Botë

Ish-gruaja e Gatesit për dokumentet Epstein: Bill dhe të gjithë të tjerët duhet të mbahen përgjegjës

Bill Gates

Milionerja dhe filantropistja Melinda Gates ka deklaruar se përmendja e emrit të ish-bashkëshortit të saj, Bill Gates, në dokumente të reja që lidhen me kriminelin e ndjerë Jeffrey Epstein, i ka rikthyer kujtime të dhimbshme nga periudha e martesës së tyre.

Ajo ka thënë se ndjen trishtim të thellë për akuzat në dokumentet Epstein dhe beson se të gjithë ata që përmenden në këto dokumente, përfshirë edhe ish-bashkëshortin, duhet të mbahen përgjegjës.

“Jam shumë e lumtur që jam larg gjithë asaj papastërtie”, është shprehur ajo.

Çifti u divorcua në vitin 2021, pas 27 vjetësh martesë.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së përfshijnë një pretendim të Epsteinit se Bill Gates kishte kontraktuar një sëmundje seksualisht të transmetueshme. Gates e ka quajtur këtë pretendim “absolutisht absurd”.

“Këto pretendime, që vijnë nga një gënjeshtar i provuar dhe i pakënaqur, janë plotësisht absurde dhe krejtësisht të pavërteta”, deklaroi një zëdhënës i Bill Gatesit.

Gates nuk është akuzuar për asnjë krim nga asnjë prej viktimave të Epsteinit, dhe fakti që emri i tij shfaqet në dokumente nuk nënkupton ndonjë aktivitet kriminal.

Mediat amerikane kanë raportuar më herët se Melinda Gates ishte e shqetësuar për marrëdhënien e bashkëshortit me Epstein edhe para divorcit.