Fitorja e Pavelit do të shihet si afirmim i politikave të shtetit pro Perëndimit. Platforma e tij përfshin mbajtjen e Republikës Çeke në Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe ai ka dalë fuqishëm në favor të ndihmës së mëtejshme ushtarake për Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë.
Gjenerali i pensionuar i NATO-s, Petr Pavel, është zgjedhur president i ri i Republikës Çeke, duke mposhtur rivalin e tij populist dhe miliarder, Andrej Babis. 61-vjeçari ka marrë 57.6 për qind të votave, në rezultatet preliminare të shtunën.
Babis, i cili ka shërbyer si kryeministër mes viteve 2017-2021, ka pranuar humbjen në një fjalim para përkrahësve të tij. Ish-gjenerali do të jetë pasardhës i Milos Zeman, të cilit në muajin mars i përfundon mandati i dytë.
Raundi i dytë mes Babisit dhe Pavelit ishte portretizuar si garë mes oligarkut populist dhe demokratit liberal. Rezultatet preliminare i japin fund fushatës së përcjellë me kërcënime me vdekje dhe keqinformime.
Në fillim të javës, Pavel është detyruar ta përdorë rrjetin social për t’i mohuar thashethemet se kishte vdekur, të cilat qarkulluan në një portal të rrejshëm dhe nëpër emailet e serverit rus Yandex.
Pavel ka thënë se çështja ishte në duart e Policisë. Dezinformimi është dënuar Babis, i cili i përshkroi emailet si “të neveritshme” dhe kishte thënë se shpresonte që Policia të hetonte tërësisht.
Ndërkohë, Babis kishte njoftuar në fillim të javës se do të anulonte të gjitha paraqitjet e mbetura të fushatës personale për shkak të frikës për sigurinë e tij personale, pasi mori një kërcënim anonim me vdekje.
Mirëpo pas publikimit të rezultateve të shtunën, ishte shumë e qartë se Pavel qe shumë i gjallë. Brenda një orë e gjysmë gjithçka ka përfunduar.
“Ky rezultat është fitore e vlerave të së vërtetës, dinjitetit, respektit dhe përulësisë”, ka thënë Pavel para përkrahësve në selinë e partisë.
“Shumica e çekëve ndajnë këto vlera dhe është koha që t’i kthejmë ato në Kështjellë dhe politikë”, ka shtuar Pavel teksa turma brohoriste “Paveli në Kështjellë”.
Kjo thirrje ishte e ngjashme me thirrjen “Haveli në Kështjellë” që jehoi nëpër rrugët dhe sheshet e Çekosllovakisë më 1989.
Në fakt, Pavel, mbrojtës i anëtarësisë së Çekisë në NATO dhe BE, shpesh ka shpërfaqur shpirtin e Vaclav Havel.
Dhe fitorja e tij do të shihet si afirmim i politikave të shtetit pro Perëndimit. Platforma e Pavelit përfshin mbajtjen e Republikës Çeke në Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe ai ka dalë fuqishëm në favor të ndihmës së mëtejshme ushtarake për Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë.
Ai gjithashtu mbështet adoptimin e euros dhe politikat progresive si martesat e homoseksualëve.
Ndërkohë, gjatë kohës së tij si kryeministër, miliarderi Babis gëzonte lidhje të ngushta me hungarezin Viktor Orban, i cili vazhdon të përplaset me BE-në për sundimin e ligjit.
Ai ka luajtur me frikën se lufta në Ukrainë mund të përhapet në Evropën Qendrore dhe tha se do të ofrojë ndërmjetësimin e bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. Pavel dhe Babis dolën në krye nga shtatë burrat dhe një grua që ishin në raundin e parë për të zëvendësuar Zemanin.