Eksperti gjerman Guido Steinberg përshkruan në një intervistë me revistën gjermane "Der Spiegel" rrugëtimin armiqësor mes Iranit dhe Izaelit dhe shpjegon pse shanset për diplomaci janë shuar.
Guido Steinberg, studiues i islamit dhe ekspert për Lindjen e Afërt në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë (SWP) në Berlin, i cili këshillon qeverinë gjermane, vlerëson se përplasja mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në një fazë të re, ku diplomacia ka humbur rolin e saj dhe kalkulimet ushtarake dominojnë.
Pas revolucionit islamik të vitit 1979, marrëdhëniet dikur të ngushta mes Izraelit dhe Iranit nën Shahun, u shndërruan në armiqësi ideologjike. «Revolucioni ishte një ndërthurje e islamizmit shiit me një antiimperializëm pothuajse majtist», shpjegon Steinberg. Për regjimin e ri në Teheran, SHBA-të ishin armiku kryesor dhe Izraeli u perceptua si “urë” amerikane në Lindjen e Mesme.
Për të fituar ndikim rajonal dhe aleatë, Irani u përqendrua në kauzën palestineze dhe themeloi Hizbollahun në Liban. «Ishte mënyra më e lehtë për të fituar popullaritet në rajon: të urresh dhe luftosh Izraelin», thotë Steinberg.
Edhe pse në vitet 1980-të pati bashkëpunim të kufizuar ushtarak mes dy vendeve – për shkak të kërcënimit të përbashkët nga Iraku – armiqësia strategjike mbeti e pandryshuar. Ndërkohë, Hizbollahu u bë instrument i Iranit për të kërcënuar Izraelin në mënyrë indirekte. «Funksioni kryesor i Hizbollahut ishte të pengonte një sulm izraelit ndaj Iranit – sidomos mbi programin bërthamor», thekson Steinberg. Por kjo strategji tani ka rënë: «Në vitin 2024, Izraeli e ka dobësuar dukshëm Hizbollahun».
Për sa i përket programit bërthamor iranian, ai nisi në fund të viteve 80-të. «Që nga viti 2002, u bë e qartë se Irani synonte të ketë armatim bërthamor. Për Izraelin, ky është kërcënimi më i madh», paralajmëron Steinberg. Ndër momentet kyçe ai përmend ndërtimin sekret të impiantit Fordow (më 2009) dhe marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015, e cila u prish nga Donald Trump më 2018. «Që nga ajo kohë, konfrontimi është bërë i pashmangshëm».
Ndërkohë, lufta në Siri shërbeu si skenë direkte e përplasjes: «Irani përforcoi praninë në Siri, Izraeli reagoi me më shumë se 1000 sulme ajrore. Kjo e çoi konfliktin në një nivel të ri». Fitorja izraelite në këtë front është sipas tij e dukshme: Hamas pothuajse është shkatërruar, Hizbollahu i dobësuar rëndë, dhe regjimi sirian i rrëzuar.
Sipas Steinberg, sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit sinjalizojnë një pikë kthese: «Shpresa për diplomaci është shuar. Irani nuk ka qenë kurrë më i vendosur për të pasur një bombë. Nëse e kanë mundësinë, do të bëjnë gjithçka për ta arritur. Edhe Izraeli ka kaluar një vijë të kuqe – Netanjahu duket më i vendosur se kurrë për të vepruar ushtarakisht».
Tashmë, shton ai, gjithçka varet nga përmasat reale të goditjeve izraelite dhe nga mënyra se si Irani do të zgjedhë të përgjigjet.
Përgatiti: E.R.
