Irani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përgjegjëse për vonesën e fundit për vazhdim të bisedimeve për finalizimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, ka thënë të hënën se Teherani “nuk do të presë përgjithmonë”, pasi pengesat e fundit kanë rrezikuar përpjekjet e disa muajve për ringjalljen e kësaj marrëveshje, që parasheh heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor.
"Amerika është përgjegjëse për ndalimin e këtyre bisedimeve. Washingtoni duhet të marrë vendim politik për ringjalljen e marrëveshjes, Teherani nuk do të presë përgjithmonë", ka thënë ai në një konferencë për shtyp, raportoi Reuters.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar të enjten se përgjegjësia ishte e Teheranit për të marrë vendime që mund t’i konsiderojë të vështira.
Më 2015, Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.
Edhe
Presidenti iranian fajëson SHBA-në dhe Evropën për ujdinë e prishur bërthamore
Tre vjet më vonë, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi SHBA-në nga kjo marrëveshje dhe riktheu sanksionet ndaj Iranit.
Në maj të vitit 2018, Trumpi ka thënë se marrëveshja nuk ka qenë e mjaftueshme për të ndalur Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, pretendime këto të cilat i ka hedhur poshtë Irani.