Eksperti i raketave Fabian Hinz nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) e quan goditjen e fundit ushtarake të Izraelit ndaj Iranit si të papritur për nga zgjedhja e objektivave: jo vetëm instalime bërthamore, por edhe komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë të rëndësishëm iranianë janë vënë në shënjestër, tha ai në një intervistë për «Frankfurter Allgemeine Zeitung».
Hinz tha se duket që izraelitët «po përpiqen të ripërsërisin modelin e luftës kundër Hizbollahut, duke eliminuar njëkohësisht si infrastrukturën ushtarake, ashtu edhe udhëheqësinë». Sipas tij Irani ka një problem thelbësor: «Irani është tepër i infiltruar nga shërbimet izraelite të inteligjencës për të qenë në gjendje të ndërtojë fshehurazi impiante të reja bërthamore.»
Hinz tha se një nga objektet kyçe të programit bërthamor, Fordow, nuk është goditur këtë herë, për arsye teknike, ngaqë ndodhet thellë nën një mal. Sipas Hinz, Izraeli mund ta çaktivizojë përkohësisht këtë objekt nëpërmjet sulmeve indirekte, ose të ndërmarrë aksione kibernetike apo me forca speciale – «edhe pse kjo e fundit do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme».
Një tjetër strategji efektive është dëmtimi i zinxhirit të furnizimit dhe eliminimi i shkencëtarëve: «Izraeli mund të shkaktojë dëme të mëdha nëpërmjet kësaj metode dhe ndoshta ka kapacitete që ne as nuk i njohim.»
Në lidhje me kërcënimet nga ana iraniane, Hinz thekson se Irani zotëron dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese me rreze të mjaftueshme për të goditur Izraelin, por ka dyshime mbi saktësinë dhe numrin real të tyre. «Në tetor, raketat iraniane nuk arritën të shkaktojnë dëme të ndjeshme në objektiva ushtarake (izraelite). Por nëse do të godisnin qytete si Tel Avivi, edhe devijimi prej qindra metrash mund të sillte pasoja».
Lidhur me rolin e palëve të treta, Hinz pohon se ndihma amerikane është thelbësore. «Shtetet e Bashkuara mund të luajnë rol vendimtar me flotën detare dhe avionët luftarakë. Mbështetja e vendeve arabe është më shumë çështje politike – mund të ketë bashkëpunim të heshtur, siç është lejimi i përdorimit të hapësirës ajrore».
Hinz vlerësoi për gazetën gjermane se një përfshirje e Hizbollahut ose Huthi-ve jemenitas nuk do ta ndryshonte ndjeshëm balancën: «Hizbollahu është i dobësuar dhe raketat e tij janë me rreze më të shkurtër veprimi. Huthit nuk përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për Izraelin, por mund të godasin lundrimin ndërkombëtar dhe flotën amerikane nëse konflikti përshkallëzohet».
Përgatiti: E.R.
