“Shokë, duhet të dimë gjithçka!”. Kjo porosi e i Erich Mielke ishte e qartë. Si drejtor i Ministrisë për Sigurinë e Shtetit të Gjermanisë Lindore (e njohur zakonisht si “Stasi”) nga viti 1957 deri në 1989, ai mbikëqyri spiunimin sistematik të qytetarëve.
Informatorët e “Stasit” mund të gjendeshin kudo, madje edhe mes kolegëve apo miqve. Detyra e tyre ishte të zbulonin njerëzit që etiketoheshin si “të dëmshëm” për shoqërinë. Sipas regjimit të Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ), kjo përfshinte këdo që kritikonte sistemin apo bashkëpunonte me të ashtuquajturin “armiku i klasës”.
Ky arsyetim legjitimoi ndërtimin e Murit të Berlinit në vitin 1961, të cilin RDGJ e quajti “barriera mbrojtëse antifashiste” kundër kapitalistëve “imperialistë” ose “fashistë” në Perëndim.
Për RDGJ-në, armiku ishte kudo. Për policinë sekrete “Stasi”, e themeluar në vitin 1950, çdo gjë mund të ngjallte dyshime: nga një shaka për kryetarin e Këshillit të Shtetit, te dëgjimi i muzikës jo-konformiste, marrja e letrave me pulla nga Perëndimi, apo kërkimi për një leje për të vizituar Gjermaninë Perëndimore.
Si “mburoja dhe shpata e partisë,” “Stasi” kishte për detyrë të ruante sundimin e Partisë së Unitetit Socialist të Gjermanisë, duke shtypur çdo opozitë.
Zyrtarët e “Stasit” spiunonin njerëzit duke lexuar postën e tyre, duke përgjuar thirrjet telefonike dhe duke hyrë ilegalisht në banesat e tyre. Ata i trembnin njerëzit dhe përhapnin thashetheme – si p.sh. se dikush ishte alkoolist, apo homoseksual – për t’i diskredituar.
Në një veprim veçanërisht mashtrues, agjentët ndonjëherë shpërndanin edhe gënjeshtra se dikush po punonte për vetë “Stasin”. Shumë qytetarë të RDGJ-së përfunduan në burg pasi kritikuan regjimin.
Në mënyrë joformale, “Stasi” njihej si “Die Firma” (kompania) ose “Horch und Greif” (dëgjo dhe kape). Rreth 90 mijë njerëz punonin me kohë të plotë për “Stasin”, ndërsa 100 mijë deri në 200 mijë të tjerë (sipas burimeve të ndryshme) ishin bashkëpunëtorë joformalë para rënies së Murit të Berlinit në nëntor 1989.
Këta informatorë joformalë spiunonin miqtë dhe familjen – ose me dëshirë, ose sepse ishin vetë nën presion.
Por çfarë i shtynte ata të punonin për një regjim autoritar?
Kjo varet, thotë historiani Philipp Springer, libri i të cilit, “Die Hauptamtlichen” (Stafi i “Stasit”), u publikua në korrik në Gjermani.
“Një arsye ishte ndjenja e të pasurit pushtet mbi bashkëqytetarët”, shpjegoi Springer mbi motivet për t’u bashkuar me “Stasin”. “Pastaj kishte edhe premtime nga ministria, si puna interesante ose mundësia për dërgime jashtë shtetit. Në fund të ditës ishte një vend pune shumë i sigurt – veçanërisht për ata që kishin vështirësi në karrierë”.
Gjatë kërkimeve për librin e tij, autori rigjeti fotografi të rralla të zyrtarëve të “Stasit” në punë nga Arkiva e Dokumenteve të “Stasit”.
Si spiunë dhe informatorë, punonjësit e “Stasit” zakonisht ishin pas kamerës, jo para saj. Duke parë fotot, premtimi për një jetë emocionuese si agjent sekret zhduket shpejt.
“Mund të ketë pasur disa elemente ‘James Bond’ nëse dikush dërgohej jashtë vendit për spiunazh”, thotë Springer. “[Por v.j.] nëse nuk ishe i përfshirë drejtpërdrejt në spiunazh, atëherë shumica e punës ishte shumë më pak emocionuese nga ç’e imagjinon”.
Kjo është arsyeja pse fotot në libër duken disi të zakonshme dhe amatore: një burrë te fotokopjuesi, një tjetër ulur në tryezën e tij. Një grua që punon në kuzhinë, apo ndonjëherë vetëm një dorë që zgjatet drejt një kutie me kartela.
“Sigurisht që këto janë gjëra të zakonshme dhe jo emocionuese”, thotë Springer. “Por në fund të ditës, të gjithë këta punonjës të “Stasit” ndihmuan në mbajtjen gjallë të aparatit shtetëror. Ata ishin pjesë e sistemit dhe ishin trajnuar politikisht dhe ideologjikisht … ata mbronin RDGJ-në socialiste nga Perëndimi”.
Autori përfshiu edhe biografitë e disa personave në fotografi, përfshirë togerin Elfi-Elke Mertens, babai i së cilës kishte punuar më parë për “Stasin” – si edhe bashkëshorti i saj. E përshkruar si “e gatshme për detyrë” dhe “e përkushtuar”, ajo kishte premtuar se do të përpiqej të ndalonte një të afërm që donte të udhëtonte në Perëndim.
“Bashkëshorti im dhe unë do të flasim sërish me të, dhe nëse ajo nuk është e gatshme të anulojë udhëtimin, do të ndërpresim çdo lidhje me të”, kishte thënë Martens në atë kohë.
Sylke Kindler, gjithashtu e përmendur në libër, kishte propozuar të vendoste një aparat fotografik në pjesën e poshtme të një shporte pazari për të bërë foto në fshehtësi. Gjeneral-majori Horst Böhm ishte aq besnik ndaj regjimit, saqë kreu vetëvrasje pas shpërbërjes së RDGJ-së.
“Shpesh mendon: OK, ata ishin thjesht një pjesë e vogël e kësaj makinerie të madhe”, thotë Springer. “Por në fund të ditës … ata zgjodhën të investonin kohë dhe energji për të punuar për këtë regjim autoritar. Dhe duhet të përballen me faktin që ekzistojnë dosje për ta”.
Gjithçka përfundoi për shërbimin sekret të RDGJ-së pas rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.
Më 15 janar 1990, mijëra protestues sulmuan selinë e “Stasit”. U zbuluan pothuajse 15,000 thasë me dokumente të shkatërruara të “Stasit”, por autoritetet arritën të ruanin mbi 111 kilometra dosje, 41 milionë kartela indeksi dhe mbi 1.7 milionë fotografi të mbledhura gjatë dekadave.
Shumë qytetarë të Gjermanisë Lindore aplikuan për të parë dosjet personale. Disa zbuluan se informacioni për ta ishte mbledhur nga miq dhe madje edhe familjarë. Edhe sot ka shumë kërkesa për të parë këto dosje, tregon Springer.
“Sipas mendimit tim, kjo çështje duhet të trajtohet më gjerësisht edhe në nivel politik apo kombëtar, sepse këtu është bërë një padrejtësi nga një aparat i tërë shtetëror. Është e rëndësishme të ruajmë kujtesën”, thotë ai.
Brezat e ardhshëm, të cilët “kanë përgjegjësinë për të mbrojtur sistemin tonë demokratik”, duhet të kuptojnë çfarë ka ndodhur, shton ai.