Një gjykatë e Pragës ka liruar ish-kryeministrin Andrej Babis nga akuzat për mashtrim në një çështje që ka të bëjë me 1.8 milionë eurosh që përfshin subvencionet e Bashkimit Evropian, shkruan "Euronews".
Një prokuror ka kërkuar dënim trevjeçar me kusht dhe një gjobë prej 10 milionë koruna çeke apo 416 mijë euro për miliarderin.
Babis u deklarua i pafajshëm dhe vazhdimisht tha se akuzat kundër tij ishin të motivuara politikisht.
Ai nuk ishte i pranishëm në Gjykatën Komunale të Pragës të hënën. Ish-bashkëpunëtorja e tij, Jana Nagyova, e cila nënshkroi kërkesën për subvencionim, u shpall gjithashtu e pafajshme.
“I PAFAJSHËM! Më vjen shumë mirë që kemi një gjyqësor të pavarur dhe gjykata e konfirmoi atë që kam thënë që në fillim. Se unë jam i pafajshëm dhe nuk kam bërë asgjë të paligjshme”, ka shkruar Babis në Twitter pas vendimit.
Ky vendim është marrë pak ditë përpara raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale çeke.
Babis konsiderohet kandidat kryesor në zgjedhjet e së premtes, së bashku me gjeneralin e ushtrisë në pension Petr Pavel, ish-kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s dhe ish-rektorin e universitetit, Danuse Nerudova.
Rasti përfshinte një fermë, të njohur si “Foleja e Lejlekut”, e cila mori subvencione nga BE-ja pasi pronësia e saj u transferua nga konglomerati Agrofert në pronësi të Babisit me rreth 250 kompani tek anëtarët e familjes së Babisit. Më vonë, Agrofert mori përsëri pronësinë e fermës.