Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Influenceri meksikan vritet gjatë transmetimit live

Cesar Gastelum

Influenceri meksikan Cesar Gastelum, i ndjekur nga rreth 600 mijë persona në TikTok, është vrarë me armë zjarri teksa po transmetonte drejtpërdrejt pranë një restoranti në qytetin Culiacan, në veriperëndim të Meksikës.

Sipas mediave lokale, Gastelum ndodhej jashtë një lokali së bashku me disa miq, kur dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motoçikletë, iu afruan grupit. Në pamjet e transmetimit live shihet momenti kur njëri prej tyre nxjerr armën dhe qëllon disa herë ndaj influencerit nga një distancë shumë e afërt.

Gastelum humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa autorët u larguan menjëherë pas sulmit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e tyre.

KUJDES - PAMJE TË RËNDA:

Vrasja ndodh në një kohë kur Culiacani, kryeqendra e shtetit të Sinaloas, vazhdon të jetë një nga qytetet më të goditura nga dhuna e lidhur me kartelet e drogës, të cilat prej kohësh përplasen për kontrollin e territorit.

Ky nuk është rasti i parë kur një figurë e njohur në rrjetet sociale vritet gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në këtë qytet. Në maj të vitit 2025, edhe influencerja Valeria Marquez u vra gjatë një transmetimi live në TikTok, në një ngjarje që, sipas hetimeve, dyshohet se ishte urdhëruar nga një drejtues karteli për motive personale.