Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ish-presidenti i Brazilit akuzohet se gënjeu që mori vaksinën anti-COVID

Policia federale e Brazilit ka akuzuar ish-presidentin Jair Bolsonaro për “shoqatë kriminale” dhe “falsifikim të të dhënave të tij për vaksinimin anti-COVID”, duke shënuar aktakuzën e parë për liderin e së djathtës ekstreme. Rrethi i tij gjithashtu pritet të përfshihen në aktakuzë, shkruan The Guardian.

Gjykata Supreme të martën lëshoi aktakuzën e policisë që pretendon se Bolsonaro dhe 16 të tjerë kanë futur informacion të rremë në bazën e të dhënave të shëndetit publik për t’u dukur se ish-presidenti, vajza e tij 12-vjeçare dhe disa të afërm të tij kanë marrë vaksinën anti-COVID.

Gjatë pandemisë, Bolsonaro ishte një nga liderët e paktë botërorë që ishte kundër vaksinës, duke shkelur edhe kufizimet e duke inkurajuar shoqërinë ta ndjekë shembullin e tij. Administrata e tij injoroi disa emaile nga kompanitë farmaceutike gjatë kohës së COVID-19.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Brazilit do të ketë fjalën e fundit nëse do ta përdorë aktakuzën e policisë për të ngritur akuza kundër Bolsonaros në Gjykatën Supreme. Është njëra prej disa hetimeve që po zhvillohen kundër Bolsonaros, i cili qeverisi Brazilin midis viteve 2019 dhe 2022.

Por ish-presidenti është i qetë, edhe pse e pranon që nuk e ka marrë vaksinën anti-COVID.

“Është hetim selektiv. Unë jam i qetë, nuk kam borxh asgjë. Bota e di që unë nuk e kam marrë vaksinën”, ka thënë Bolsonaro.

Policia e akuzon Bolsonaron dhe ndihmësit e tij për ndërhyrje në bazën e të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë pak para se të udhëtonte në SHBA në dhjetor të vitit 2022, dy muaj pasi humbi zgjedhjet ndaj Luiz Inacio Lula da Silva.

Edhe Ish-presidenti brazilian do t’a vuajë në shtëpi dënimin prej 27 vjetësh burgim Botë Ish-presidenti brazilian do t’a vuajë në shtëpi dënimin prej 27 vjetësh burgim

Bolsonaro kishte nevojë për certifikatë vaksinimi për të hyrë në SHBA, ku qëndroi për ditët e fundit të mandatit. Dyshohet se e falsifikoi certifikatën.

Nëse dënohet për falsifikim të të dhënave shëndetësore, politikani 68-vjeçar mund të kalojë deri në 12 vjet pas hekurave. Ndërsa dënimi maksimal për akuzën e “shoqatës kriminale” është katër vjet.

Gjykata më e lartë zgjedhore e Brazilit e ka përjashtuar Bolsonaron nga kandidimi deri në vitin 2030, me arsyetimin se abuzoi me pushtetin gjatë fushatës së vitit 2022 dhe hodhi dyshime të pabaza në sistemin elektronik të votimit.