Botë

Ish-marinsi amerikan shihet në një video nga një kamp pune në Rusi

Paul Whelan, një amerikan i dënuar nga Rusia për spiunazh, është parë në një videoincizim për herë të parë pas tri vjetëve, raporton BBC.

Whelan gjithmonë e ka quajtur veten peng politik.

I arrestuar në vitin 2018 në Moskë, ku kishte udhëtuar në dasmën e një shoku, ish-marinsi amerikan u dënua me 16 vjet burgim.

Qeveria e SHBA-së ka thënë se Whelan është “arrestuar gabimisht”.

Kanali rus “RT” ka bërë një video brenda një kampi të punës. Whelan ka refuzuar të japë intervistë.

Për familjen e tij, në SHBA dhe Kanada, është hera e parë që e shohin atë që nga qershori i vitit 2020, kur BBC-ja incizoi paraqitjen e tij të fundit në një gjykatë në Moskë.

“Është mirë ta shoh atë sërish dhe të shoh se po vazhdon të luftojë, e mbetet i palëkundur”, ka thënë vëllai binjak i Paul Whelanit, Davidi.

Në video shihet Whelan duke u rreshtuar përkrah të burgosurve tjerë në oborrin e burgut, duke qepur rroba në një fabrikë burgu. Më pas shihet në mensë.

Ai më herët i kishte thënë prindërve të tij se po i kërkohet vazhdimisht që të marrë pjesë në “propagandë të Kremlinit”. Në video, ndonëse shihet i relaksuar dhe duke buzëqeshur, ai qartë i thotë se nuk do t’i përgjigjet asnjë pyetje.

Video raportohet se është bërë në maj dhe është publikuar vetëm tash.