Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pantina: Kam dëgjuar se disa delegatëve u janë ofruar pozita në Qeveri nëse votojnë kundër shkarkimit të Abdixhikut

Delegatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina, vlerëson se në parti pos ndryshimit të lidershipit duhet bërë edhe ndryshime tjera brenda LDK-së. 

Pantina në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se ndryshe nga Kuvendi i kaluar i LDK-së, kësaj radhe pakënaqësia brenda LDK-së ndaj lidershipit është më i madh. 

“Do ta marrim vesh të enjten, por me ata njerëz që jam takuar, me ato informacione që kam marrë, kësaj radhe pakënqësia është më e madhe”, ka thënë Pantina. 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku e ka thirrur për të enjten, 30 korrik, Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.

Rreth 150 delegatët e Kuvendit të LDK-së kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.

Kërkesa për votëbesim ndaj Abdixhikut, është iniciuar pas pakënaqësive të shfaqura brenda partisë lidhur me rezultatin në zgjedhjet e 7 qershorit. LDK-ja ka dalë parti e tretë me më pak se 17 për qind të votave, që ia kanë siguruar 18 ulëse në Kuvend.

Pantina ka thënë se ish-kryetari Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje pas rezultatit të dobët në vitin 2021 dhe është bërë kjo standard. 

Pantina ka thënë se edhe lista me të cilën garoi LDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit ishte zhgënjyese.

Ajo ka thënë se nuk kishte fare meritokraci dhe se "nuk mund të vësh në dhjetëshen e dytë emrat që kanë kontribuuar me dekada në LDK e kanë numër të madh të votave". 

“Në dhjetëshen e parë kishte tre anëtarë të listës së znj. Osmani, e kishte njerëz që kanë dhënë më pak kontribut e kishin marrë më pak vota”, tha Pantina. 

Pantina ka thënë se ka dëgjuar nga anëtarë të LDK-së se delegatvë u janë ofruar pozita në qeveri nëse votojnë kundër shkarkimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. 

“Uroj të jenë spekulime...Koalicioni nuk është i sigurt e kjo i vë njerëzit në lajthitje”, ka thënë Pantina. 

Pantina ka thënë se ka kandidatë që do të ishin të denjë ta drejtonin LDK-në dhe ajo vlerëson se Abdixhiku duhet të mbetet në parti edhe nëse votohet për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit. 

“Përvoja e tij është e dobishme për LDK-në. Është vlerë. Ai duhet të mbetet...Mund të jetë ministër shumë i mirë, por lider partie është ndryshe”, ka thënë Pantina. 

Pantina: Osmani duhet të presë në radhë, s’mund të kthehet si kryetare e LDK-së

1 muaj më parë / 27 kor 2026 23:37
Shqipe Pantina

Delegatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina, ka folur  për ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. 

Osmani ishte bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit. 

Pantina në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se nuk i di qëllimet e Osmanit, por ka shtuar se ajo nuk është kundër kthimit të saj në LDK. 

“Por, ajo s’mund të kthehet si kryetare e LDK-së apo në pozita lidershipi. Duhet të ketë një proces të riintegrimit...Një nga gabimet që ka bërë z. Abdixhiku ka qenë edhe kjo se ka sjellë shumë njerëz nga jashtë dhe u ka dhënë menjëherë përgjegjësi. Edhe znj. Osmani, nëse ka ambicie të mbetet në LDK, duhet të presë me radhë tash. Nuk mund të kthehet si e para, as e dyta e as e treta”, ka thënë Pantina, ndërsa ka shtuar se Osmani duhet ta rikthejë besimin sepse një pjesë e strukturave dhe elektoratit nuk i beson asaj.

Pantina: LDK-ja gaboi herën e kaluar që nuk propozoi emra për president

1 muaj më parë / 27 kor 2026 23:29
Shqipe Pantina

Delegatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina, ka thënë se LDK-ja gaboi herën e kaluar që nuk propozoi emër për president konsensual. 

Pantina ka thënë se LDK-ja kësaj radhe duhet të sjellet me përgjegjësi e të mos lë që vendi të shkojë në zgjedhje. 

“Unë mendoj se nuk duhet t’i mundësohet Vetëvendosjes që edhe njëherë ta çojë vendin në zgjedhje. Duhet të ulet e të bisedohet...Ata i kanë votat për qeveri, duhet të ulemi e të flasim për presidentin. Këtu mendoj se LDK-ja duhet të sjellet me përgjegjësi e ta shqyrtojë seriozisht mundësinë e zgjedhjes së presidentit. Qoftë të negociojë që kjo pozitë, pse të mos i takojë LDK-së, apo të gjendet emër konsensual. Mendoj se herën e kaluar ka gabuar LDK-ja që nuk ka ofruar emrat. Nuk ka ofruar propozimet e veta. Është qëndrim personal ky”, ka thënë Pantina. 

Pantina ka thënë se nuk është e drejtë nga kryetari i partisë Lumir Abdixhiku dhe njerëzit që po lobojnë për qëndrimin e tij në këtë post, "që po mundohen të krijojnë përshtypje në opinion por edhe brenda LDK-së se ata që duan shkarkimin e Abdixhikut janë me PDK-në e këta tjerët me Vetëvendosjen”.