Një pilot që iku nga Rusia ka dhënë një intervistë të rrallë për BBC-në, në të cilën ai tregon për humbjet e rënda të ushtrisë ruse e po ashtu për moralin e ulët.
Togeri Dmitry Mishov, 26-vjeçar, iu dorëzua autoriteteve të Lituanisë duke kërkuar azil politik.
Dmitry ka thënë se ikja nga Rusia në mënyrë aq dramatike, me një çantë të vogël, ishte shansi i tij i fundit.
Ai është në mesin e një numri të vogël të ushtarakëve rusë që ikën për ta evituar luftimin në Ukrainë.

Kërkimi i një rrugëdaljeje
Dmitry, një navigues i helikopterëve ushtarakë, ishte i vendosur në rajonin Pskov, në veriperëndim të Rusisë.
Kur helikopteri kishte nisur të përgatitej për luftë, Dmitry e pa se lufta e vërtetë po afrohej dhe se nuk bëhej fjalë vetëm për ushtrime.
Ai kishte tentuar të largohej nga forcat ajrore në janar të vitit 2022, por letrat e tij nuk u dorëzuan para 24 shkurtit kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Ai u dërgua në Bjellorusi ku fluturoi me helikopterë që po bartnin pajisje ushtarake.
Dmitry ka thënë se kurrë nuk ka shkuar në Ukrainë. Kjo pjesë është e vështirë të verifikohet, ndonëse dokumentet e tij duken të vërteta dhe shumë nga deklaratat e tij përputhen me ato të dëshmitarëve të tjerë.
Në prill të vitit 2022 ai u kthye në bazën e tij në Rusi, ku shpresoi se do të aprovohej lirimi i tij nga ushtria. Ishte proces i gjatë që iu afrua përfundimit – por në shtator të vitit 2022 presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një mobilizim të pjesshëm ushtarak. Atij iu tha se nuk do të lejohej të largohej nga ushtria.
Ai e dinte se herët apo vonë do të dërgohej në Ukrainë dhe filloi të shikonte mënyra për ta evituar këtë.
“Unë jam toger, detyra ime është ta mbroj shtetin tim nga agresioni. Por, nuk dua të bëhem bashkëpunëtor në një krim. Asnjëri nuk na shpjegoi pse filloi kjo luftë, pse u desh t’i sulmonim ukrainasit dhe të shkatërronim qytete?” -ka thënë Dmitry.
Ai e ka përshkruar atmosferën në ushtri si të përzier. Thotë se disa e përkrahin luftën e disa janë kategorikisht kundër. Shumë pak prej tyre besojnë se po luftojnë për ta mbrojtur Rusinë nga një rrezik i vërtetë. Moska gjatë ka pretenduar se “operacioni special ushtarak” ishte zgjidhja e fundit për të parandaluar një sulm kundër saj.
Sipas ushtarakut Dmitry Mishov, pakënaqësia dhe pagat e ulëta janë të përbashkëtat në ushtrinë e Rusisë.
Ai thotë se ushtarakët në forcat ajrore ende paguhen me kontrata të paraluftës, rreth 1.090 dollarë. Ndërsa rekrutët e rinj po joshen për në ushtri me pagë 2.465 dollarë, si pjesë e një fushate zyrtare.
Dmitry thotë se asnjëri nuk u beson raportimeve se gjërat po shkojnë mirë në front në Ukrainë dhe se numri i viktimave është i ulët.
“Në ushtri asnjëri nuk u beson autoriteteve. Ata mund të shohin se çfarë po ndodh vërtet. Ushtria nuk u beson raporteve zyrtare, pasi thjesht nuk janë të vërteta”, thotë Dmitry.
Ai thotë se në ditët e para të luftës autoritetet ruse nuk po njoftonin për të vdekur apo për shkatërrim të pajisjeve. Ai thotë se personalisht i njeh disa prej atyre që u vranë.
Para luftës njësiti i tij kishte 40 deri në 50 aeroplanë. Në ditët e para pas fillimit të pushtimit rus, gjashtë u rrëzuan dhe tre të tjerë u shkatërruan ndërsa ishin të ulur në tokë.
Autoritetet ruse rrallë raportojnë për të vdekur. Në shtator ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, ka thënë se Rusia ka humbur afro 6.000 burra, shifër që analistët, përfshirë edhe ata pro-Kremlin, i shihnin shumë të ulëta.
Olga Ivshina e BBC Russia kanë bërë një listë prej 25 mijë emrave dhe në shumicën e rasteve ua ka vendosur edhe rangun ushtarak, emra që besohet se kanë vdekur në luftë në Ukrainë. Shifra, beson ajo, është shumë më e lartë.
Dmitry Mishov thotë se humbjet në mesin e personelit të forcave ajrore janë shumë të larta. Kjo përputhet me zbulimet e Olga Ivshinas, që ka konstatuar se qindra pilotë e teknikë kanë humbur jetën në luftë.
“Ata mund të zëvendësojnë helikopterët, por nuk ka mjaftueshëm pilotë”, thotë Dmitry. “Nëse krahasojmë me luftën në Afganistan në vitet 1980, ne e dimë se Bashkimi Sovjetik kishte humbur 333 helikopterë atje. Besoj se kemi përjetuar humbje të përafërt brenda një viti në Ukrainë”.

Ikja e madhe
Në janar të këtij viti Dmitry Mishovit iu tha se do të dërgohej në “mision”.
Duke e kuptuar se kjo nënkupton, nisjen në front në Ukrainë ai vendosi ta provonte me vetëvrasje. Shpresoi se kjo do të bindte autoritetet që ta lironin nga ushtria, por nuk ndodhi ashtu.
Derisa po e merrte veten në spital, ai lexoi një tekst për një ish-polic 27-vjeçar nga rajoni në Pskovit që kishte ikur në Letoni. Dmitry vendosi ta ndiqte të njëjtin shembull.
“Nuk po refuzoja t’i shërbeja ushtrisë. Por, unë i shërbej shtetit tim nëse është kërcënim i vërtetë. Unë po refuzoja të bëhesha pjesëmarrës në një krim. Po të hipja në helikopter, unë do të merrja të paktën dhjetëra jetë. Nuk doja të bëja këtë. Ukrainasit nuk janë armiqtë tanë”, tha Dmitry.
Dmitry kërkoi për kanale të Telegramit që mund të gjente rrugë malore për te kufijtë e BE-së. Ai mori sa më pak gjëra që ishte e mundur.
Ai tha se ecja nëpër male ishte e tmerrshme, pasi frikësohej se do të ndalej nga forcat kufitare.
“Po të më arrestonin do të futesha në burg për një kohë të gjatë”, thotë Dmitry.
Ai thotë se në një moment ishte ndezur një fishekzjarr diku afër tij dhe më pas edhe një tjetër. Ai kishte bërë panik duke menduar se janë forcat kufitare dhe nisi të vraponte.
“Nuk po shihja nga po shkoja”, thotë ai.
Ai më pas e kaloi një rrethojë me tel dhe ia doli.
“Mund të merrja frymë lirshëm”, thotë ai.
Dmitry mendon se autoritetet ruse do të nisin rast penal kundër tij. Por, ai beson se shumë nga kolegët e tij ushtarakë do ta kuptojnë motivin e tij.
Disa madje edhe e kishin këshilluar të fshihej brenda Rusisë, por ai mendon se po të mos ikte do të ndëshkohej.
Ai nuk e di se çfarë do të ndodhë më me të.
Por, ai thotë se preferon të tentojë dhe ndërtojë një jetë të re në Bashkimin Evropian.