Ish-Papa Benedikt XVI dështoi të vepronte në lidhje me katër raste të abuzimeve me fëmijë kur ai ishte kryepeshkop në Mynih, ka zbuluar një hetim gjerman në Kishën Katolike, raporton BBC.
Benedikti XVI, i quajtur atëherë Josef Ratzinger, mbajti postin e kryepeshkopit nga viti 1977 deri më 1982. Ai ka mohuar akuzat.
Por një raport i ri mbi akuzat për abuzime historike, raport i bërë nga një firmë gjermane ligjore, inkriminohet ish-Papa.
Benedikt XVI, tash 94-vjeçar, u bë Papa i parë që dha dorëheqje pas më shumë se 600 vjetëve. E bëri këtë në vitin 2013. Që nga atëherë, ai ka bërë një jetë kryesisht të qetë në Vatikan.
Raporti i ri, i porositur nga Kisha Katolike, pretendon se atij iu ofruan fakte të abuzimeve me fëmijë ndërsa vepronte si kryepeshkop, por nuk ndërmori asnjë veprim.
“Dy nga ato raste kanë të bëjnë me abuzime të kryera gjatë mandatit të tij dhe të sanksionuara nga shteti”, ka thënë avokati Martin Pusch, ndërsa ka publikuar raportin.