Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Iraniania 103-vjeçare ia hodhi koronavirusit

Foto: Reuters

Një grua 103-vjeçare nga Irani, është shëruar nga koronavirusi, megjithëse të moshuarit mbi 80-vjeç janë më të rrezikuarit dhe përbëjnë numrin më të madh të rasteve të vdekjes si pasojë e Covid-19, njoftojnë mediat shtetërore në këtë vend, të mërkurën.

Gruaja, identiteti i të cilës nuk është zbuluar, ishte e shtrirë në qytetin qendror iranian Semnan për një javë, raporton agjencia IRNA, përcjell AFP.

“Ajo u lirua pasi u shërua plotësisht”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Shkencave Mjekësore në Semnan.

Gruaja është pacientja më e vjetër që u shërua në Iran. Para saj, një burrë 91-vjeçar nga Kermani, në juglindje të Iranit, po ashtu ia doli me virusin që tashmë që shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Rasti i 103-vjeçares është “për studim”, pasi ajo vuante edhe nga astma dhe presioni i lart i gjakut.

Irani është ndër vendet më të prekura nga koronavirusi. Rasti i parë që përfundoi me vdekje u konfirmua më 19 shkurt. Që nga atëherë, në këtë vend janë regjistruar 17.361 raste me infeksion dhe 1.135 vdekje si pasojë e kornavirusit. 5.389 janë shëruar, e ndër to edhe gruaja 103-vjeçare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë më herët këtë muaj, ka thënë se përqindja e rasteve me fatalitet është 3.4 për qind, derisa për të moshuarit mbi 80 vjeç, 21.8 %.

Artikuj të ngjashëm