Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ish-oficeri gjerman del në gjyq për vrasjen e një polaku 50 vjet më parë

Një ish-oficer 80-vjeçar i policisë sekrete komuniste të Gjermanisë Lindore, Stasi, doli në gjyq të enjten për vrasjen e një polaki në një pikë kufitare në Berlinin e ndarë, 50 vjet më parë.

I pandehuri, emri i të cilit nuk është bërë publik në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë, akuzohet për vrasje, para gjykatës shtetërore në Berlin, raportoi AP.

Ai nuk foli kur filloi gjyqi, por avokatja e tij tha se klienti i saj i kundërshton akuzat kundër tij, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.

Prokurorët shpallën aktakuzën e tyre në tetor.

Çështja kthehet në 29 mars të vitit 1974, kur një polak 38-vjeçar dyshohet se mori një bombë të rreme në ambasadën polake për të kërcënuar zyrtarët që ta lejonin të largohej në Berlinin Perëndimor, dhe Stasi kishte pretenduar se po autorizonte largimin e tij.

Ai u pajis me dokumente daljeje dhe u shoqërua në një vendkalim kufitar në stacionin hekurudhor Friedrichstrasse në Berlinin Lindor, sipas prokurorëve.

Pasi polaku kishte kaluar pikën e fundit të kontrollit, i akuzuari dyshohet se e qëlloi pas shpine nga një vend i fshehur.

Edhe Ish-oficeri gjerman burgoset për vrasjen e një polaku në vitin 1974 Botë Ish-oficeri gjerman burgoset për vrasjen e një polaku në vitin 1974

Gjykata ka caktuar shtatë seanca gjykimi deri më 23 maj.

Gjermania Lindore ndërtoi Murin e Berlinit në vitin 1961, duke penguar shumicën e qytetarëve të saj të udhëtonin në Perëndim. Shumë u përpoqën të shpëtonin duke hyrë në tunele nën të, duke notuar pranë tij, duke u ngjitur ose duke fluturuar mbi të. Të paktën 140 njerëz vdiqën gjatë këtyre përpjekjeve.

Kufiri shumë i fortifikuar u hap më 9 nëntor 1989, një moment kyç në rënien e komunizmit në Evropë. Gjermania u ribashkua më pak se një vit më vonë.