Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Instituti amerikan: Mbi 700 mijë fëmijë ukrainas janë rrëmbyer dhe po birësohen nga rusët

Instituti amerikan i luftës ka deklaruar se cak i rusëve janë edhe fëmijët ukrainas, që sipas tij, po synohet t’iu hiqet shtetësia dhe të birësohen dhunshëm.

Në raportin e publikuar të dielën, Instituti ka thënë se mbi 700.000 fëmijë ukrainas janë grabitur qëkur nisi lufta drejt Moskës dhe vendeve të tjera, me qëllim që “të hiqet dorë nga gjuha, historia dhe kultura e tyre ukrainase”.

“Deportimi i deri në 700.000 fëmijëve ukrainas në Rusia e privon fizikisht Ukrainën nga brezat e saj të ardhshëm – zëra të rinj që do të jenë thelbësorë për riintegrimin e tokave ukrainase. Birësimi i detyruar i fëmijëve ka për qëllim të fshijë çdo lidhje që këta fëmijë kanë me atdheun e tyre, duke e bërë tepër të vështirë riatdhesimin e tyre”, thuhet tutje në raport.

Sipas Institutit që është marrë me zhvillimet në Ukrainë që nga 24 shkurti i 2022-s, emrat dhe vendlindjet e fëmijëve që janë birësuar me forcë janë ndërruar. E kjo thuhet se pasqyron rrëmbimin e detyruar dhe “gjermanizimin” e mbi 200.000 fëmijëve polakë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania naziste.

“Rusia po kryen një fushatë deportimi në territoret ukrainase që po pushton, me qëllim që të grabisë Ukrainën nga potenciali i saj shumë brezash dhe të dëmtojë pretendimet e ardhshme të Ukrainës ndaj popullit të saj. Fëmijët ukrainas janë një objektiv i qartë i fushatës së dëbimit të Rusisë”, thuhet tutje.