndërkaq, edhe ekspertët e mjeteve shpërthyese u vendosën menjëherë në zonë.
Rruga ku ndodhi sulmi ka qenë skenë e një incidenti fatal por jo terrorist të janarit të 2017-s, kur një burrë e drejtori veturën e tij kah kalimtarët, duke lënë të vdekur gjashtë dhe të lënduar rreth 30 persona.