Si krejt punëtorët rusë të kontaktuar, edhe Anastasia ka kërkuar që të mbetet anonime. Moska po ndiqte disidentët edhe para se të niste pushtimin e Ukrainës. Njerëzit që jetojnë jashtë Rusisë druajnë për jetën
Punëtorët rusë në sektorin e teknologjisë janë në kërkim të një ambienti më të sigurt dhe profesional. Në një vlerësim të fundit, rreth 70 mijë specialistë kompjuterikë në Rusi kanë folur për ngrirje të papritur në klimën e biznesit dhe të politikës. Ata kanë braktisur vendin qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës para pesë javësh. Më shumë prej tyre pritet të ikin.
Për disa shtete, humbja e Rusisë është parë si potencial që duhet shfrytëzuar dhe për t’i marrë për vete për t’i forcuar kapacitetet teknologjike.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka vërejtur shterimin e trurit në kohën e luftës që sipas Kombeve të Bashkuara, ka detyruar më shumë se 4 milionë njerëz të ikin nga Ukraina. Miliona të tjerë janë zhvendosur brenda kufijve.
Gjatë javës, Putini ka reaguar ndaj eksodit të profesionistëve teknologjikë duke miratuar ligjin që eliminon taksat e fitimeve deri në vitin 2024 për të gjithë ata që punojnë në kompanitë teknologjike.
Disa prej këtyre ekspertëve janë të joshur nga firmat e huaja sa nuk e kanë ndërmend të kthehen më në Rusi. Një turmë elite me viza të BE-së është zhvendosur në Poloni dhe në shtetet baltike, si Letonia dhe Lituania.
Një grup tjetër i madh i ekspertëve kanë ikur në shtetet ku nuk nevojiten vizat: Armeni, Gjeorgji dhe në republikat e tjera ish-sovjetike në Azinë Qendrore. Në kohëra më normale, miliona punëtorë me pak përvojë e pak aftësi janë ata që braktisin shtetet e tyre të varfra dhe ia mësyjnë Rusisë në prosperitet.
Anastasia, analiste e pavarur e sistemeve kompjuterike nga qyteti siberian i Novosibirskut, iku drejt Kirgizisë. 24-vjeçarja atje kishte familjen e burrit.
“Kur dëgjuam për luftën, menduam se ishte koha të iknim, por pritëm edhe pak. Më 25 shkurt, premë tiketat dhe ikëm. Nuk kishte më për çfarë të mendosh”, ka thënë Anastasia.
Si krejt punëtorët rusë të kontaktuar, edhe Anastasia ka kërkuar që të mbetet anonime. Moska po ndiqte disidentët edhe para se të niste pushtimin e Ukrainës. Njerëzit që jetojnë jashtë Rusisë druajnë për jetën.
“Për aq sa e mbaj mend, gjithmonë ka ekzistuar frika që të shprehje qëndrimet në Rusi”, ka thënë Anastasia, duke shtuar se lufta dhe zërat e dikurshëm të patriotizmit e kanë bërë Rusinë ambient edhe më helmues. “Ika një ditë para se të niste kërkimi dhe intervistimi i njerëzve në kufi”.
Shkalla e ikjes së dukshme të trurit është zbuluar javën e kaluar nga Sergei Plugotarenko, kreu i Shoqatës Ruse për Komunikimet Elektronike, grup lobimi në industrinë e teknologjisë..
"Vala e parë me 50 mijë deri në 70 mijë njerëz-tashmë është larguar”, ka thënë ai në Komisionin parlamentar.
Vetëm kostoja e lartë e fluturimeve jashtë vendit pengoi daljen edhe më të madhe. 100 mijë punëtorë të tjerë të teknologjisë, megjithatë, mund të largohen nga Rusia në prill, ka parashikuar Plugotarenko.
Konstantin Siniushin, partner menaxhues në “Untitled Ventures”, fond i kapitalit sipërmarrës i fokusuar në teknologji, me bazë në Letoni, ka thënë se firmat ruse të teknologjisë me klientë ndërkombëtarë nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të lëviznin pasi shumë kompani të huaja po distancohen me nxitim nga çdo gjë që lidhet me Rusinë.
“Ata duhej të largoheshin nga vendi në mënyrë që biznesi i tyre të mund të mbijetonte, ose, në rastin e punonjësve të kërkimit dhe zhvillimit, ata u zhvendosën nga zyrat qendrore”, ka shkruar Siniushin.
“Untitled Ventures” po ndihmon në migrim; firma organizoi dy fluturime për në Armeni duke transportuar 300 punëtorë të teknologjisë nga Rusia, ka thënë Siniushin.
Gjuetia për punëtorët
Një grup i madh i ekspertëve kanë ikur në shtetet ku nuk nevojiten vizat: Armeni, Gjeorgji dhe në republikat e tjera ish-sovjetike në Azinë Qendrore. Në kohëra më normale, miliona punëtorë me pak përvojë e pak aftësi janë ata që braktisin shtetet e tyre të varfra dhe ia mësyjnë Rusisë në prosperitet
Talenti rus është i përgatitur për gjueti pa leje. Një raport i Indeksit Global të Aftësive 2020 i publikuar nga Coursera, ofrues kryesor i kurseve të hapura në internet, zbuloi se njerëzit nga Rusia shënuan pikët më të larta për aftësitë në teknologji dhe shkencën e të dhënave.
Sapo filloi lufta në Ukrainë, kombi i Azisë Qendrore, Uzbekistani, racionalizoi rrënjësisht procesin për marrjen e vizave të punës dhe lejeve të qëndrimit për specialistët e IT-së.
Anton Filippov, programues i aplikacioneve celulare nga Shën Petersburgu, dhe ekipi i përkthyesve të pavarur me të cilët ai punon, u zhvendosën në Tashkent, kryeqyteti i Uzbekistanit, ku ai u rrit, edhe para se ata stimuj të bëheshin publikë.
“Më 24 shkurt, ishte sikur të ishim zgjuar nga ky realitet i ndryshëm i tmerrshëm,” ka thënë Filippov. “Ne jemi të gjithë të rinj, më pak se 27 vjeç, dhe kështu kishim frikë se mund të na thërrisnin për të marrë pjesë në këtë luftë”.
Teksa punëtorët e kërkuar të teknologjisë eksplorojnë opsionet e tyre, diaspora e tyre i ngjan karvanit në “roaming”. Disa vende, si Uzbekistani, janë zgjedhur si gurë hapësinorë sepse shtetasit rusë nuk kanë nevojë për viza për qëndrime afatshkurtër. Por profesionistët e rinj si Filippov nuk planifikojnë të qëndrojnë domosdoshmërisht aty ku zbarkuan fillimisht.
“Nëse kushtet që ata gjejnë ndryshojnë nga ato që u janë premtuar, ata thjesht do të vazhdojnë përpara”, ka thënë ai.
Në shumë raste, kompani të tëra po kërkojnë të zhvendosen për të shmangur pasojat nga sanksionet ndërkombëtare. Një diplomat i lartë nga një fqinj tjetër rus, Kazakistani, bëri një thirrje të zhveshur këtë javë për të ikur nga ndërmarrjet e huaja për të ardhur në vendin e tij.
Kazakistani po shikon me interes të veçantë investitorët e teknologjisë së lartë, ndërsa vendi përpiqet të diversifikojë ekonominë e tij, e cila mbështetet në eksportet e naftës. Në vitin 2017, Qeveria ngriti një park teknologjik në kryeqytet, Nur-Sulltan dhe ofroi lehtësira taksash, kredi preferenciale dhe grante për këdo që ishte i gatshëm të hapte dyqan atje.
Përvetësimi ka qenë i moderuar deri më tani, por shpresa është që ikja e trurit rus do t'i japë kësaj nisme një goditje të madhe në krah.
“Llogaritë e kompanive ruse po ngrihen dhe transaksionet e tyre nuk kalojnë. Ata po përpiqen t’i mbajnë klientët dhe një mundësi e disponueshme është të shkojnë në Kazakistan”, tha Arman Abdrasilov, kryetar i Zerde Holding, një fond investimi në Almaty, qendra e biznesit të Kazakistanit.
Megjithatë, jo të gjitha vendet janë kaq të etura.
“Kompanitë ruse ose startup-et nuk mund të lëvizin në Lituani”, ka thënë Inga Simanonyte, këshilltare e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit të vendit baltik. “Ne nuk punojmë me asnjë kompani ruse me zhvendosjen e tyre të mundshme në Lituani dhe ministria ka pezulluar të gjitha aplikimet për viza fillestare që nga 24 shkurti”.
Shqetësimet për sigurinë
Shqetësimet e sigurisë dhe dyshimi se rusët mund të spiunojnë ose të përfshihen në keqbërje kibernetike jashtë vendit, i bëjnë disa qeveri të kujdesshme për t’i mirëpritur refugjatët ekonomikë të vendit.
“Sektori i IT-së në Rusi është shumë i lidhur ngushtë me shërbimet e sigurisë. Problemi është se pa një proces jashtëzakonisht të fortë verifikimi, ne rrezikojmë të importojmë pjesë të sistemit kriminal të Rusisë”, tha analisti politik lituan, Marius Laurinavicius, për “Associated Press”.
Siniushin, partneri menaxhues në “Untitled Ventures”, po u kërkon vendeve perëndimore t’i hapin dyert e tyre në mënyrë që punëdhënësit e tyre të mund të përfitojnë nga mundësia e pazakontë e punësimit që krijoi lufta.
“Sa më shumë talent që Evropa ose Shtetet e Bashkuara mund t'i heqin Rusisë sot, aq më shumë përfitime do të sjellin në vendet e tjera këta novatorë të rinj, potenciali i të cilëve do të realizohet plotësisht jashtë vendit”, tha ai.